“Mediat sociale janë një kurth”
Sociologu polak Zygmunt Bauman sapo ka festuar 90 vjetorin dhe ka kryer dy fluturime nga shtëpia e tij në qytetin verior britanik Leeds për të marrë pjesë në një ngjarje në Burgos, në Spanjën veriore. Ai e pranon që është i lodhur ndërsa fillojmë intervistën, por sërish ia del t’i shprehë idetë e tij me qartësi dhe qetësi, duke marrë kohë për çdo përgjigje, sepse ai e urren të japë përgjigje të thjeshta për pyetje të ndërlikuara. Qysh kur ndërtoi teorinë e tij të modernitetit të lëngshëm (liquid) në fund të viteve 90 – e cila e përshkruan epokën tonë si epokë në të cilën “të gjitha marrëveshjet janë të përkohshme, fluturake, dhe të vlefshme deri në njoftimin e mëtejshëm” – ai është kthyer në figurë udhëheqëse në fushën e sociologjisë. Vepra e tij mbi pabarazinë dhe kritika e tij për atë që ai e shikon si dështim i politikës për të përmbushur parashikimet e njerëzve, së bashku me një këndvështrim pesimist për të ardhmen e shoqërisë, janë përqafuar nga një lëvizje e ashtuquajtur 15 Maji në Spanjë – megjithëse ai i ka theksuar vazhdimisht dobësitë e saj.
I lindur në Poloni më 1925, prindërit e Bauman u arratisën në Bashkimin Sovjetik pas pushtimit gjerman më 1939. Më 1968, pasi iu hoq e drejta e ushtrimit të detyrës së mësuesit dhe u përjashtua nga partia komuniste së bashku me çifutë të tjerë në vigjilje të Luftës Gjashtë Ditëshe, ai u largua për në Britani, ku mori një detyrë në Universitetin e Leeds, e ku tani është Profesor Emeritus i Sociologjisë. Vepra e tij ka marrë një radhë çmimesh ndërkombëtare, mes të cilave çmimin spanjoll Asturias, më 2010.
Ai e ka paraqitur këndvështrimin e tij pesimist për botën në libra si Does the Richness of the Few Benefit Us All? (A përfitojmë të gjithë nga pasuria e një pakice?), 2014, ku mbron idenë që bota po paguan një çmim të lartë për revolucionin neoliberal që filloi në vitet 1980 dhe që pasuria nuk ka zbritur poshtë te pjesa tjetër e shoqërisë. Në librin Moral Blindness (Verbëria morale), botuar vitin e kaluar, së bashku me Leonidas Donskis paralajmërojnë për humbjen e komunitetit në botën tonë gjithnjë e më shumë individualiste.
Ju e keni përshkruar pabarazinë si “metastazë”. Është e kërcënuar demokracia?
Ne mund të përshkruajmë atë që ndodh për momentin si krizë të demokracisë, rënia e besimit: bindja që udhëheqësit tanë nuk janë thjesht të korruptuar, por të palogjikshëm. Veprimi kërkon pushtet, i aftë për të bërë gjëra, dhe ne kemi nevojë për politikë që ka aftësi për të vendosur se çfarë është e nevojshme të bëhet. Por kjo martesë mes pushtetit dhe politikës në duart e shtetit kombëtar ka marrë fund. Pushteti është globalizuar, kurse politika është po aq lokale sa më parë. Politikës i janë prerë duart. Njerëzit nuk besojnë më sistemin demokratik sepse ai nuk u mban premtimet. Për shembull, këtë e shikojmë me krizën e emigrantëve: është një fenomen global, por ne ende veprojmë në mënyrë provinciale. Institucionet tona nuk janë projektuar për të trajtuar situata me varësi të shumëfishtë. Kriza e tanishme e demokracisë është krizë e institucioneve demokratike.
Në cilin drejtim anon lavjerrësi që ju përshkruani mes lirisë dhe sigurisë për momentin?
