Rishfaqen premtimet pa faturë të Edi Ramës. Por tani nga Lulzim Basha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë sot në një konferencë për mediat prej nga ku ka zbuluar atë që mund të quhet projekti politik-qeverisës i opozitës. Paraprakisht edhe i përgatitjes së rotacionit. Të paktën kjo ishte gjuha e Bashës dhe premtimet e tij. Premisat për këtë lëvizje, opozita i ka jo të paqena: një ekonomi në rrëpirë, një qeveri që nuk pranon të komunikojë me qytetarët që duan të dinë se çfarë do të bëhet, shifra alarmante të dështimit në mbledhjen e të ardhurave, mosndëshkueshmëri dhe mosmarrje përgjegjësish si dhe kriminalizimi si status i normalizuar në politikë. Mirëpo nxitimi për ndryshimin çon shpesh në harrimin e premtimeve të bëra, një dukuri kjo që po prodhon shumë kosot për shqiptarët. Nëse qeveria e djathtë e 8 viteve të shkuara, realizoi disa arritje në planin ekonomik, ajo po ashtu e dhuroi pushtetin mu për shkak të disa dështimeve spektakolare të tjera. Aq sa njerëzit donin të besonim çdo gjë që thoshte opozita. Ndaj çështja është të shikohet me më shumë kujdes se çfarë thotë opozita sot dhe se të kundërshtosh atë në shumëçka, nuk e kthen gjykimin në nihilizëm.
Informaliteti dhe evazioni – askush nuk përmend “peshqit e mëdhenj”. As opozita
Me të drejtë z. Basha foli sot për luftën ndaj informalitetit që qeveria ka
paralajmëruar ta nisë në shtator. Njësoj si fushata për energjinë, kërrbaçi, shoqëruar me frikën dhe me dhe me ndëshkimim e nja 20 të pafuqishmëve do të japë reklamën e pritur dhe shpresohet se do t’i bëjë njerëzit të paguajnë. Por a është kjo zgjidhja? Dhe si po e trajton këtë opozita? Ja se çgarë tha Bash- ndër të tjera: “Rriti çmimin e energjisë, nxori kërbaçin mbi njerëzit. Të njëjtën gjë premton të bëjë që nga shtatori. Nuk do të prekë kontrabandistët nuk do të prekë evazionistët, nuk do të prekë ata që kanë vjedhur miliona e milliona euro, dollarë, miliarda lekë nga arka e shtetit, por do të godasë sipërmarrësit e zakonshëm, duke i çuar në zgrip të falimentimit ata që s’kanë falimentuar akoma. Se kjo është më e thjeshtë se të godasësh kontrabandistët, miqtë e tu, malavitën, të godasësh personat me rekorde kriminale, që jo vetëm i ke pasur ortakë por zgjodhe t’i fusësh dhe në Parlament i ke bërë dhe drejtorë të përgjithshëm, pra i ke varur ujkut mëlçitë në qafë”.
Kjo me siguri është një pjesë e së vërtetës. Pasi është e vërtetë që të ardhurat nuk mblidhen se ka kontrabandë(Basha foli edhe për informacione të hollësishme nga një vend fqinj), por për evazionin nuk mund të akzuohen vetëm kontrabandistët. Ka edhe klientë, vipa siç i quajnë në disa mjedise, që kanë vite e vite, që livadhisin dhe as emri nuk u përmendet. Dilur zoti Rama, që është sot kryeministër përsëriste pa pushim se një pakicë biznesesh kontrollojnë 50% të pasurisë. Apo siç pyeste bashkëpunëtori i tij, Erjon Braçe kur diskutohej buxheti i vitit 2012: “Përse e rrjep popullin për 10 apo 50 biznese zoti Kryeministër”?(http://shqiptarja.com/oggetti/45150.pdf).
Asnjëherë asnjë emër, asnjë sigël, asgjë. Pse të nos mendojmë se kjo është rruga sesi partitë dërgojnë mesazhe ndaj bizneseve që dinë shumë mirë të orientohen me ndryshimin e qeverisjeve? PD-ja ka qenë parti në qeveri dhe mundet t’i ndihmojë shumë shqiptarët përballë ndërkryerjes së një qeverie qe mendon të kthejë policinë tatimore në organ të rendit fiskal strikt në Shqipëri. Duke dhënë emra dhe duke dhënë informacion, në mëmyrë që qeveria të mos kapë të parin që i del dhe ta mbyllë nja ca ditë në birucë. Përndryshe loja është e njëjtë – dhe ajo është e tillë – dhe edhe në këtë rast PD-ja nuk po bën asgjë më shumë sesa po pret sesi nevoja e ngutshme për para të çojë në gabimin e radhës.
Premtime thuajse identike
Por meqenëse kjo është vetëm njëra pikë e diskutimit, le të sjellim për krahasim premtimet e Edi Ramës para vitit 2013 dhe ato që bën Lulzim Basha sot.
2011/Edi Rama
300 mijë vende të reja pune
Do anulojmë të gjitha koncesionet e paligjshme
Ulje e kostos së jetesës për 95% të shqiptarëve
Do pesëfishojmë financimin publik për fshatin.
Do zerojmë TVSH për bukën, vezën, qumështin dhe ilaçet
Çmontim të monopolit apo kartelit për miellin, sheqerin, naftën, ilaçet, pasuritë natyrore, telekomunikacionet, bonet etj..
Ne do ta zhbëjmë sistemin e referencës dhe sipërmarrësit nuk do jenë të detyruar t’u nënshtrohen atyre.
Do modernizojmë rrënjësisht shërbimet publike në arsim dhe shëndetësi.
Domosdoshmëria për një rend që çliron sipërmarrësit nga kanosja e ekonomisë kriminale
Do dhjetëfishojmë financimin publik për punësimin.
Çrrënjosje të korrupsionit nga spitalet.
Fond strehimi për familjet e pastreha
Status special për veteranët dhe ish- të përndjekurit.
Drejtësi e shpejtë dhe profesionale.
Çmontimi i kulturës së pandëshkueshmërisë.
Administratë publike profesionale.
Transformim rrënjësor i Televizionit Publik.
(http://www.gazetatema.net/web/2011/11/01/rama-prezanton-programin-lufte-...).
2015/Lulzim Basha(opozita)
Një ekonomi transparente dhe konkuruese dhe jo një ekonomi monopolesh, kontrabandistësh, evazionistësh, dhe klientelistësh
**** Si realizohet kjo? Kush janë konkretisht këta?
Një taksë të sheshtë më të ulëtën në Ballkan si parakusht për konkurueshmërinë në thithjen e investimeve, sepse vetëm duke thithur investime do mund të hapim vende pune
*** Sa është parashikimi?
Heqjen e taksës ‘Rama” për karburantin që sot është 240 lekë për litër
***Cila është formula e PD?
Ulja e çmimit të energjisë
Heqja e TVSH-së për mallrat e shportës do të japë mundësinë për një ulje deri në 20% të miellit, sheqerit, orizit, vajit, mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij.
***Kur, vitin e katërt të mandatit?
Rikthim i zgjedhjeve të lirë e të ndershme.
Nëse shikohen premtimet që kanë ndikim direkt në shoqëri ato janë identike. I bëri Edi Rama dhe tani nuk kujtohet më kush. Po i ripërsërit opozita e djathtë? A të besojmë? Programi është si buxheti, kërkon një faturë. Përndryshe gënjeshtra nuk është më as gënjeshtër.
s.z
Comments
Bravo, super koment!
Bravo, super koment!
Add new comment