Guvernatori Sejko: Nisma anti-informalitet, po analizojmë efektet
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një intervistë për “Oran News” ka analizuar situatën ekonomike në vend, por edhe ndikimin e aksionit anti-informalitet në vend. Guvernatorit tha se janë duke u analizuar efektet e aksionit, megjithatë sipas tij nisma anti informalitet do të rrisë çmimet. Por Sejko argumentoi se me rritjen e çmimit do të binte konsumi, çka do të ndikojë negativisht në ekonomi nëse aksioni do të jetë afatkshkurtër. Sejko tha se nisma antiinformalitet në hapat e parë ndoshta do të ketë një ndikim negativ në ekonomi për arsye se ekonomia shqiptare ka pasur një nivel shumë të lartë të informalitetit. Po sipas Guvernatorit në rast se nisma anti-informalitet do të jetë afatgjatë, pa diskutim që efektet në ekonomi do të jenë pozitive dhe do të shfaqen që nga fillimi i vitit tjetër.
“Ekonomia shqiptare gjatë 6-mujorit të parë ka pasur një rritje rreth 2.8%. Kjo është vlerësuar si një rritje pozitive edhe në deklaratat që ne kemi dhënë pas mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndërkohë, presim që edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015 të kemi një rritje të po këtij niveli. Gjatë periudhës së verës, Banka e Shqipërisë ka rishikuar parashikimet e rritjes ekonomike. Të njëjtin veprim ka ndërmarrë edhe FMN-ja, duke rishikuar parashikimin e saj për rritjen ekonomike të vitit 2015 nga 3% në 2.7%. Kjo për arsye të faktorëve negativë që ndikojnë nga kriza në Greqi, me pasoja të mundshme në aktivitetin e eksport-importeve, remitancave dhe në sistemin bankar. Ndërkohë, ka pritshmëri pozitive për rritjen e konsumit dhe të investimeve të huaja gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2015. Nëse i referohemi 6-mujorit të parë të vitit, kemi pasur një rritje prej 36% të investimeve të huaja në ekonomi dhe të njëjtat pritshmëri kemi edhe për pjesën e dytë të tij. Ka një stabilitet ekonomik, ka një gjendje pozitive për rritjen ekonomike. Sigurisht, këto nuk janë ritmet e pritura të rritjes dhe kjo ka qenë arsyeja për të cilën i kemi korrektuar për poshtë parashikimet tona, pasi ekonomia po operon nën potencial. Kur ekonomia është nën potencial, sigurisht që nuk është rritja e duhur, por ka një anë pozitive: ka potencial. Dhe kur ka potencial, ai duhet shfrytëzuar”, u shpreh mes të tjerave Guvernatori Sejko.
Add new comment