Cili është roli i Tiranës zyrtare në ngjarjet e Kumanovës?

Postuar në 13 Dhjetor, 2015 16:56

Tirana zyratre kërkoi hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës që rikthyen klimën e luftës në Maqedoni, por kjo kërkesë tashmë është lënë në harresë. Tirana zyrtare kërkoi madje edhe një Marrëveshje të re, pasi vlerësoi se Kumanova provonte dështimin e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe ky propozim është lënë pas. Tirana zyrtare aludoi për presion ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe edhe kjo kartë u la sërish në harresë. Siç shihet Shqipëria zyrtare ishte aktori më kërkues nga incidentet e Kumanovës, duke pretenduar t’i kapitalizonte ato në kushtet kur qeveria e Nikolla Gruevskit ndodhej nën presionin e opozitës së Zaevit, i cili publikonte përgjime sekrete. Se çfarë ndodhi jemi dëshmitarë të gjithë: Gruevski vijon në detyrë. Ndërkohë sot, në një intervistë për “Top-Channel”, raporteri i Parlamentit Europian për Maqedoninë, slloveni Ivo Vajgl  lë të kuptohet se ndoshta një përgjegjësi e Tiranës zyrtare dhe e Prishtinës nuk mund të përjashtohet nga ngjarjet e rënda dhe deri më tani pa kuptim të Kumanovës. “Është ende mister, ajo çfarë ndodhi në Kumanovë. Për të qenë i sinqertë nuk jam shumë i kënaqur me pozitën zyrtare të Kosovës dhe pyes gjithashtu veten se, cili qe arsyetimi zyrtar i Tiranës mbi ngjarjet atje. Unë mendoj se është ekstremisht e rëndësishme, që gjithësecili të luajë rolin e vet dhe se duhen respektuar të gjitha minoritetet shqiptare në vendet fqinje, të cilët duhet të mbajnë lidhjet e tyre me shtetin shqiptar, për traditat, kulturën e me radhë. Por, mendoj se çdolloj nisme me aromë irredentiste duhet dalluar, e parandaluar që në fillim. Për mua, ngjarjet në Kumanovë duhet të hetohen në mënyrë të plotë, për të parë se kush ishin ata njerëz atje, kush i organizoi dhe cilat janë arsyet, përse u bënë ato zhvillime të tmerrshme”, thotë Vajgl, duke njohur me këtë rast rolin e minoriteteve shqiptare për stabilitetin në Ballkan. Edhe pse shqiptarët në Maqedoni janë diçka më shumë sesa minoritet. 

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315221&fundit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.