Skandali i ligjit të ri të pronave
Respektimi i pronës private është guri i themelit të një shteti ligjor dhe i politikave të tij publike për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shtetasve. Por ligji i fundit i qeverisë, për kthimin dhe kompensimin e pronarëve të grabitur nga diktatura komuniste, është një tjetër provë se në qeveritë shqiptare vazhdon të dominojë koncepti komunist se e drejta e pronës private mund të sakrifikohet për interesa të ashtuquajtura publike. Të ashtuquajtura “interesa”, sepse nuk mund të ketë as një interes dhe as një të mirë publike, të themeluar mbi shkeljen e të drejtës së pronës qoftë edhe të një individi të vetëm.
Mjerisht, ligji në fjalë i qeverisë “Rama” ndërtohet pikërisht mbi një shkelje të tillë me justifikimin se kështu e kërkon “e mira publike”! Por a nuk u bë edhe shpronësimi i pronarëve nga diktatura komuniste nën sloganin e “të mirës publike” pra, të të bërit “mirë” duke ja marrë të pasurve për t’ia dhënë të varfërve? Cili është ndryshimi kur pronën e grabitur nga komunizmi premton ta kthesh a kompensosh vetëm pjesërisht, me çmime qesharake që as i aviten atyre të tregut të sotëm apo duke bërë akrobacira qesharake që e katandisin të drejtën e pronarëve në “kokoshi një thelë”, me justifikimin se kështu e do “e mira publike” ngaqë shteti nuk ka para?! Prandaj a nuk kemi të drejtë që për çështjen e kthimit të pronave të frikësohemi se po përballemi me një “Rilindje” proletare?
Akti i parë i komunizmit ishte shpronësimi i pronarëve. Jo rastësisht, por sepse prona është themeli i një sistemi. Prandaj që ta shkatërrosh duhet ta nisësh nga ajo. Por e njëjta gjë është edhe kur bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem. Duhet ta nisësh nga prona. Prandaj akti i parë i demokracisë duhej të qe vënia në vend e të drejtës së pronës së dhunuar. Por pikërisht pse Shqipëria e nisi procesin nga demokracia dhe jo nga e drejta, nga vota dhe jo nga shteti ligjor, e drejta u braktis në emër të një pragmatizmi populist. E drejta e pronarëve u tradhtua, madje edhe nga “demokratët antikomunistë”, ngaqë pronarët nuk ishin shumë dhe nuk kishin peshë (d.m.th. shumë vota) për çështjen e pushtetit që politikanëve i interesonte më shumë edhe se e drejta. Por kjo ka sjellë edhe kalbjen e demokracisë. Sepse nëse do të kuptosh shkallën e demokracisë në një vend, nuk ka masë më të mirë sesa të shohësh si respektohen të drejtat e pakicave. (Lordi Akton)
Në këtë rrafsh, të gjitha partitë shqiptare, të majta e të djathta, socialistë e demokratë, kanë mbrojtur “interesat” (në fakt ato të pushtetit) e shumicës, duke dhunuar ato të pakicës. Ky është, as më shumë dhe as më pak, por bolshevizëm! Një politikë që e tenton edhe ligji i ri i qeverisë Rama. Nëse Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut do miratonte ligjin e qeverisë, do jepte një provë që ka pushuar se qeni një mbrojtëse e atyre të drejtave të gdhendura në ballin e saj. Të paktën për Shqipërinë.
Është e vërtetë që në këto 25 vjet, pikërisht për shkak të mendësisë që po të “lërosh” të drejtën e pronës mund të mbijnë “frute publike”, e drejta e shtresës së pronarëve të dhunuar nga komunizmi është tallur dhe nëpërkëmbur. Por shpresohej se “Rilindja” do të devijonte nga kjo rrugë e padrejtësisë ndjekur me konsekuencë komuniste nga “demokratët” edhe në 8 vjetët e fundit të qeverisjes së tyre. E kundërta po ndodh. Rilindësit po ecin në gjurmët e demokratëve me justifikimin se kaq janë mundësitë financiare të shtetit.
Ky është një sofizëm që nuk i reziston të vërtetës. Kthimi i pronave të grabitura nga komunizmi është betejë për të drejtën dhe si e tillë, është e pandarë nga lufta kundër korrupsionit dhe padrejtësive të realizuara edhe në këto 25 vjet me pronat. Kryeministri Rama bën shumë mirë që denoncon grabitjen, me falsifikime, të mijëra hektarëve troje nga njerëz të qeverisë së Berishës apo biznese afër saj. Por kjo nuk ka asnjë vlerë nëse këto toka, që janë në pjesët më të mira turistike të vendit, nuk ju merren atyre që i kanë përvetësuar me korrupsion e mashtrim, për t’ia dhënë atyre që ju përkasin me të drejtë, pronarëve. Aq më keq nëse një fond i tillë tokash, keqpërdoret për të ngopur epshet e klaneve të reja që pa dyshim nuk mund të mos formësohen edhe në oborrin e qeverisë socialiste që, afërmendsh, nuk është e përbërë nga engjëj të privuar nga lakmia dhe epshet.
