Filozofia e munguar

Postuar në 17 Gusht, 2015 17:08
Agim Baçi

“…Për ata që diktatura i zhvesh nga dinjiteti i tyre për çdo ditë, deri sot, unë do të doja t them, qoftë dhe një fjali të vetme që përmban fjalën ‘shami’. T’i pyes thjesht: KENI NJE SHAMI? Ka mundësi që kjo pyetje, në çdo kohë, të mos ketë asnjë lidhje me shaminë, por me vetminë e mprehtë të qenies njerëzore…”.

Këto janë fjalët e Herta Muller gjatë ceremonisë së “Nobel”­i-t më 2009­n. Muller, shkrimtare rumune e emigruar në Gjermani, për t’u shpëtuar persekutimeve të sistemit të Çausheskut, ka përshkruar në veprën e saj, por edhe në ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel” më 2009­n, atë pamundësi për të jetuar në liri apo dinjitet brenda rrethit ku gjithçka fashitej prej dhunës dhe ideologjisë së mbrapshtë komuniste. Ajo i drejtohet “vetmisë së mprehtë”, atje ku njeriu i kthen shpinën gjithçkaje, madje edhe vetes. Por a kemi mundur “t’ia drejtojmë tjetrit këtë shami” pas shumë vitesh ndryshim? Fjalët e Herta Mullerit dhe pyetja nëse duhej bërë një hap i tillë me tjetrin edhe këtu te ne më erdhi ndërmend teksa shfletoja një libër­dëshmi të Ethem Fezollarit me ngjarjen e largët të vitit 1975, kur 16 pjesëtarë të së njëjtës familje, të rritur e fëmijë, vendosën të provonin jetën e lirë ose vdekjen.

Me një varkë të prodhuar në mënyrë krejt artizanale, që sot është në Muzeun Kriminalistik të Akademisë së Rendit Publik në Shkup, ata sfiduan ferrin për së gjalli, të jetuar për 26 vjet, që nga arratia më 1949 të babait të tyre, partizanit Hekuran Fezollari. Vendosën dhe me fat kaluan liqenin, në të gdhirë të 4 korrikut 1975, ndërkohë që vdekja dhe jeta ndahej nga një fill i hollë. Por Zoti kish vendosur ndryshe për familjen Fezollari.

Ka aty në libër emra pa fund, që kanë jetuar në atë kohë e që janë gjallë edhe sot, si vetë protagonisti i librit. Ka emra që ai veçse i risjell me gjithë brutalitetin, skllavërinë mendore, dhunën e mbështetur në urdhrat e Partisë. Madje, si për të plotësuar atë fytyrë të dhunës dhe mungesës totale të respektit për njeriun, risillet në skenë therja e lopës së familjes Fezollari nga Këshilli Popullor, menjëherë pas arratisjes së 16 familjarëve, me shprehjen “Po therim Kushen!”. Kushja ishte nëna e Ethemit, e shoqja e Hekuranit. Efekti i asaj që ndodhte nuk kishte e nuk ka as sot fjalë për një përshkrim. E sot vlen të pyesim: A kanë vijuar të jenë rrezik ata që skllavërisht, në emër të pushtetit, në emër të ideologjisë, prodhuan dhe drejtuan dhunën për gjysmë shekulli? Në këto 25 vite nuk mundëm kurrë t’i themi shumë gjëra me zë të lartë. Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Spartak Ngjelës, Lek Pervizit, Visar Zhitit, Uran Butkës, Agim Mustës, apo edhe shumë të tjerëve, që dëshmuan më së paku jetët e tyre, kaluan më shumë si kuriozitet, pa mundur të bëhen pjesë e një debati të madh kombëtar, e aq më pak e shkollës shqiptare. Por përse na duhet ky debat? Përse duhej të kishim filozofuar mbi atë çfarë ndodhi me shqiptarët nga vetë shqiptarët? Si mund të jetë sot shpirti i atyre që nuk nguruan të përfaqësojnë atë dhunë? Çfarë mund t’u ketë thënë fëmijëve të tij, çfarë edukate mund t’u ketë dhënë ai komandanti që provoi të fuste në dhe të gjallë dhe lakuriq Mitrush Kutelin, sepse ishte shkrimtar që nuk e donte diktatura? (Dëshmi e Hamza Tushës botuar nga gazetarja A. Peçi).

Gjithë kjo mungesë e debatit mbi të vërtetën e kohës së diktaturës, edhe pse tashmë e kemi një ligj që i ka dhënë viston njohjes me dosjet, na rikthen drejt disa pyetjeve: A jemi ne të gatshëm të përballemi me pyetjet që na përshkruajnë identitetin, karakterin dhe, për më tepër, aftësinë tonë për t’u përballur me të vërtetën? A duhet ta njohin brezat e sotëm njeriun që shkoi deri në honin më të thellë të shpirtit, që u denatyrua deri në pikën sa mund të ndëshkonte fëmijën, gruan, vëllain, motrën, shokun, sepse kështu ia kërkonte Partia?

Të mbetur në pasqyrën që nuk kemi dashur të shihemi, mund të përfundojmë në atë që prof. Hysamedin Ferraj e konsideron si “njeriu hobsian”, i cili, moralin, fenë, artin, shkencën, filozofinë, njeriun tjetër, shoqërinë dhe shtetin, nuk i ka natyra të brendshme, por vetëm proteza në rrugën drejt rritjes së fuqisë dhe pushtetit.(“E pafilozofuara”, H. Ferraj, f. 21).

Ne kemi nevojë të dëshmojmë se mund të përballemi me pasqyrën e vetes sonë, me tjetrin, me të vërtetën e së shkuarës, mbi kuptueshmërinë e qëndrimeve morale. Përndryshe, pyetjen e Muller “Keni një shami?” do të na duhet ende shumë kohë ta kuptojmë se përse e kemi tmerrësisht të

nevojshme.

 

“PANORAMA”

Comments

Submitted by ref (not verified) on

nga komunizmi iken 16 vete, nga kapitalizmi 13 mije vete ne dy muajt e fundit. mos valle nuk e ka fajin VETEM sistemi?
mos valle nuk duhet ti politizojme kaq shume ngjarjet. mos valle edhe barbarizmin me te cilin e vume ne jete komunizmin e kemi ne genin tone dhe nuk na e mesoi marksizmi?

perpara se tu kerkohet njerzve te reflektojne duhet te hiqet dore nga politizimi, sidomos i historise.

shqiperia nuk eshte amerika, as gjermania, as italia. cdo i huaj kur mendon per shqiperrine e fillon nga fakti se ky esht enje ven dshume i vogel dh eme i varfri ne europe. ne duhet te behemi pragmatiste, te shikojme si te rregullojme vendin dhe ekonomine dhe te mos merremi me histori te lashta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.