Rritja e rrezikut në banka: Interesat e depozitave bien, të kredive rriten
Në qershor 2015, diferenca mes interesave të kredive dhe depozitave një vjeçare u rrit në 6.7%, nga 5.5% që ishte në shtator 2011, një tregues i drejtpërdrejtë ky i rritjes së rrezikut të perceptuar nga bankat. “Monitor” thotë se bizneset dhe individët kanë marrë hua më të shtrenjta nga bankat në lekë, ndërkohë që kanë përfituar më pak interes nga kursimet e tyre të depozituara në banka. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, në qershor, interesi mesatar i ponderuar i kredive në lekë u rrit në 8.4%, nga 8.15% muajin e mëparshëm. Shtrenjtimi më i lartë ishte për kreditë afatshkutra, deri në 1 vit, që përdoren nga biznesi kryesisht për kapital qarkullues dhe për të cilat kërkesa është më e madhe, të cilat kishin një interes mesatar prej 8.95% në qershor, nga 7.98 muajin e mëparshëm . Ndërsa kreditë afatgjata, mbi një vit kanë qenë më të lira në qershor. Sipas “Monitor” Banka e Shqipërisë ka pranuar në raportin e saj të fundit të politikës monetare se mekanizmi i transmetimit të politikës monetare mbetet ende i dobët, si pasojë e primeve të larta të rrezikut në ekonominë e brendshme dhe atë të jashtme.
Add new comment