Shenjtorët rusë ndalen në Muzeun Kombëtar

Postuar në 14 Dhjetor, 2015 15:45

Një koleksion për pasion’ është ekspozita e çelur në Muzeun Kombëtar e që i sjell për të parën herë publikut shqiptar ikona ruse të tre shekujve, pas rënies së Bizantit. Janë 136 ikona prej shekullit XVI deri në shekullin XIX, që u përkasin shkollave më të rëndësishme ruse të ikonografisë. 

Janë 136 ikona shenjtorësh që iu japin mjediseve të Muzeut Kombëtar një atmosferë të përshpirtshme e duket se e rrëmbejnë publikun për ta shpënë thellë në të shkuarën, kur arti i ikonave bizantine ishte në shkëlqimin e tij. Ato që i ofrohen publikut janë vepra arti me karakter fetar, të epokës fill pas rënies së Bizantit, por që e reflektojnë me besnikëri artin bizantin.

Është e para herë që dashamirësit e artit në kryeqytetin shqiptar kanë rastin të shijojnë një ekspozitë kaq të pasur me ikona shenjtësh rusë, të titulluar “Një koleksion për pasion”, i çelur më 11 dhjetor e që do të qëndrojë i hapur për të interesuarit deri më 20 të këtij muaji.

Kuratorja e Pavijonit të Ikonave në Muzeun Historik Kombëtar, Dorina Arapi e ka quajtur krejt të veçantë këtë ekspozitë krejt e veçantë, pasi për herë të parë, publikut shqiptar i prezantohen ikona ruse pas rënies së Bizantit.

Koleksioni, pjesë e Galerisë “BluArt” është i pasur jo vetëm nga ana sasiore, por edhe kohore, pasi shtrihet në harkun e tre shekujve, prej shekullit XVI e deri në shekullin XIX të ikonografisë ruse. Edhe shkollat e ikonografisë përfaqësohen në këto ekspozitë prej atyre më të rëndësishmeve si Jaroslavl, M’stera, ajo e Moskës, Shën Pjetërburgut, Cholui, Vetka, Vladimir, Palek etj.

Revolucioni rus i vitit 1917 solli thyerjen dhe shkatërrimin e artit ikonografik- epokën e ikonoklasmit. Një shkatërrimi të tillë nuk i shpëtoi as arti ikonografik shqiptar gjatë periudhës së komunizmit.

Ishin koleksionistët europianë ata që hodhën sytë drejt këtij arti, duke bërë të tyret një pjesë të mirë të ikonave, të trashëguara dhe të ruajtura deri në ditët sotme, gjë që solli edhe rivlerësimin e tyre në tregun e artit.

Një prej tyre, sipas administratores së galerisë “BluArt”, Migena Hajdari, është edhe koleksionisti i njohur Davide Orlen, i cili ka mbledhur me pasion 5000 ikona ruse.

Në këtë migrim të gjatë, ikonat e shenjtëve rusë janë stacionuar për disa ditë në Shqipëri, si një mundësi jo vetëm njohjeje për artdashësit, por pse jo edhe pasurim të koleksioneve të tyre me vepra që mbartin vlerë të madhe historike.

Si një pjesë e dallueshme dhe emblematikë e kulturës ruse, ikonat i kanë rrënjët e tyre në vitin 988, kur rusët, atëherë paganë, u konvertuan në krishterim. Për më shumë se njëmijë vjet, Krishterimi ortodoks informoi dhe formësoi themelet shpirtërore dhe kulturore të shoqërisë ruse. Edhe pikturimi i ikonave, madje edhe adhurimi i tyre e kanë zanafillën në traditën ortodokse greke dhe u importuan në Rusi.

Besimi ortodoks pretendonte se ikonat ishin frymëzuar drejtpërdrejt nga Zoti, dhe në disa raste thuhej se pikturat ishin sjellë nga vetë shenjtorët. Me kohën, kishat ortodokse greke e ruse u ndanë për t’u bërë entitete të ndryshme dhe të dallueshme, kështu ndodhi edhe me stilin e tyre të portretizimit të ngjarjeve shpirtërore. Ata zhvilluan edhe mënyrat e veta të dallueshme të shprehjes në pikturimin e ikonave.

Pikërisht këtë stil të dallueshëm rus sjell edhe kjo ekspozitë e çelur në këtë mes dhjetori, në prag të festës më të madhe fetare të botës së krishterë, Krishtlindjes.

Kjo ekspozitë u mundësua me bashkëpunimin e Ministrisë italiane të Kulturës dhe asaj shqiptare dhe Muzeut Historik Kombëtar.

"Mapo" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.