Athina përplaset me kreditorët, kundër masave të reja shtrënguese
Në Athinë fillon të hënën një tjetër raund negociatash midis qeverisë greke dhe kreditorëve. Këta të fundit përfaqësohen nga ekipet teknike, pasi shefat e misioneve pritet të mbërrijnë ndoshta nga fundi i muajit, nëse do të jenë sheshuar vërejtjet mbi projektin e reformës së pensioneve dhe “vrimën e zezë” në financat publike greke.
Kjo u tha gjatë një një telekonference të zhvilluar në fundjavë, ku kreditorët kërkuan nga Athina më shumë detaje, sa për buxhetin e shtetit, aq edhe për reformën e pensioneve.
Kreditorët vlerësojnë se do të nevojiten kursime të reja gjatë vitit 2016, me qëllim që të mos rrezikojë kapja e objektivave fiskalë. Madje, Fondi Monetar ndërkombëtar nuk ka përjashtuar që vlera e masave shtesë të arrijë në 1,8 miliardë euro.
Mirëpo pal greke insiston se nuk nevojitet marrja e masave të reja, gjë që do të kishte dhe një kosto të jashtëzakonshme për qeverinë Tsipras, në kohën kur faktikisht pakënaqësia e qytetarëve paraqitet e shtuar. Ministria greke e financave thotë se ka në dorë një kartë të fortë dhe kjo nuk është tjetër veçse ecuria më e mirë nga ç’pritej e të ardhurave publike. U inkasuan 1,9 miliardë euro më shumë nga sa ishte objektivi.
Marrja e masave të reja pritet të jetë pika kryesore e fërkimeve midis Athinës dhe kreditorëve. Por është po kaq i rëndësoishëm edhe projekti për reformën e pensioneve, që ka shkaktuar në mbarë Greqinë reagime mjaft të fuqishme, që pritet të shkallëzohen.
Projekti prej 170 faqesh i qeverisë duket se nuk ka përmbushur as pritshmëritë e kreditorëve. Dhe kjo rezulton nga një deklaratë e njerit prej funksionarëve të FMN-së, cituar prej shtypit grek, se: “ne kërkuam një lopë, ata na sollën një mace”. Sipas analistëve grekë, kjo frazë dëshmon se FMN merr përsipër mbikqyrjen e reformës në fjalë, me të cilën kushtëzon edhe pjesëmarrjen në programin e tretë të shpëtimit të Greqisë.
Add new comment