Bankat shqiptare në stres për shitjen e pasurive të sekuestruara
Dështimi i shitjes së kolateraleve nga përmbaruesit i ka ngarkuar bankat me administrimin e qindra pronave, duke i kthyer ato në agjenci të mirëfillta imobilare. Shitja e pasurive të paluajtshme me ankand apo me marrëveshje dypalëshe për bankat është bërë kohët e fundit një çështje po aq e rëndësishme sa administrimi i kredive dhe depozitave. Madje kredia, si misioni kryesor bankar, thuajse ka “shteruar” dhe institucionet më të rëndësishme financiare në vend po investohen gjithnjë e më shumë për administrimin dhe shitjen e pronave të lëna peng për huat e pakthyera.
Institucionet financiare ndërkombëtare kanë lajmëruar se fokusimi i bankave në një veprimtari që nuk është në natyrën e tyre do të ishte një rrezik i ri dhe do t’i shfokusonte ato nga qëllimi themelor i ndërmjetësimit financiar.
Të gjitha bankat në ëeb-et e tyre, krahas shërbimeve financiare që ofrojnë për individët dhe bizneset, kanë të atashuara edhe pasuritë e paluajtshme të ofruara për shitje. Banka Raiffeisen, muajin e fundit, ka ofruar një paketë prej 210 pronash në të gjithë vendin për shitje. Shpallje të tilla në ëeb-et përkatëse kanë më së shumti Tirana Bank, Alpha Bank, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale, etj., por secila nga bankat ka zgjedhur një mënyrë të vetën për të shitur pasurinë e lënë peng.
Kreditë me probleme, sipas të dhënave të nëntorit, ranë në 19.9% ose në vlera neto në rreth 110 miliardë lekë. Në një raportim që qeveria shqiptare ka bërë për Fondin Monetar Ndërkombëtar vitin që shkoi ka pohuar se kredia me probleme është e kolateralizuar në masën 75%.
Në këtë mënyrë, vlera e pronave që bankat duhet të shesin për të mbuluar kreditë me probleme është afërsisht 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro). Mirëpo kjo shumë duket se po rezulton në një flluskë në momentin e ekzekutimit të tyre për shkak të një mori pengesash që po i çojnë zhvlerësojnë kolateralet nga vlerësimi i bankave deri tek ekzekutimi i tyre nga përmbarimi.
Monitor
Add new comment