Firmoset zyrtarisht “divorci” i qeverisë me Crown Agents
Kontrata dyvjeçare mes qeverisë dhe kompanisë konsulente “Crown Agents” ka mbërritur zyrtarisht në fund. Edhe pse e ka cilësuar si një bashkëpunim të suksesshëm, Ministria e Financave nuk e ka rinovuar edhe një tjetër vit kontratën me kompaninë britanike, një mundësi kjo që ishte parashikuar që në momentin e nënshkrimit, por ka vendosur t’i japë fund asaj.
Sipas ministrisë, kontrata me “Crown Agents” konsistonte në disa objektiva, si rritja e integritetit të Administratës Doganore, përmirësimi i administrimit, si dhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit.Ministria vlerëson se, pas dy vitesh bashkëpunimi është arritur përmirësim në kontrollet doganore, identifikimin e shkeljeve, menaxhimin e riskut dhe rritjen e integritetit profesional në institucionin e doganave raporton Top Channel.
Në një raport të gjatë të nisur në Kryeministri dhe në Ministrinë e Financave, në 17 shkurt të 2015-ës, “Crown Agents” kundërshtonte akuzat për paaftësi në përmbushjen e kontratës që kishte me qeverinë, për mosrealizimin e të ardhurave në buxhet. Britanikët denoncuan raste të korrupsionit sistematik, por edhe pengesat që ata hasën shpesh gjatë punës së tyre në terren.
Sipas saj arsyet se përse nuk u realizuan planet kanë qenë qëndresa që kanë dëshmuar disa punonjës të doganës për të kryer kontrollet në mënyrën e duhur dhe në veçanti mungesa e vullnetit për të vendosur penalitetet e duhura për rastet e shkeljeve të regjimeve doganore.
Niveli dhe kompleksiteti i korrupsionit të organizuar e sistematik në dogana, i krijuar në mënyrë të qëllimtë për të mbështetur mashtrimin me të ardhurat si dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e një numri Degësh Doganore, Kryetarësh të Degëve Doganore.
Add new comment