Kriza, pasojë e politikës fiskale së qeverisë
Ekonomia është tema kryesore që përcakton edhe ecurinë e qeverisjes aktuale. Ekzekutivi i tanishëm ka paralajmëruar disa masa të forta që synojnë uljen e evazionit dhe informalitetit. Aksioni është karahasuar nga ministri Arben Ahmetaj me aksionin e energjisë, që ktheu në binarë një sektor të tërë. Mbetet e paqartë nëse kjo nismë do të ketë efek apo jo, sikurse mbetet e paqartë nëse qeveria ka ndërmend të rishikojë politikën fiskale apo jo. Kjo kërkesë shtrohet nga disa ekspertë, por edhe nga opozita. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tha sot në një intervistë për “Top-Channel” se situata e sotme është pasojë e politikës fiskale, e cila ka po çon edhe biznesin në dilema të mëdha. “E gjithë politika fiskale që tentoi të ndërtonte Qeveria bazuar në progresivitetin dhe në taksimin e fortë, ishte një politikë tërësisht e dështuar që nuk dha asnjë rezultat. Kjo është arsyeja kryesore përse rishikohet buxheti. Aspekti psikologjik, që përjetojnë qoftë konsumatori, ashtu dhe komuniteti i biznesit, janë negative dhe të tilla, që do të persistojnë në periudhë afagjatë për të shpresuar një ringritje. Por në këto rrethana ringritja do të jetë shumë e vështirë”, tha Bode. Sipas tij, politika aktuale e kufizon hapësirën e ringritjes, por edhe të frymëmarrjes së biznesit. “Ky moment i vështirësisë ekstreme të ekonomisë reale dhe bizneseve, sigurisht do të shtojë problemet e ristrukturimit të tyre. Qoftë ristrukturimit të brendshëm financiar të bizneseve, ashtu dhe rialokimit të kapitaleve në sektorë apo industri, të cilat mund të duken me perspektivë më të qartë. Por, me pasivitetin që ka sistemi aktual bankar dhe me politikat jo miqësore të Qeverisë në raport me biznesin, kam frikë se do të dëmtohet pjesa e biznesit që kanë shpresë dhe që kanë një rentabilitet më të lartë, e do të mbijetojë biznesi që konsumon shumë për të prodhuar pak”, u shpreh Ridvan Bode.
Add new comment