Ban Ki Moon viziton refugjatët në Itali: Situata, krizë e solidaritetit global
Ban Ki Moon, gjatë një vizite në vendstrehimin “Saint Egidio Community” në Romë tha se situata e emigrantëve dhe refugjatëve është një “krizë e solidariotetit global”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, u takua me refugjatë dhe fëmijët e tyre. Ai i përshkroi historitë e refugjatëve si pikëlluese dhe shtoi se donte t’u ofronte atyre “ndjenjën e shpresës.” Shefi i OKB-së, po ashtu pranoi sfidat me të cilat përballen vendet e BE-së, por i bëri thirrje atyre të tregojnë “një udhëheqje të dhembsur” në strehimin e refugjatëve që përpiqen t’u shpëtojnë luftrave, diskriminimit dhe urisë në vendet e tyre të origjinës. Përmes një deklarate të shtunën, grupi humanitar “Amnesty International” i bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që t’i venë të drejtat e refugjatëve mbi shqetësimet e tyre për mbrojtjen e kufijve. Duke kritikuar planin e BE-së për t’i ofruar Turqisë ndihmë për kontrollin e lëvizjeve masive të azilkërkuesve në Europë, “Amnesty International” tha se “njerëzit janë duke vdekur, ndërkohë që qeveritë shpenzojnë miliarda dollarë për kontrollin e kufijve.”
Add new comment