Paratë e popullit dhe financa e transparenca.al
Mjeti i ri i propagandës së qeverisë, portali transparenca.al, ka publikuar dje një reagim në lidhje me aferën e makinave luksoze të marra me leasing. Aty janë përpjekur të na bindin që kanë ndjekur plotësisht interesin e popullit, e parave tona dhe se kanë vendosur për leasing në vend të blerjes, pikërisht pas një analize financiare të situatës së parkut të makinave të qeverisë.
Së pari, të bie në sy që portali i transparencës nuk është aspak transparent. Kjo sepse ka vetëm fjalë dhe asnjë kopje të ndonjë vendimi të marrë në kohë përpara ku të justifikohej zgjedhja e leasing-ut. Duke vërejtur që VKM mbi të cilin kanë bazuar prokurimin publik është i marsit 2015, është e habitshme që në 7 muajt që pasuan nuk gjetën kohë të bënin një analizë të hajrit.
Së dyti, analiza niset nga kostoja e supozuar e mirëmbajtjes së 22 autoveturave të Këshillit të Ministrave. Dhe çdo hesap që pason përpiqet të na bindë mbi zgjedhjen e leasing-ut pikërisht, sepse është kursyer në krahasim me këtë kosto. Kostoja e supozuar e mirëmbajtjes është 636.392 Euro në vit. Ose 28926 euro në vit për një makinë!!! Kjo është një shifër e çmendur për mirëmbajtjen e një makine dhe këtu qëndron i tërë problemi i analizës financiare së paraqitur nga portali i transparencës. Si e kanë llogaritur këtë kosto? Përderisa kjo kosto nuk përkon me asnjë kosto mirëmbajtjeje të asnjë makine të asnjë shqiptari, transparenca e vërtetë do të ishte të na tregonin letrat dhe llogaritë që kanë nxjerrë këtë kosto!
Së treti, një detaj tjetër bie në sy në justifikimet e transparencës. Çdo kosto jepet për periudhën kohore një vjeçare, ose për një periudhë 4-vjeçare! Përse 4-vjeçare? Sepse asnjë koncesionar makinash nuk është i çmendur të ofrojë makina me leasing, me formulë zëvendësimi në rast indisponibiliteti të një mjeti, për një periudhë 1-vjeçare. Duke qenë makina luksoze të cilat tregu privat nuk i kërkon, asnjë koncesionar s'mund të marrë riskun e blerjes së 22 makinave dhe të ketë një kontratë vetëm 1-vjeçare. Ndërsa me opsionin 4-vjeçar risku eliminohet dhe për privatin në fjalë hesapi financiar është shumë i thjeshtë. Me pak fjalë bëhet fjalë për tender për blerje makinash! Thjesht në fund të 4-vjeçarit makinat i ngelen prapë privatit. Të ngelet një shije e hidhur, sikur nuk kanë pasur kurajo të shpallnin tender për blerje nga frika e skandalit të radhës dhe kanë shpikur formulën e leasing-ut. Me një përfitim akoma më të madh të privatit! E tëra nën ligjin e omertasë së justifikuar nga fakti që informacioni është i klasifikuar. Aty të klasifikuar ka vetëm hesapin e pazarit...
Së katërti, në analizën në fjalë nuk përmendet asgjë në lidhje me stafin aktual të Gardës së Republikës që merret me rregullimin e automjeteve. Do të pushohen nga puna këta? Po asetet aktuale që Garda e Republikes disponon (magazina, mjete etj) cdo të bëhen? Duke pasur parasysh që kosto e mirëmbajtjes nuk është vetëm pjesë këmbimi, a jemi të sigurtë që s'do të kemi më asnjë kosto mirëmbajtjeje si pasojë e strukturave ekzistuese?
Së pesti, mbi cilin model automjeti janë llogaritur kostot e leasing-ut të transparencës? I llogaritën përpara shpalljes së prokurimit? Se janë dhe shifra të sakta kështu që na ngacmon kuriozitetin...
Së gjashti, a u përpoqën analistët e transparencës, të ulnin kostot e mirëmbajtjes? Nuk është aftësi e veçantë të kërkosh makinë me leasing, edhe Saliu dinte ta bënte. A do bëjmë shtet apo jo?
Së fundmi, këto automjete mbartin përgjegjësi të veçantë për personat që do të shoqërohen me to. Çfarë roli do të ketë koncesionari në këtë procedurë? A shkelen këtu elementë të sigurisë së anëtarëve të Këshillit të Ministrave?
Add new comment