Pylltaria, sfida e zhvillimit në Shqipëri
Për periudhën që po kalojmë, Shqipëria është vend i veçantë në rajon që ka dy Moratoriume, një për Gjuetinë dhe tjetri më i rëndësishëm se i pari, për Pyjet. Të dy të lidhur ngushtë me njëritjetrin, pasi një pjesë e varfërisë së kafshëve të gjuetisë është e shkaktuar edhe nga gjendja e rëndë e pyjeve. Moratoriumet ndalojnë (gjuetinë, prerjet në pyje etj.), dhe për këtë bëjnë mjaft mirë! Me sa duket sikur e gjithë barra i bie Shërbimit Pyjor apo Inspektoratit Mjedisor! Po ua lamë këtë barrë vetëm këtyre, le ta themi që në fillim se gjendja në Pyje dhe kafshë të egra nuk mund të përmirësohet kurrë! Dua të ritheksoj edhe më me shumë forcë se dy Moratoriumet shtrojnë përpara Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mjedisit, gjithë Pushtetit vendor, por edhe Institucioneve Shkencore, në veçanti Universitetit Bujqësor, por edhe Akademisë dhe universiteteve të tjerë që të shohin me përparësi Pylltarinë.
Rëndësia e pyjeve
Nga gjendja sot në Pyje duket qartë se shoqëria jonë sot është pak e ndërgjegjshme për rëndësinë jetike të pyjeve, mjaft të ndërlikuar dhe të ndërsjellë. Në vijim janë përmbledhtas ato porosi standarde që ne u mësojmë në vite studentëve të biologjisë për pyjet: luajnë rolin e mushkërive, duke larguar nga mjedisi dioksidin e karbonit dhe duke çliruar oksigjen; nëpërmjet zinxhirit ushqimor sigurojnë lëndët organike dhe minerale, si azotin dhe fosforin për gjithë botën e gjallë përreth; ndihmojnë për mbajtjen dhe përthithjen e lagështisë së tokës për pasurimin e atmosferës me avuj uji nëpërmjet transprimit; ndihmojnë në zbutjen e klimës; sigurojnë lëndë ndërtimi dhe lëndë të tjera të para për njeriun; me sistemin rrënjor të bimëve pyjet përmirësojnë dhe pasurojnë dheun e tokës, parandalojnë humbjen e tokës dhe erozionin; pyjet zbutin forcën e reshjeve të vrullshme, mbajnë ujin në tokë dhe e përthithin atë, pasurojnë ujërat nëntokësore, dhe pengojnë nga përmbytjet; shpesh pyjet mbrojnë edhe nga era; pyjet strehojnë, ushqejnë dhe ndihmojnë në shumimin e shumë organizmave të gjalla.
Edhe një herë mbi gjendjen e pyjeve
Nga vlerësimi i bërë nga ekspertët e pyjeve, sipërfaqja pyjore reale në fillimin e periudhës së tranzicionit ishte 35 për qind (1995) e gjithë sipërfaqes kadastrale pyjore (48.7 për qind e gjithë territorit shqiptar). Kurse sot ekspertët pohojnë se sipërfaqja pyjore mund të jetë zvogëluar deri në 10-11për qind të sipërfaqes pyjore të mundshme në vend; pjesa tjetër është kthyer në pyje të ulët, të rrëgjuar, shkurre ose tokë djerrë. Kjo bën që Shqipëria të klasifikohet si vend me erozion të lartë të tokës, 21.4-34.7 tonë/ha/vit. Ujërat janë pasqyrimi i saktë i gjendjes së përgjithshme të gjithë pellgut ujëmbledhës. Qysh 1600 vjet para erës sonë, Perandori kinez Yu kujtohet ende sot për aftësitë e tij për të mësuar popullin për teknikat e kontrollit të përmbytjeve; ai thoshte se që të mbroni lumenjtë tuaj duhet të mbroni më parë malet tuaja!. Nga Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (2013), përmbajtja e lëndëve të ngurta, pezull, në ujëra shkon për Ishmin deri në 226 mg/L, për Erzenin deri në 112 mg/L, për Shkumbinin deri në 74 mg/L, për Semanin 222, për Vjosën deri në 117.
Kjo është deri 3-9 herë më e lartë me vlerën kufi prej 25 mg/L të standardit të BE-së. Kjo tregon qartë se fuqia gërryese e shpatit në mbarë vendin është shumë e lartë që shoqërohet me humbje të madhe të tokës, të biodiversitetit bimor dhe shtazor, por dhe me pasoja në përmbytje, shkarje dherash, varfërim ujërash nëntokësore, ashpërsim klime, deri dhe ulje vlerash turistike të vendit. Kjo ka ndodhur nga shtrirja e skajshme e bujqësisë në dhjetëvjeçarët e fundshekullit të kaluar, me bonifikime, me shpyllëzime dhe tarracime për toka bujqësore, deri edhe në shpatet më të brishta kodrinore, shpesh dhe malore. Por zvogëlimi i sipërfaqes pyjore dhe shkurrore, dhe rrëgjimi i përgjithshëm i mbulesës bimore në dy dhjetëvjeçarët e fundit është nxitur më tej nga prerjet e tepruara pa kriter për lëndë ndërtimi dhe lëndë djegëse jashtë aftësisë ripërtëritëse të pyjeve, nga mungesa e programeve pyllëzues, nga urbanizimi, më shumë e theksuar kjo në zonën kodrinore dhe atë bregdetare. Dëmtimi është nxitur më tej edhe nga kullotja dhe zjarret e shpeshta në stinën e verës, nga ndotja apo sëmundjet. Kjo gjendje ka kërcënuar jo vetëm florën, por edhe faunën që formacionet pyjore apo shkurrore strehojnë, si shpendë, gjitarë etj. E thënë shkurt kjo ka ndodhur nga mendësi të cunguara, nga harresa dhe mos mbështetja e sektorit të Pylltarisë nga shoqëria e sotme në vend.