Këto janë dy vlera tmerrësisht të vështira për t’u pajtuar. Nëse doni më shumë siguri, duhet të hiqni dorë nga një masë e caktuar lirie; nëse doni më shumë liri, duhet të hiqni dorë nga siguria. Kjo dilemë do të vazhdojë përgjithmonë. Dyzet vjet më parë ne besonim se liria kishte triumfuar dhe ne filluam një orgji konsumi. Gjithçka dukej e mundshme duke huazuar para: makina, shtëpi… dhe thjesht paguam për to më vonë. Thirrja paralajmëruese më 2008 ishte e hidhur, kur kreditë shteruan. Katastrofa, kolapsi shoqëror që pasoi goditi rëndë veçanërisht klasën e mesme, e zvarriti atë drejt një situate të rrezikshme ku vazhdon të gjendet: ata nuk e dinë nëse kompania e tyre do të bashkohet me një tjetër dhe ata do të pushohen nga puna, ata nuk e dinë nëse ajo që ata kanë sjellë u përkiste atyre… Konflikti nuk është më mes klasave, por mes çdo individi dhe shoqërisë. Nuk është vetëm mungesë sigurie, por dhe lirie.
Ju thoni që progresi është mit, sepse njerëzit nuk besojnë më që e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara.
Ne jemi në periudhë kalimtare, mes një kohe kur kishim qartësi dhe një tjetre kur mënyrat e vjetra për të bërë gjërat nuk funksionojnë më. Nuk e dimë se çfarë do ta zëvendësojë këtë. Po eksperimentojmë me mënyra të reja për bërjen e gjërave. Spanja u përpoq ta vinte këtë në dyshim përmes lëvizjes 15 Maji (15M), kur njerëzit zaptuan vendet publike debatuan, u përpoqën të zëvendësonin procedurat parlamentare me një lloj demokracie të drejtpërdrejtë. Kjo nuk zgjati shumë. Politikat e shtrëngimit ekonomik do të vazhdojnë, askush nuk mund t’i ndalojë, por ato ende mund të jenë relativisht të efektshme në gjetjen e mënyrave të reja për bërjen e gjërave.
Ju keni mbrojtur idenë që lëvizje si 15M dhe Occupy dinë “të pastrojnë rrugën, por jo si të krijojnë diçka solide.”
Njerëzit lënë mënjanë dallimet e tyre për një copë herë në sheshet publike për një qëllim të përbashkët. Nëse ai qëllim është negativ, të ngarkohesh me zemërim kundër dikujt, mundësitë e suksesit janë të mëdha. Në një farë mënyre do të kishte qenë një shpërthim solidariteti, por shpërthimet janë shumë të fuqishme dhe jetëshkurtra.
Ju mendoni se për shkak të natyrës së tyre, në koalicione të ylberta nuk ka vend për udhëheqje.
Pikërisht kështu është sepse lëvizjeve të tilla u mungojnë udhëheqësit që mund të mbijetojnë, por edhe ngaqë u mungojnë liderë që mund të konvertojnë ndjenjën e tyre të qëllimit në veprim.
Në Spanjë, lëvizja 15M ka ndihmuar në krijimin e forcave politike të reja.
Ndryshimi i një partie për një parti tjetër nuk do të zgjidhë problemin. Problemi nuk është se partitë e kanë gabim, por ato nuk kontrollojnë gjëra. Problemet e Spanjës janë pjesë e një problemi global. Është e gabuar të mendosh se mund të zgjidhni gjerat së brendshmi.
Çfarë mendoni për projektin e pavarësisë së Katalonjës?