Por nuk e kemi dëgjuar një gjë të tillë nga kryeministri. Por çfarë dëgjojmë? Dëgjojmë atë që thotë ligji i kabinetit të tij. Një dhunim i paskrupullt i të drejtës ë pronës në emër të “së mirës publike”. Pse? Sepse e drejta e pronarëve mund të zgjidhej siç duhet në fillim por tani, pas 25 vjetësh, është shumë vonë. Apo se keqja është bërë dhe nuk mund të ç’bëhet më! Sepse kaq para paska qeveria! Sepse “shteti”, “populli” (prapë në emër të popullit?), taksapaguesit shqiptarë (kjo e fundit është një përça dhe sundo cezariano-populiste) nuk mund të paguajnë aq shumë për pronarët edhe pse bëhet fjalë për një të drejtë. Pra, s’kemi ç’bëjmë! Pas kaq vitesh padrejtësi, qenkemi fatalisht robër të saj?! Jo, ligji i qeverisë Rama nuk flet me gjuhën e shtetarit që preokupohet për të drejtën si themel i shtetit, por me gjuhën e llogaritarit të vogël mizantrop që nuk i dalin paratë. Dhe që për të shpëtuar paratë, vendos të varrosë të drejtën.
Një popull nuk duhet të ngurrojë të investohet edhe me jetë kur është fjala për të rivendosur të drejtën. Ndryshe do të vuajë, siç po heqin shqiptarët, nën kthetrat e padrejtësisë. Nuk ka kosto më të madhe sesa humbja e të drejtës. Por ndërkaq, fatura financiare e kompensimit të pronave është rënduar jashtëzakonisht shumë nga korrupsioni. Nga fakti që tokat, trojet më të mira në zonat më të kërkuara, pra edhe më të shtrenjta, janë përvetësuar nga politikanët, bizneset dhe miqtë e tyre. Po të mos kish ndodhur kjo masakër, sot një pjesë e mirë e pronave do ktheheshin apo do t’u kompensoheshin fizikisht pronarëve me toka e troje ekuivalente për nga vlera. Në fakt, duke e njohur një situatë të tillë, edhe Rilindja, gjatë fushatës zgjedhore që e solli në pushtet bëri këtë premtim: “Përparësi kompensimit në natyrë në raport me dhënien e kompensimit financiar duke mundësuar uljen e faturës financiare për shtetin”. Një premtim që i zbatuar, do të bënte që pasuria të mos përqendrohej edhe më tek pasunarët e rinj (jo rrallë aventurierë pa skrupuj që kanë bërë para duke përfituar nga kaosi dhe mungesa e ligjit) por të shpërndahej edhe te një shtresë njerëzish që kanë shpresuar ardhjen e ligjit. Dhe demokracia nuk mund të vazhdojë gjatë nëse nuk krijohet një shtresë sociale që e bazon ardhmërinë mbi sundimin e ligjit. Por tani “Rilindja” po e braktis këtë premtim duke dhunuar këtë shtresë. Pse? Një muzikë e vjetër kjo. Ndryshe mendohet në një kasolle dhe ndryshe mendohet në një pallat – thosh Fojerbahu. Që sot përkthehet: Ndryshe mendohet në opozitë dhe ndryshe në pushtet.
Por bashkë me ndryshimin e mendimit nuk mund të mos ndryshojë edhe veprimi. Një vendim i qeverisë Rama, në 29 janar 2014, ka kaluar në administrim të Ministrisë së Bujqësisë një fond toke prej rreth 18 mijë hektarësh, fond që i qe dhënë më parë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ta përdorur për kompensimi fizik të pronarëve. Një vendim që nuk gjen asnjë përligjje i ballafaquar me premtimin dhe nevojën për të reduktuar koston financiare me anë të kompensimit fizik të pronarëve. Pse duhet t’i merreshin këto mijëra hektarë agjencisë (në fakt pronarëve) dhe pse duhet që një manovër të tillë të mistershme ta paguajnë me miliona taksa paguesit shqiptarë?
