Crown Agents dështon me doganat në Shqipëri, drejt largimit

Postuar në 22 Gusht, 2015 18:32

Mund të thuhet me plot gojën se Crown Agents dështoi në Shqipëri. Ministria e Financave nuk do të rinovojë më kontratën me kompaninë, e cila asiston doganat shqiptare.  Qeveria në fakt në kontratën me Crown Agents i ka dhënë vetes të drejtë të ndërpresë marrëdhëniet pas vitit të parë në rast se nuk realizohen objektivat. Ndërkohë burime nga Ministria e Financave hedhin poshtë zërat se do të ketë rishikim të kësaj kontrate pasi kompania paguhet në bazë të performancës, raporton “Ora News”. Burime konfidenciale pohojnë faktin që vetë Ministri i Financave ka vendosur që të mos prishë marrëveshjen me kompaninë britanike, por po ashtu ai nuk do ta shtyjë atë edhe për 12 muaj të tjerë, siç parashikon një klauzolë e kontratës.

Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë në nëntor 2013 me kompaninë angleze Crown Agents. Në bazë të kontratës, Crown Agents do të përfitonte 4.1 milionë euro në vit dhe në këmbim, do të ndihmonte doganat shqiptare për të zbatuar më mirë ligjet aktuale. Crown Agents merrte përsipër të kryente inspektime, të zbulonte shkelje doganore, të identifikonte të ardhura të munguara, të fuste praktika moderne në analizimin e rrezikut dhe rrjedhimisht, identifikimin e evazionit, të luftonte korrupsionin në dogana, të përmirësonte cilësinë e administratës përmes trajnimeve etj. Në fund, të gjitha këto masa, duhej t’i jepnin Shqipërisë një rritje në nivelin e të ardhurave doganore.

Në një raport të gazetarit Gjergji Erebara dhe të botuar nga BIRN, thuhet se gjatë vitit 2014, doganat shqiptare siguruan 150.7 miliardë lekë të ardhura për buxhetin e shtetit. Vlerësimi i FMN-së për PBB-në e Shqipërisë qe afro 1.4 trilionë lekë, dhe të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për vitin 2014 qenë afërsisht 10.8 për qind e PBB-së. Kjo qe vetëm 0.4 për qind të PBB-së më shumë se sa në vitin 2013. Por duhet të kemi parasysh se në fund të vitit 2013, qeveria shqiptare rriti taksat mbi cigaret dhe karburantet, të cilat mblidhen në dogana, atëherë qeveria duhej të mblidhte rreth 100 milionë euro vetëm nga rritja e taksave dhe 100 milionë të tjera nga puna e Crown Agents, ose, gati 2 për qind të PBB-së më shumë. Për këtë arsye, rritja e të ardhurave me 0.4 për qind të PBB-së sugjeron njëkohësisht që puna e Crown Agents nuk qe efektive dhe rritja e taksave qe një dështim total.

Comments

Submitted by kujtim halili (not verified) on

Eshte kriminale se si nje kompani Britanike e specializuar ne luften e korrupsionit dhe menaxhimit te doganave i kthehet kurrizi nga dy drogmenet e Shqiperise.I pari Edi surrel droga dhe i dyti Ilir hajdut kerraba.Turp per Shqiperine qe nuk Eshte e zonja te rrespektoje kontratat me kompanite e huaja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.