Betejë për të mbrojtur debitorët e bankave, 320 mijë grekë rrezikojnë të humbasin shtëpitë
Qeverisë greke i është dhënë afat deri në fillim të javës së ardhshme për të konkluduar në një marrëveshje me kreditorët. Zëdhënësi i Komisionit Europian, deklaroi se ministrat e financave të eurozonës ka udhëzuar grupin e ekspertëve, Euro Working Group, që të mblidhet jo më vonë se fillimi i javës së ardhshme, me qëllim që të merren vendimet e domosdoshme. “Shpresojmë që masat të finalizohen brenda ditëve të ardhshme”, deklaroi në Bruksel zëdhënësi Margaritis Schinas.
Pika e ngëçit në negociatat midis Athinës dhe kreditorëve mbetet ajo e kredive të këqija për strehim. Qeveria greke ka bërë një propozim të ri, për të mbrojtur 56 përqind të debitorëve. Kjo është një tërheqje e rëndësishme, po të marrim parasysh se deri më tani Athina insistonte që 99% e debitorëve duhet të mbrohen nga rreziku i sekuestrimit të banesave të blera me kredi dhe shitjes në ankand të tyre. Janë 320.000 qytetarë që rrezikojnë të humbasin shtëpitë e blera me kredi.
Pika të tjera fërkimi mbeten ajo e pagesës me 100 këste të detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore, si dhe masat ekuivalente për të evituar vendosjen e tvsh-së 23% në arsimin privat.
Ndërsa negociatat po vazhdojnë, ministri grek i ekonomisë, Jorgos Stathakis deklaroi se ai besonte që deri të shtunën, më 14 nëntor “do të jenë kyçur gjithë çështjet e mbetura pezull, kështu që të jepet një sinjal pozitiv”.
Ministri i ekonomisë dhe ai i financave do të takohen sërish të premten dhe të shtunën, në një përpjekje që të sheshohen sa më shumë që të jetë e mundur diferencat.
Nëse marrëveshja përfundimisht arrihet, atëherë Greqia do të marrë një këst kredie me vlerë 2 miliardë euro, si dhe 10 miliardë eurot që janë planifikuar të përdoren në procesin e rikapitalizimit të bankave.
Add new comment