Nuk është e drejta e pronarëve të dhunuar nga komunizmi ajo që po i bën shqiptarët si taksapagues të paguajnë miliona, por korrupsioni që ja ka dhënë tokat e trojet e pronarëve në plazhe, zona turistike e qytete, klaneve të korruptuara dhe bizneseve afër politikës. Dhe pasi janë grabitur të gjithë tokat e trojet, pronarëve i ofrohet si një zgjidhje “e arsyeshme” (pra që arsyeton grabitjen e korrupsionin) një padrejtësi e re. I kërkohet të pranojnë si të drejtë që toka e shtetëzuar nga komunizmi në vitin 1946 të vlerësohet me statusin që kish atëherë dhe jo atë që ka sot. Që do të thotë, që një copë tokë bujqësore e shtetëzuar në vitin ‘46 që tashmë është kthyer truall në qytet apo zonë turistike, të vlerësohet si tokë bujqësore. Shkurt, pronarët e ndarë përdhunshëm nga prona e tyre, janë të dënuar të rikthehen po përdhunshëm në vitin 1946, sikur është faji i tyre që nuk arritën ta zhvillojnë atë pronë. Kur ka nevojë qeveria transhendon edhe dekadat. Shpik makinën e kohës dhe na flak prapa, në vitin që i leverdis asaj, në vitin 1946, në vitin e krimit komunist ndaj pronës private. Një qeveri që aspiron shtetin ligjor, duhet ta kish për turp të nxirrte përfitime buxhetore duke ju referuar atij viti jakobin që hodhi bazën ekomomike të diktaturës duke varrosur pronën private. Pyetja që nxjerr në shesh absurdin e kësaj padrejtësie është: Nëse nuk do t’i qe rrëmbyer toka nga komunizmi si do ta gëzonte sot atë pronari, me statusin dhe vlerën e vitit ’46 apo me atë të vitit 2016? Referimi ndaj vitit 1946 mund të jetë një gafë apo gabim. Por në qeverisje, sikundër thosh Fushe, një gabim është jo rrallë, më shumë se një krim.
Edhe më arrogante është harta e çmimeve për kompensim e ofruar nga qeveria që nuk i avitet kurrkund çmimeve reale të tregut. Nevoja e bën qeverinë të transhendojë edhe tregun me çmimet e tij. Tashmë, është ajo që dikton çmimet e tokave (Sic volo, sic iubeo!). Sofizmat e ligjit të qeverisë janë qesharakë dhe nxjerrin në pah jo dedikim ndaj të drejtës, por ethen për të hequr qafe, qoftë edhe padrejtësisht, një problem që bezdis. Është një zgjidhje adhamudhiane që e kërren të drejtën. Dhe pronarët, përveçse janë ndëshkuar 45 vjet nga diktatura dhe 25 vjet nga demokracia për të mos përfituar asnjë cent nga pronat e tyre, duhet të paguajnë edhe koston shtesë të korrupsionit me tokat në këto dy dekada të fundit. Të dhunuar në komunizëm, të dhunuar edhe në demokraci!
Premtojnë të zgjidhin në 10 vjet (prapë me plane disavjeçare?) çështjen e pronave. Pasi i kanë varfëruar pronarët për 25 vjet i propozojnë që nëse duan ta marrin kompensimin e mjerë të 10 vjetëve brenda një viti, mund të përfitojnë menjëherë 20 për qind të vlerës duke hequr dorë nga pjesa tjetër prej 80 për qind. Nëse pranon të kompensohesh për 5 vjet, do marrësh vetëm 40 për qind të vlerës. “Logjika” është ajo e një fajdeje gjakpirëse ndërtuar mbi një cinizëm me rrënjë te varfërimi i pronarëve, një vazhdim i cungimit të së drejtës së tyre nëpër pesëvjeçarë. Dhe si? Duke e futur të drejtën e pronarëve në shtratin e Prokrustit të “arsyes” së qeverisë, duke ja prerë këmbë, duar e kokë.
A është kjo “zgjidhje” e çështjes së pronave në dobi të së mirës publike dhe shtetit të së drejtës? Pyetja është retorike. Sepse nuk ka asnjë shans që padrejtësia të jetë një investim për drejtësinë. Një qeverisje që dhunon të drejtën e pronës nuk mund të jetë një qeverisje e drejtë edhe në drejtime të tjera. Divorci i saj me të drejtën ka nisur. Ky është alarmi! Aq më keq kur edhe si alternativë politike qëndron një opozitë si kjo e PD, që ka bërë të njëjtin dhunim të së drejtës sa qe në pushtet por që tani, në opozitë, flet ndryshe.
Presidenti Nishani ngre shumë probleme të drejta kur argumenton se përse e ka kthyer ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave për rishqyrtim në Kuvend. Por a do shfaqte ai po këtë filtër kritik nëse ligji në fjalë, do të qe vepër e qeverisë Berisha? Sigurisht që jo. Provë është fakti që, si ministër, nuk ka bërë asnjë kritikë për politikën e zvarritjes së çështjes së pronave sa kohë në qeveri qe PD. Shkurt, politikanët shqiptarë, sa janë në opozitë tundin flamurin e të drejtës, me t’u ngjitur në pushtet, e braktisin atë. Por shteti i së drejtës që të themelohet kërkon, minimalisht, që një elitë të jetë e lidhur fatalisht me të drejtën. Dhe jo ta braktisë atë për “arsye shtetërore”. Ndryshe, sundimi i ligjit degradon në sundim me anë të ligjit që është mekanizmi klasik, jo vetëm i çdo diktature por, edhe i një demokracie autokratike.
"Dita"
Add new comment