Mendoj se ende vazhdojmë të ndjekim parimet e Versajës, kur u vendos e drejta e çdo kombi për vetëqeverisje. Por ky është një trillim në botën e sotme, kur nuk ka më territore homogjene. Sot, çdo shoqëri është një koleksion diasporash. Njerëzit u bashkohen shoqërive të cilave u qëndrojnë besnikë dhe paguajnë taksat, por në të njëjtën kohë nuk duan të heqin dorë nga identiteti i tyre. Lidhja mes vendit ku jetoni dhe identitetit është prishur. Situata në Katalonjë, si në Skoci apo Lombardi, është një kontradiktë mes identitetit tribal dhe nënshtetësisë. Ata janë evropianë, por nuk duan të flasin me Brukselin përmes Madridit, por Barcelonës. E njëjta logjikë po shfaqet thuajse në çdo vend. Jemi ende duke ndjekur të njëjtën parime vendosur në fund të Luftës së Parë Botërore, por në botë ka pasur shumë ndryshime.
Ju jeni skeptik për mënyrën si njerëzit protestojnë përmes medieve sociale, për të ashtuquajturin “aktivizim kolltuku”, dhe thoni që interneti po na dembelos me argëtim çmimlirë. A do të thoshit që rrjetet sociale janë opiumi i ri për popullin?
Çështja e identitetit ka ndryshuar nga diçka me të cilën ju keni lindur në një detyrë: ju duhet të krijoni komunitetin tuaj. Por komunitetet nuk krijohen, dhe ju ose keni një komunitet ose jo. Ajo që mund të krijojnë mediet sociale është zëvendësues. Dallimi mes një komuniteti dhe një rrejti është se ju i përkisni një komuniteti, por një rrjet iu përket ju. Ju ndiheni në kontroll. Ju mund të shtoni miq nëse doni, ose mund t’i shuani nëse doni. Ju jeni në kontroll të njerëzve të rëndësishëm me të cilët lidheni. Si pasojë njerëzit ndihen pak më mirë, sepse vetmia, braktisja, është frika e madhe e epokës sonë individualiste. Por është shumë e lehtë të shtosh ose të shuash miq në internet që njerëzit nuk ia dalin të përvetësojnë aftësitë reale sociale, të cilat iu duhen kur dilni në rrugë, kur shkoni në vendin e punës, kur gjeni shumicë njerëzish me të cilët keni nevojë të komunikoni me delikatesë. Papa Frençesku, që është një njeri i madh, ia dha intervistën e tij të parë pasi u zgjodh Eugenio Scalfarit, një gazetar italian i cili është ateist i vetëshpallur. Kjo ishte një shenjë: dialogu i vërtetë nuk është të bisedosh me njerëz që besojnë të njëjtat gjëra si ju. Media sociale nuk na mëson të dialogojmë, sepse është shumë e lehtë të shmangësh kundërshtimin… Por shumë njerëz i përdorin mediet sociale jo të bashkohen, jo të zgjerojnë horizontin, përkundrazi, t’i gjejnë vetes një zonë rehatie ku të vetmet tinguj që ata dëgjojnë janë jehonat e zërit të tyre, ku të vetmet sende që shikojnë janë pasqyrime të fytyrës së tyre. Mediet sociale janë të dobishme, ato ofrojnë kënaqësi, por janë një kurth.
http://www.postbllok.com/bauman-mediet-sociale-jane-nje-kurth/
Comments
Mire e ka zoteria.
Mire e ka zoteria. Perkufizimi, eshte i sakte, por, eshte si puna e molles se ndaluar, qe te shijon me teper.
Sic duket, zoteria, ka bere aq shume jete akademike, sa duke qene i shkeputur nga realiteti, i paskan munguar kenaqesite e jetes, si te ngrenit, te pirit, te dehurit, te dashuruarit, te flirtuarit, te rrahurit, te sharit, e keshtu me rradhe,dhe te gjitha keto,permblidhen vetem me nje fjale JETE e jetuar.
Pleqte e Gjore.
Po ky duket qe i vjen koka era hallve. Pleqte e kesaj moshe nuk mund te kuptojne ndryshimet qe ndodhin ne kete bote, aq me pak te rekomandojne se cfare duhet bere.
Add new comment