Tregtia: eksportet bien dukshëm, dalin në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare
Gjatë muajit Gusht, tregtia e jashtme ka pasur një ecuri të dobët duke regjistruar rënie, si në eksporte, ashtu edhe në importe. Efekti është dhënë i gjithi nga rënia e fortë e grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ndërsa sektorët e tjerë janë pothuajse të gjithë me rritje. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet gjatë muajit Gusht ranë me 17.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Eksportet arritën në 165.2 miliardë lekë për 8 mujorin e këtij viti, duke shënuar një rënie me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT. Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa tekstilet e këpucët e kanë marrë veten lehtë. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para, që për më tepër janë të pappërpunuara dhe me pak vlerë të shtuar, duke dhënë një kontribut minimal si në punësim ashtu dhe në të ardhurat në buxhet.
Add new comment