Shkurt mbi pylltarinë
Si përkufizim Pylltaria është arti dhe shkenca e menaxhimit të pyjeve, plantacioneve drunore dhe pasurive të tjera natyrore të ngjashme. Si e tillë, pylltaria merret me kontrollin e gjendjes, rritjes, përbërjes, shëndetit dhe cilësisë së pyjeve, në mënyrë që ata të përmbushin kërkesat e ndryshme dhe vlerat e kërkuara nga shumë përdorues të tokës, të shoqërisë dhe kërkesat kulturore në çdo skaj të steresë. Ekosistemet pyjore shihen sot si ndër përbërësit më të rëndësishëm të biosferës, dhe Pylltaria shihet sot si fushë shkencore jetike, por njëkohësisht edhe si art praktik dhe si fushë teknologjike plot gjallëri në botë. Pylltaria moderne sot përgjithësisht merret me: kujdesin në pyje për të siguruar drurin si lëndë e parë për nënproduktet e drurit; kujdesin në ruajtjen e habitateve natyrorë; kujdesin në menaxhimin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore; kujdesin për mjedise çlodhëse; kujdesin për mbrojtjen e peizazhit dhe komunitetit; kujdesin për vende pune; për zbukurim peizazhesh; për menaxhim biodiversiteti; për menaxhim të pellgjeve ujëmbledhës; për kontrollin e erozionit; dhe si zbutës të kontrollit të dyoksidit të karbonit dhe të ngrohjes globale. Fakti se në dhjetëvjeçarët e tranzicionit sipërfaqja pyjore në vend është zvogëluar 3-4 herë dhe 2 Moratoriumet e shpallura do të thonë se Pylltaria mbetet sfidë për Shqipërinë, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit.
Çdo hapësirë e zhveshur në shpatet tona kodrinore-malore është një plagë e hapur që rënkon për ndihmë nga pylltaria! Çdo lumë apo përrua që “ha” brigjet e tij apo përmbyt kërkon ndihmë! Të mos shkojmë larg, mjafton nga Tirana të shohim shpatet perëndimore të malit të Priskës dhe gjysmës së Dajtit, të “qethura” deri në rrëzë që nuk hezitojnë të përmbytin kryeqytetin herë pas here; pa folur për pellgun e Bovillës, ku kryeqyteti merr ujin e pijshëm; dhe për ironi të gjitha këto hapësira vajtuese janë pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar të Dajtit. Me keqardhje e ritheksoj se Pylltaria shqiptare ndër vite është prirë nga mendësia vetëm e shfrytëzimit të pyjeve dhe nënprodukteve të tyre. Deri sot Pylltaria ka qenë në hije, jo në mbështetje të kërkesave të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë pyjore, pa gjykuar se edhe në pyje para se të vjelësh duhet të mbjellësh! Për këtë nevojiten të ngrihen, ripërtërihen dhe mbështeten fuqishëm fidanishtet në vend. Fidanishte për shtimin e llojeve tona drunore dhe shkurrore. Shqipëria nuk mund të vazhdojë pyllëzimin e vendit me fidane importi, dhe në shumë raste me bime ekzotike. Nuk duhen harruar përpjekjet edhe për sëmundjet që shpesh në pyjet tona shfaqen rëndë.
Edhe në Pylltari ka shumë vend për kërkim shkencor për të përballuar këtë sfidë, dhe nuk mundet të mbeten jashtë edhe teknika të bio teknologjisë bimore për mikro shumimin dhe prodhimin e fidanëve të shëndetshëm të drurëve vendas. Pylltaria është biznes fitimprurës edhe për Shqipërinë, ashtu si dhe frutikultura apo bimët zbukuruese, për të cilat deri tani ka më shumë përvojë në vend. Pylltaria nevojitet sot më shume se kurrë: për dru zjarri dhe qymyr, për material ndërtimi apo mobilieri. Por më shumë ajo nevojitet për pyllëzime të shpatit në luftën ndaj erozionit, mbrojtjen e tokës, zbutjen e klimës, kundër përmbytjeve, shëndoshjen e faunës apo të florës, si dhe në fund edhe për peizazhin dhe turizmin. Nga sa më sipër, do të kërkoja që Pylltaria të vendoset ndër përparësitë e zhvillimit ku duhet synuar në të ardhmen në Shqipëri, qoftë në aspektin praktik dhe në atë kërkimor, në mbështetje kjo të dy Moratoriumeve të Pyjeve dhe të Gjuetisë që me të drejtë janë miratuar nga qeveria shqiptare. Për këtë, nevojiten të nxiten dhe të mbështeten seriozisht programe reale gjelbërimi, qoftë nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit, por edhe nga pushteti vendor dhe gjithë organizmat përgjegjëse dhe mbështetëse të vendit dhe të huaja, duke filluar nga fidanishtet, nga kërkimi dhe prodhimi i fidanëve të llojeve tona vendase, e deri tek nxitja e vullnetarizmit rinor për ripërtëritjen e hapësirës së blertë të vendit.
"Shekulli"
Comments
U kenaqa duke lexuar aq bukur
U kenaqa duke lexuar aq bukur e keni pershkruar funksionet e pyjeve! Urime per shkrimin
Add new comment