Policia spanjolle shkatërron rrjetin e trafikantëve që dërgonin shqiptarë në Britani
Shkatërrohet rrjeti i trafikantëve që dërgonin shqiptarë në Britani. Policia spanjolle ka njoftuar se ka arritur të shkatërrojë një rrjet trafikantësh të cilët çonin me avionë shtetas shqiptarë në Britani nga Spanja, duke përdorur dokumente false. Autoritetet njoftuan se janë arrestuar 12 të dyshuar si trafikantë si dhe 85 persona të tjerë me dokumente false të cilët do të merrnin avionin për të shkuar në Britani. Përmes një njoftimi, Policia spanjolle ka thënë se anëtarët e këtij rrjeti kontaktonin njerëz në Shqipëri, të cilët dëshironin të largoheshin nga vendi, duke ju premtuar atyre punë në Britani ose Irlandë. Shqiptarët të cilët pranonin të shkonin në Britani përmes kësaj mënyre, duhet të shkonin fillimisht në Spanjë, duke kaluar nga Turqia ose Italia. Grupi pajiste emigrantët me pasaporta të rreme, leje qëndrimi, leje drejtimi dhe kartë shëndeti me identitete rumune, italiane dhe greke. Po ashtu, janë konfiskuar edhe 100 dokumente të ndryshme, si karta identiteti, leje qëndrimi, karta studenti dhe leje drejtimi me identitete italiane, rumune, greke, franceze, belge, bullgare dhe sllovene.
Add new comment