Rama e pranon: Jemi në krizë, drejtësia e korruptuar po mban peng ekonominë
Kryeministri Rama u ka shtuar një tjetër argument arsyeve që sipas tij po mbajnë peng ekonominë e vendit. Përveç modelit të ri ekonomik që sipas tij kërkon kohën e vet të japë efektet e dëshiruara dhe uljes së çmimit të naftës si pasojë e rritjes së prodhimit vendas, një tjetër arsye është drejtësia e korruptuar.
“Mungesa e kryetarëve të gjykatave në këtë tryrezë vihet re, nëse ka një shembull kuptimplotë për faktin se si një drejtësi e korruptuar mund të pengojë ekonominë dhe zhvillimin ekonomik këtë sjellje na e jep sjellja arbitrare e gjykatave dhe gjykatësve të korruptuar në raport me ekzekutimin e kolateraleve. Puna e bërë me uljen e niveleve të kredive të këqija ka një limit dhe këtë limit nuk mund ta kapërcejë as vullneti i bankave për të dhënë më shumë kredi dhe as politikat e qeverisë për të stimuluar kreditimin pasi përcaktohet nga korrupsioni në drejtësi"-deklaroi kryeministri në një takim me përfaqësues të bankave.
“Ne e kemi marrë me shumë shqetësim çështjen e kredive të këqija si shprehja më kuptimplotë e një ekonomie në krizë”,- tha ai më tej. Megjithatë kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka ambicie dhe potencial për rritje ekonomike më të lartë se 3%.
“2.8, 2.9, 3%, apo rreth këtyre shifrave, nuk është mjaft për ekonominë tonë, nuk është mjaft për ambiciet, por edhe për potencialin tonë. Kemi ambicie dhe potencial për më shumë, për ketë kushtet dhe mundësitë që ka vendi ynë.”- deklaroi Rama.
Add new comment