A ka një shtrat për Moikomin?
U kërkoj ndjesë lexuesve, të cilëve do t’iu jap një lajm të keq: Shkrimtari, studiuesi dhe personaliteti i njohur i letrave shqipe, ish-ministri i Kulturës dhe ish-deputeti Moikom Zeqo, është i sëmurë rëndë. Para një muaji është diagnostikuar në Angli me leuçemi. Më saktë: Me leuçemi kronike. Të njëjtat konkluzione arritën dhe mjekët shqiptarë të Tiranës. Nuk e vë aspak në dyshim dhimbjen, mirëkuptimin dhe keqardhjen që ndjen në këtë rast kushdo që i lexon këto rreshta. Unë ndaj përditë dhimbjen me të si mik e shok të vjetër që e kam, pavarësisht optimizmit të natyrshëm të Moikomit. Por që u ula të bëj këtë shkrim, (quajeni po deshët edhe një njoftim), ka një arsye të rëndësishme. Kam biseduar gjatë këtyre ditëve me Dr. Sabit Brokajn, me Dr. Mustafa Xhanin, me Prof. Pëllumb Xhufin e të tjerë. Janë tejet të shqetësuar.
Mirëpo, aktualisht, Moikomi, më shumë se për miqësi dhe ngrohtësi shoqërore (që në fakt nuk i mungon) ka nevojë për trajtim urgjent dhe nuk duhet të vonohet aspak për t’i dalë së keqes përpara.
Në këtë rast, u shfaq një problem i madh (dhe aspak i ri) i institucioneve tona mjekësore. Moikom Zeqo ka nevojë për një shtrat në spitalin tonë onkologjik që të marrë trajtimin e duhur mjekësor, kimioterapinë dhe ndërhyrjen urgjente që i duhet bërë. Pastaj, pse jo, të mendohet edhe për dërgimin në ndonjë klinikë të specializuar jashtë vendit. Kjo është më e pakta që mund dhe duhet të bëhet. Por Moikomi shkoi me çanta në duar, në dyert e onkologjikut, dhe pasi ndenji gjithë ditën, i thanë të kthehet në shtëpi e të presë se do ta lajmërojnë kur të hapet një vend.
Le të sqarojmë se ky publikim nuk synon “hatëre” speciale për atë, por një trajtim normal e dinjitoz, çka e meriton çdo qytetar i vendit. Për hir të së vërtetës, Moikom Zeqo nuk donte që kjo histori të bëhej publike. Por apeli ynë realisht i drejtohet jo vetëm shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe biznesit dhe individëve që kanë mundësi të ndihmojnë. Kjo qeveri i ka të tëra mundësitë jo vetëm ta kurojë Moikomin këtu, por edhe të sponsorizojë kurimin e tij në klinika të specializuara jashtë shtetit. Nuk është rasti i parë ky.
Përndryshe, ne që e njohim dhe që e respektojmë këtë personalitet të shquar do të na ngelej të thoshnim: Le të lutemi për Moikomin!
Por, a mjafton kjo? Sidoqoftë, thonë se ndodhin dhe mrekullira. Le të besojmë te mrekullia. Dhe të shpresojmë tek mirëkuptimi i Moikom Zeqos: Na fal, Moikom, për këtë tradhti që të bëmë! Të tradhtuam, sepse të duam!
"Dita"
Comments
Kujt i hyjne ne pune librat
E mbaj mend Moikom Zeqon...
duke ber sa mundte per Frederik rreshpjen, pastaj per dike tjeter, dhe me se mbrami, per Skender Drinin, ndjese pacin, te gjithe...
Frederiku ashtu e kishte zgjedhur udhen e vete,
Skender Drini u sakrifikua, mes tjerash, edhe per bukurine e Familjes si shenje e Fatit,
Gjithe krijuesit, aq me shume ne Shqiperi, ne nje truall me gjuhe te vogel, sado e pasur qe ajo eshte, nuk e kane pasur te lehte...
Kur, eshte e sigurt, ata e kane paguar dhe vazhdojne ta paguajne deri ne fund taksen qytetare ndaj Shtetit, qe tere jeten besuan se e donin me te mire dhe dikur do behej i tille...
Nese nuk e beri te veten Idene e Tyre, ky shtet le te bej sadopak kujdes per Trupin e tyre te lodhur perballe jetes nen performancen e zyrave.
Le te shpresojme!
Add new comment