Hahn largohet i dëshpëruar, dështojnë bisedimet mes partive politike
Pas 12 orë bisedimesh përfundoi pa marrëveshje për çështjet e hapura nga marrëveshja e Përzhinos, takimi i liderëve politikë me ndërmjetësimin e eurokomisionerit Johannes Hahn, raporton Agjensia e lajmeve INA. “Përfundimisht, kjo nuk ishte ditë e mirë. Nuk arritëm marrëveshje, por mbetem optimist. Shpresoj se liderët e kuptuan seriozitetin e situatës. Ajo që nevojitet është lidership, përgjegjësi dhe të pasurit kujdes për interesat e vendit dhe ardhmërinë e saj”, deklaroi Hahn sot rreth orës 03:00 në mëngjes, pas pothuajse 12 orëve bisedime me liderët e katër partive politike në Rezidencën e BE-së. Hahn shprehu dëshpërim që nuk është arritur marrëveshje rreth ristrukturimit të qeverisë, sipas marrëveshjeve të qershorit dhe korrikut. “Shpresoj se gjatë ditës së sotme do të arrihet marrëveshje. Kjo është absolutisht e domosdoshme që t’i përmbahemi marrëveshjeve të qershorit dhe korrikut, që u përshëndetën nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk mund të parashikoj se çka do të thoshte kjo për aspiratat evropiane. Por, ajo që nevojitet është lidership, përgjegjësi dhe të pasurit kujdes për interesat e vendit dhe ardhmërinë e saj. Gjithçka është e mundur. Njerëzit e mi mbeten këtu, por ata nuk mundem ta përfundojnë punën e politikanëve”, tha Han para se të nisej për në Bruksel.
Por ajo që ka bërë të dështojnë negociatat ka qenë se BDI dhe VMRO-DPMNE për 8 orë nga 12 orët e negociatave , ka insistur që të miratohet ligji për mospublikimin e materialeve të përgjimeve, gjë që është kundërshtuar nga ana e opozitës, e cila ka kërkuar që të miratohet pjesa tjetër e marrëveshjes, që ndikon në procesin evrointegrues të vendit.
Ina sqaron se liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së janë larguar disa orë përpara përfundimit të këtij raundi të dështuar të negociatave dhe se ata i janë shmangur mediave. Sot siç mësohet grupet punuese do të vazhdojnë bisedimet për të gjetur një zgjidhje rreth pikave të hapura, siç janë emërimi i ministrave nga radhët e opozitës maqedonase, votimi i ekipit të prokurores speciale nga ana e Këshillit të Prokurorëve, korniza ligjore për rregullimin e mediave dhe ndalimin e fushatave qeveritare si dhe çështje të tjera, para se vendi të shkojë në zgjedhjet e caktuara më 24 prill 2016.
Add new comment