Parashikimi NATO-s për Assadin: largohet pas gjashtë muajsh
NATO po analizon një dalje strategjike për rreth 6 muaj të presidentit sirian Bashar al Assad në përpjekjet e saj për t’i dhënë një zgjidhje krizës në Siri, shprehet media turke që citon burime nga qeveria e Ankarasë që, sipas të njëjtave burime, ka dhënë miratimin e saj për këtë zgjidhje. Në bazë të këtij plani hipotetik, gjatë një periudhe tranzitore prej 6 muajsh roli i Assadit do të jetë thjesht simbolik, duke filluar një kalim gradual të pushtetit. “Punimet për një plan për largimin e Assadit janë duke u zhvilluar. Mund të qëndrojë 6 muaj dhe ne e pranojmë këtë sepse do të ketë një garanci për largimin e tij. Kemi përparuar mbi këtë temë deri në një farë pike me SHBA-në dhe aleatët e tjerë”, sipas burimeve turke, të cilat shprehen se ky plan do t’i paraqitet Rusisë nga SHBA-ja. “Nuk ka ende një marrëveshje se kur mund të fillojë kjo periudhë prej gjashtë muajsh, por mendojmë se do të jetë tani afër”, theksojnë këto burime. Sipas të përditshmes proqeveritare “Yeni Safak”, “për rolin e mundshëm të Assadit për një periudhë tranzicioni kanë biseduar edhe presidenti rus, Vladimir Putin, me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës së këtij të fundit në Moskë muajin e kaluar”. Të njëjtat burime turke theksojnë se “Rusia është duke kërkuar një azil të sigurt për të dhe familjen e tij, por nuk është e gatshme t’i presë në territorin e saj për të evituar konflikte diplomatike me vendet perëndimore”.
Add new comment