Shumë konsensus dhe pak shpresë për dekriminalizimin

Postuar në 20 Shtator, 2015 11:04
Afrim Krasniqi

Politika është dakord: duhet ndërhyrje ligjore dhe kushtetuese për të spastruar politikën dhe vendimmarrjen e niveleve të larta dhe të mesme nga personat e dënuar për krime apo të inkriminuar. Presioni ndërkombëtar dhe një sërë skandalesh publike nga deputetë të Kuvendit sollën ndryshimin radikal të axhendës politike, - dekriminalizimin. Kompromisi i Krishtlindjeve 2014 nuk dha sukses, Komisioni parlamentar nuk arriti të bëjë asgjë gjatë 6 muajve në të cilën ishte premtuar. Shtyrja e afatit dhe përfundimi i zgjedhjeve lokale rihapi temën dhe punën e komisionit, dhe kështu, brenda një jave kemi dy drafte konkrete, një nga opozita dhe një nga mazhoranca.



Në 90% të elementëve të ligjit të ri dy palët janë të unifikuara, dallimet janë minimale dhe lidhen kryesisht nga nevoja e palëve për të marrë meritën e vendimmarrjes parlamentare të dekriminalizimit. Mund të kemi vendim me imponim mazhorance në parlament, mund të kemi kompromis politik të minutës së fundit, mund të kemi votë të kushtëzuar nga presioni i jashtëm, por gjithsesi ligji do miratohet dhe shampanja është gati për tu hapur. Po më pas? Qytetarët me kujtesë duhet ta mbajnë ende mend vitin 2012 kur Kuvendi, në të njëjtin presion publik e diplomatik, miratoi me konsensus ndryshime kushtetuese për kufizimin e imunitetit parlamentar.



U tha se ky vendim ishte historik dhe garancia kryesore për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta. Ku jemi pas 3 vitesh? Asnjë, absolutisht asnjë deputet, ministër apo ish ministër, zyrtar i lartë drejtues në institucione kushtetuese apo gjykatës në nivele të larta, - nuk u vu përpara drejtësisë duke u bazuar tek ndryshimi kushtetues i vitit 2012. Ata pak individë që janë në proces apo që u bënë objekt gjykimi u bënë objekt për shkak të incidenteve personale apo fushatave të shantazhit, jo si produkt i një procesi institucional kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. Më 2009 Kuvendi, nën presion publik dhe të jashtëm, me konsensus miratoi ligjin antimafia, “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.



U tha se kushdo që ka financim nga burimet e krimit do përballet me drejtësinë dhe asetet financiare do sekuestrohen. Pas 6 vitesh nuk gjenden ende 6 individë që u ndëshkuan me këtë ligj, madje midis tyre nuk ka asnjë emër publik zyrtarësh apo drejtuesish të grupeve kriminale. Mafia është produkt i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe vendimmarrjes politike, por askush nga pjesa e dytë e aleancës nuk u prek, nuk u penalizua dhe madje as nuk u hetua. Kur kryeprokurori aktual ishte drejtues i ILKDP bëri lajm e fitoi simpati me akuzat e ndaj prokurorisë se po fle mbi dosjet e zyrtarëve të korruptuar të denoncuar prej tij.



Ai erdhi vetë në krye të prokurorisë, po mbush vite në atë funksion, dhe ende nuk ka vënë përpara drejtësisë asnjë zyrtar të lartë të akuzuar prej tij apo pasuesit të tij në ILKDP. Me këtë sjellje, gjithsesi, ai mbetet një figurë gati konsensuale midis palëve të kundërta politike, - një detaj që mund ta bëjë atë të lumtur, por jo qytetarët dhe të drejtën. Mjaftojnë këto tri shembuj për të risjellë në vëmendje të vërtetën e trishtuar: nuk janë ligjet (dobësitë, boshllëqet apo mungesa e tyre) burim i nivelit të lartë të korrupsionit, inkriminimit politik dhe as situatës dramatike të mosbesimit ku kanë arritur drejtësia dhe politika.



Faktorë kryesorë janë dhe mbeten vullneti politik, integriteti, serioziteti, përgjegjësia dhe aftësia për të jetuar ligjet në praktikë. Pa to nuk kanë vlerë as ligjet, as kushtetuta, as institucionet. Kjo devizë vlen të theksohet, sidomos tani, kur ne qytetarët, ende besojmë se politika (ku gjenden shumë deputetë e zyrtarë të inkriminuar dhe korruptuar) ka vendosur të ndryshojë, të bëhet e ndershme, të bëhet e moralshme, të bëhet e mirë dhe të votojë e zbatojë rregulla strikte ligjore që i përjashtojnë ata vetë nga jeta politike dhe vendimmarrëse. Ata mund ta bëjnë, ta votojnë, por vetëm me një kusht, - nëse binden se nuk do të penalizohen. Siç ka ndodhur deri më tani, siç pritet të ndodhë edhe tani.



Ndaj më shumë sesa për shampanjë dhe për retorika për “arritje historike” mbetet ta monitorojmë këtë proces, jo si po nis formalisht, por si do realizohet praktikisht. Paketat ligjore të propozuara janë pozitive, janë risi e marrë nga praktika të mira në Itali apo vende të tjera, kanë mbështetje të huaj dhe me siguri do prodhojnë një ligj të ri. Mund të ketë vend përputhshmëria e neneve të veçanta me parimet kushtetuese, me konventën evropiane mbi të drejtat e njeriut, me sigurinë tonë kombëtare apo me elementë subjektiv që lidhen me praktikat e “gjuetisë së shtrigave” brenda partive ose midis tyre, - por kjo nuk është më kryesore.



