Dosjet edhe po nuk u hapën, do të rrjedhin vetë
Përrallën erotike e nisi Gjergj Leka. I cili dikur, në agun e Demokracisë shqiptare, qëndronte mbi zhelnajën e përgjithshme të flokëve model Meduza dhe të golfeve ngjitur pas trupit e poshtë një xhakete çfarëdo. Një zhelnajë që ishte bileta e galerisë së një arti ku ishim autorë e protagonistë. Por ajo paskësh qenë vetëm dukja e një suksesi të paqenë, e një “civilizimi” prej letre karamelesh, e një kulture që na imponohet si prezervativ kur dalim jashtë.
Leka provokoi para disa kohësh, duke zbuluar një të vërtetë që i digjte e që duhet ta dinte edhe Kombi: Parashqevia, këngëtarja e njohur, kishte bërë lloj lloj marifetesh për të fituar çmimet në festivale. Leka, shtonte me një kënaqësi të pashpjegueshme hollësi për pusin me ujë, ku “kjo vajza që do ta merrnin partizane” u pa nga sevdallinjtë e Sigurimit dhe hopa, në krahë e për në Tiranë. E që andej sipas Lekës, këtij muzikanti me talent të spikatur për kurimin e thashethemeve dhe mbarështimin e tyre si “sekreti” i madh i artit të Diktaturës, Parashqevia nis karrierën e suksesit. Një karrierë zëri dhe fustani siç përgojonte Leka. Kaq. E tha, për të dëgjuar mandej zhurmën e mediave.
Pastaj radha i erdhi Agim Krajkës, i vlerësuar si pak kush. Krajka thotë se Parshqevia kishte talent, por kur iku në Amerikë provoi se nuk ishte inteligjente. Sa për lidhjet e Parashqevisë, Krajka e thotë troç se nuk i interesonin, ndonëse mosha...“Edhe Parashqevia kishte një mik nga të Sigurimit të Shtetit, “friends” siç thuhet sot, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit. Rrinin e bisedonin, flisnin për artin, për poezinë, por s’më hynte në punë mua kjo. Në atë kohë e gjithë Shqipëria ishte në syrin e sigurimsave. Ata edhe ndjenja kishin se ishin të rinj e do të lidheshin me ndonjë vajzë, siç ishte rasti i mikut të Parashqevisë”. Me kë u lidh Parashqevia? Kjo paska qenë çështja e atyre viteve, përveç modelit të flokëve që promovonte Nertila Koka.
Ka rëndësi të shtojmë se ky Krajka, thuhet nga Sherif Merdani, se ka qenë vetë bashkëpunëtor i Sigurimit, me nofkën “Belini”? Ndoshta po, ndoshta jo. Sidoqoftë, edhe sigurimsat njerëz me ndjenja ishin, vetëm se puna e donte që detyra para ndjenjës. Sa kuptojmë, karamelen e mirë Parashqevi, nuk e preknin dot të gjithë. Ndaj kjo e bën të kuptueshme këtë sulm frontal ndaj Paros që nuk është ndjerë prej vitesh e vitesh tashmë.
Sot ka folur edhe një tjetër artist, këngëtar: Ferdinand(bëj shaka:::-)). E ka Frederik) Ndoci. Njeriu flet atë që mendon e di, për të përcjellë edhe ndonjë mesazh. Përndryshe ka të drejtë ai filmi që pastaj e lidh zanatin me mendjen e të vë etiketën: Tra lala. Apo “fyell” siç i thonë një ane. Çfarë thotë – NDËR TË TJERA – Ferdi te “Panorama”?Asgjë të re. Merret me Parashqevinë, i shton asaj një admirues josigurims në krah, një “protektor arti” që na kujton ato oborret mesjetare ku me temena, e me përulje, filozofë e artistë, shkruanin vepra që e kishin dedikimin të mbushur me fjalë si “illustrius” e “magister”. Ky protektor është Marash Hajati, një njeri që është ndarë nga kjo botë.
“Më e preferuara dhe e privilegjuara i shte Parashqevi Simaku. Parashqevia ishte e bukur, sex appeal, bukuroshe dhe është marrë vesh nga media se çfarë flitej për jetën e saj. Marash Hajati e kishte më afër Parashqevinë se këngëtaret e tjera. E donte dhe e privilegjonte më tepër. Nuk e di pse, por kështu ishte. Parashqevi Simaku nuk ishte një këngëtare më e mirë se Irma Libohova apo Myfarete Laze, por ja që Parashqevia fitonte”, thotë Ndoci.
Taaak edhe një shkelje syri dhe nuk do shumë ta kuptojmë çfarë thotë Ferdi. Kuptojmë se Paroja, që e njihnim vetëm prej këngësh, disa prej të cilave që atëherë nuk ngjisnin, qenka sfilitur për të qenë në radhën e parë. Sot kolegët e vet po ia numërojnë bëmat: janë mbledhur këta “burra” e po molloisin mashtrimin e madh të Diktaturës. Atë mashtrim që shpërndau çmimet si statusi i dëshmorit apo “Heroi i Punës Socialiste”. Dhe teksa bënte këtë padrejtësi, këtë shëmti të madhe, kishte krijuar kushtet e nevojshme që vouayeristë profesionistë si këta të seliteshin, të rriteshin, të vetëdekoroheshin me vokalin e së vërtetës së krevatëve që po ndrydhej për dekada. Se edhe po qe se Sigurimit i ikte ndonjë gjë, këtyre nuk u shpëtonte gjë. Një e vërtetë që sot lehet në media njerëzisht. Me buzëqeshje rrufjani që pason ndonjë deklaratë që të lë me zemër të ngrirë si: “Do të iki. Ky vend nuk ka të ardhme”. Nuk ka të ardhme edhe pse nuk ka më Sigurim dhe festivalet janë "të lira".
E ç’të thuash pasi njeriu merr vesh nga dëshmitarë të dorës së parë për këtë sagë arrivizmi të një këngëtareje që edhe është admiruar dikur? Asgjë nuk ke çfarë bën. Për të mirën e artistëve të vërtetë, që sot me kurajo flasin në kor për historitë rozë të një femre që nuk është më në jetën tonë “të kulturuar”, mund të themi: Ikni. Duhet të Ikni sa më shpejt, që të shpëtoni ç’mund të shpëtohet nga talenti juaj. Pa frikë, nesër do të shkruajmë gjerë e gjatë për Ju, se me siguri që do ketë mbetur njeri që do ketë çfarë të thotë edhe për Ju. Kuptohet te rubrika: Qyqet e Diktaturës. Dosjet do të rrjedhin vetë, nga gojët e duhura, edhe në mos u hapshin ndonjëherë.
Shaptilografisti
Comments
Hej Shapto
Nuk e di e ke me dashje apo pa dashje, po ate kengetarin-rrefimtar Ndoci, nuk e quajne Ferdinand, por Frederik. Ja keshtu, vetem per hir te saktesise,
Add new comment