OSHEE-ja, zyrë partie, apo kompani shtetërore?
Nëse ka një ent shtetëror në Shqipëri, drejtuesit e të cilit i kanë mbushur mendjen vetes se mund të bëjnë çfarë të duan, ky është OSHEE. Sot ai erdhi sërish në vëmendje për një tender 5 milionë euro që i ka shkuar një miku të kryeministrit, si favor për ndërtimin e vilës në Surrel, të dhëna që u përcollën nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. Por cfarë thotë në reagimin e vet OSHEE: “Kompania i pranon kritikat dhe punon për të përmirësuar shërbimin, por nuk i pranon kritikat që vijnë nga shkatërruesit e kompanisë, që e lanë atë rrugëve”( http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=310121#tab).
E para njëherë, le të vihet re sesi akuzat për tender 5 milionë euro, kompania i trajton si kritika. Varet si i qasesh problemit, pasi shifrat relativizojnë vlerën kur qarkullimi është në nivele të mëdha. Të katandisësh një tender 5 milionë euro në nivel kritike, kjo po që është hop cilësor në raport me popullin dhe konsumatorin.
E dyta dhe më e çuditshmja – sipas një logjike normale – është se këtë argumentin: “Ju nuk keni gojë të flisni se bëtë kërdinë”, OSHEE-ja e ka bërë të vetin që pas realizimit me sukses të vetëshpallur të aksionit të energjisë. D.m.th një kompani që operon me bilance dhe objektiva, akuzohet konkretisht dhe në replikën publike çfarë bën? Përgjigjet si parti politike. E ka bërë këtë edhe kur i “doli zëri” për punë listash zgjedhore në Durrës. E bën këtë edhe kur zbulohen mbifaturime fiktive, e bën sërish edhe sot, kur akuzohet se tenderi i ka shkuar mikut të Edi Ramës që i bëri vilën në Surrel. Po çfarë gjuhe është vallë kjo, kur ndërkohë që akuza plotëson vargun e milionave të shpërdoruara merret me akuzuesin? OSHEE-ja nuk është Partia Socialiste, flasim formalisht, sepse në fakt ajo është. OSHEE-ja duhet të përgjigjet për akuzat konkrete, të zbardhë dokumentacionin dhe të sqarojë publikun.
Është e kuptueshme se rreshtime të tilla militante, shoqëruar me nxjerrjen e kompanisë me fitim – për të gjithë – të hap rrugën e karrierës. Nuk është as hera e parë dhe as e fundit. Por deri atëherë, drejtuesi i kësaj kompanie, emri i të cilit nuk ka kurrfarë rëndësie për ndonjë shqiptar që nuk është socialist, nuk mund të sillet dhe reagojë si të jetë Taulant Balla apo ndonjë zëdhënës partie. Sepse kështu i bie që deri sa shqiptarët të prodhojnë një opozitë tjetër, në OSHEE, drejtori me të vetët e me Gjiknurin, të livadhisin e të bëjnë çfarë të duan. Po çfarë logjike mund të jetë kjo xhanëm? Le të mbajmë parasysh se kjo është kompani shtetërore.
Nëse vijohet kështu, ka mbetur vetëm që edhe OSHEE-ja të fusë në deklarata për shtyp fjalën 'SHQUP', e do na bëjë të besojmë se dritat vijnë se kështu e do PS-ja. Apo mos vallë edhe këtë sjellje idiotike e ka sugjeruar FMN?/ResPublica
Add new comment