Sepse zgjidhja mund të imponohet me forcë në emër të stabilitetit, reformave, nevojave dhe konsensusit politik. Dy palët kryesore politike, PS e PD, kanë aq shumë pushtet e ndikim, sa mund ti mbyllin gojën çdo adrese kritike në media apo grup qytetarësh të pakënaqur. Problemi është tjetër: çfarë ligji, çfarë nenesh, çfarë praktike, çfarë organi, çfarë penaliteti dhe çfarë gjobe administrative mund të bindë shefat e partive politike të bëjnë gjënë më normale në një vend demokratik: të mos përfshijnë kriminelë në listat për deputetë, për qeverinë dhe për postet publike? Asnjë, absolutisht asnjë. Ata mund ta bënin më 2013, mund ta bënin më 2015 në zgjedhjet lokale, mund ta bënin çdo ditë të javës e muajit, mund ta bëjnë edhe tani, - por fakti që nuk e kanë bërë dhe nuk po e bëjnë, do të thotë, ata nuk kanë interes, bindje dhe as synim ta bëjnë.



Dhe kur ata dukshëm dhe me arrogancë refuzojnë përgjegjësitë dhe rolin e tyre kritik brenda partive që drejtojnë, cila strukturë e emëruar prej tyre direkt apo indirekt, do të mund ti bindë e detyrojë ata? Asnjë, absolutisht asnjë. Ligji mbi partitë politike dhe neni 9 i Kushtetutës detyrojnë partitë të jenë demokratike nga brenda, të bëjnë zgjedhje periodike sipas statutit të miratuar në gjykatë, të bëjnë transparencë publike dhe të ndajnë qartësisht shtetin nga pushteti politik. Cila parti, cili lider, cili politikan e ka bërë këtë gjë? Asnjë. Partitë nuk kanë më zgjedhje, demokracia e brendshme nuk ekziston, konkurrenca alternative është harruar, financimi partiak është 90% informal, shteti dhe pushteti njësohen në çdo qeveri të majtë e të djathtë, zgjedhjet e lira janë ende koncept i largët për Shqipërinë.



Janë ndëshkuar nga ky bilanc kritik antiligjor dhe antikushtetues? Jo dhe jo. Ne qytetarët jemi ndëshkuar madje vijojmë të ndëshkohemi edhe kur ua kujtojmë mëkate të tilla. Në këto rrethana, pritshmëria që të ketë ndryshim pozitiv radikal është po aq utopik sa pritshmëria që Shqipëria do hyjë në BE duke ngjyrosur pallatet dhe duke pozuar si Obama në FB apo twitter. Atëherë cila është zgjidhja? Ne nuk mund të bëjmë shpikje, mjafton të ndjekim modelet pozitive të vendeve të tjera. Të tilla ka plot. Për shembull, krijimi i një trupe speciale antikorrupsion dhe antimafia nën drejtimin e një grupi të huaj prokurorësh dhe gjykatësish, atashimi pranë strukturës tonë të hetimit të një misioni asistues me mandat nga BE apo SHBA, krijimi i një rrjeti civil e profesional informacioni me mbështetje e garanci ndërkombëtare për të publikuar gjithçka që politika e di dhe qytetarëve nuk u lejohet ta dinë në çështjet e krimit dhe korrupsionit, deri tek forma më klasike, - dhënia e afatit 30 ditor për të gjithë të zgjedhurit dhe emëruarit në këtë vend për të justifikuar me dokumente ligjorë burimet e tyre të financimit për pronat, pasuritë, shpenzimet, udhëtimet dhe jetën e luksit, nga Velipoja tek Gjiri i Lalzit, nga Vlora në Pogradec, nga Meksika deri në Qipro e Malajzi.



Të huajt i dinë, na i thonë në konfidencë, një pjesë e tyre njihet edhe nga publiku, por është koha të thuhen, me zë të lartë dhe me dokumente, me afate dhe me presion të gjithanshëm për barazi përpara ligjit me qytetarin që burgosim për shkak të pamundësisë për të paguar energjinë elektrike. A do mund të bëhet kjo? Po. Është bërë edhe në ndonjë vend fqinj dhe ka funksionuar. A do të bëhet? Unë nuk e besoj, por uroj të jem gabim. Nëse nuk bëhet, nëse vijojmë kështu siç jemi, atëherë çfarë mund të përfitojmë nga dështimi i radhës, nga humbja e shansit të radhës?



Po, kemi disa përfitime. Për shembull, gjithnjë e më shumë flitet me zë më të lartë për emra konkretë të korruptuar apo inkriminuar. Liderit politikë janë nën presion dhe do jenë në presion më të madh për tu ndarë nga miqtë, financuesit e bashkëpunëtorët e tyre me të kaluar direkte apo indirekte negative, vetë individë të inkriminuar do të kenë frikë dhe do të druhen të kandidojnë për tu bërë objekt i debatit publik në parlament, media e konferenca ndërkombëtare. Dhe në këtë perspektivë kritike, arritje të tilla të vogla por simbolike janë e mbeten shpresë, se të paktën kauza e mirë nuk dështon tërësisht dhe se edhe në ditë dramatike në fund të tunelit mund të shihen shenja shprese.

 

"Shekulli" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.