Një rrjedhje që mund të na shndërrohet në fontanë

Postuar në 11 Gusht, 2015 13:47
Ndriçim Kulla

Në Shqipëri, kur një ngjarje e keqe bëhet e shpeshtë, thuhet se është “fenomen”. Kështu, kemi fenomenin e ndërtimeve pa leje, fenomenin e gjakmarrjes, fenomenin e krimit në familje, fenomenin e korrupsionit, fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike etj. Por ai që sot mund të jetë fenomen, ishte një kohë kur nuk përbënte veçse disa raste, që nuk u trajtuan dhe u shndërruan në fenomen. Raporti i rastit me fenomenin mund të krahasohet me atë digën, e cila ka një vrimë të vogël ku rrjedh uji. Nëse nuk merren masa, atëherë vrima zmadhohet dhe uji vërshon gjithmonë e më tepër. E në këtë fazë nis të flitet për “fenomen”! Dhe kuptohet që është më e lehtë që të merresh me rastet e veçuara, se me fenomenin. Në botë, shkencëtarët e shkencave shoqërore, sociologët, psikologët, antropologët, kriminalistët, kriminologët etj., përpiqen që nga moria e ngjarjeve të rënda të veçojnë dhe të studiojnë imtësisht rastet që mund të shndërrohen në fenomene. Për to shkruajnë studime dhe libra. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Studiuesit tanë, profesorët dhe akademikët, preferojnë të shkruajnë për fenomenet, të cilët i shohin si çështje madhore, për të cilat ata mund të marrin mundimin të japin mendimet e tyre të çmuara për to dhe t’ i kalojnë shkarrazi ato që mund të quhen si raste që kanë prirjen të shndërrohen në fenomene. Ose edhe kur merren me to, këtë e bëjnë vetëm sa për të ilustruar fenomene të caktuara, me të cilat rasti konkret ka vetëm lidhje anësore.

Shembulli më i mirë për këtë është mënyra sesi është trajtuar në media një ngjarje e rëndë e kohëve të fundit, kur dy vajza adoleshente largohen nga shtëpia e tyre pasi kanë tentuar të vrasin pjesën tjetër të familjes, prindërit dhe motrën e madhe, duke i helmuar si dhe duke i vënë zjarrin shtëpisë. Të dyja i përkisnin një familjeje mëse normale shqiptare, një familjeje të ardhur nga Shqipëria e Jugut në Durrës. Megjithëse mund të ishte edhe nga Shqipëria e Veriut, kjo nuk do të thotë gjë. Nga detajet që dalin në media del se prindërit janë njerëz që kanë sakrifikuar gjithçka për rritjen dhe edukimin e mirë të tre fëmijëve të tyre. Sigurisht që brenda mundësive të tyre. Nuk janë nga ata prindër abuzues që braktisin fëmijët e tyre duke i bërë kontigjent të prirur për ekceset sociale dhe botën e krimit. Prindërit e dy vajzave kanë pasur shqetësimin e madh dhe kanë qenë të kujdesshëm për t’ i ruajtur vajzat e tyre nga prekja prej fenomeneve të këqija të shoqërisë sonë të sotme, ndaj të cilave janë vulnerabël adoleshentët. Dhe prindërit kanë bërë sa kanë mundur për këtë gjë. Sigurisht që ata si prindër nuk do ta besonin kurrë dhe akoma nuk e besojnë me sa duket, se vajzat e tyre do të bënin atë që kanë bërë.

Ngjarja është pasqyruar gjerësisht në media, madje vazhdon të pasqyrohet akoma. Media dhe ndonjë studiues që është shprehur shkarrazi aty-këtu, e kanë klasifikuar si krim në familje. Sigurisht që është edhe kështu, por është një gjë më e ndërlikuar se kaq. Është rasti i pari i atij që nesër mund të jetë një fenomen. Dhe para se të ndodhë kështu duhet punuar që të shmanget ky rrezik i madh shoqëror. Është koha pra të jepet alarmi për lindjen e një fenomeni të ri që do t’ i shtohet listës së fenomeneve negative shoqërore, që përbëjnë një problem të madh sot. Cili është ky fenomen? Nga ato që ka thënë në shtyp motra e madhe del se të dy motrat e tjera muajt e fundit mbylleshin në dhomën e tyre dhe komunikonin shumë në rrjetet sociale. Akoma nuk është bërë e ditur se me kë. Por kuptohet se njerëzit me të cilët kanë komunikuar kanë pasur një rol të madh në transformimin shpirtëror të dy motrave. Të gjithë adoleshentët e kanë pasion komunikimin në rrjetet sociale mund të thotë dikush. Edhe për rrezikun që sjellin rrjetet sociale për adoleshentët dhe të rinjtë kur bien në kontakt me njerëz abuzues, si me maniakë me profile të rreme në Facebook që shtiren sikur kanë moshën e adoleshentëve dhe të rinjve me të cilët komunikojnë. Dhe këta abuzues mund të jenë shqiptarë ose të huaj se në rrjetet sociale njerëzit janë si në një fshat global virtual. Sigurisht që është folur për këto probleme. Por deri më sot, përveç humbjes së kohës së adoleshentëve dhe të rinjve në përgjithësi në rrjetet sociale, janë përmendur si shqetësime edhe rreziku i kontaktit me pedofilët në rrjetet sociale, rreziku i kontaktit me aktivistët fetarë që i përdorin rrjetet sociale për të bërë ithtarë fondamentalistë që në këto mosha, rreziku i mashtrimeve të ndryshme deri edhe me marrje abuzive parash etj.

Por përveç këtyre, adoleshentët dhe të rinjtë në përgjithësi, në rrjetet sociale mund të bien pre e kushedi se çfarë propagandistësh të sekteve të rrezikshme që predikojnë deri edhe shkatërrimin e familjes me dhunë, duke e quajtur këtë si mënyrën ultramoderne që individi të fitojë lirinë. Nuk them dot me siguri se ka ndodhur kështu në rastin e dy motrave durrsake, se akoma nuk kanë përfunduar hetimet, por nga ato që thotë motra e madhe është e sigurt se dy motrat adoleshente janë manipuluar nëpërmjet komunikimit në rrjetet sociale. Dhe vetëm njerëz që janë profesionistë të fushës mund të arrinë të bindin dy adoleshente, me shumë mundësi të panjohura në jetën reale, që të shkaktojnë vdekjen e familjes së tyre, djegin shtëpinë dhe të marrin arratinë me paratë e familjes që gjendeshin në shtëpi. Këtë gjë nuk mund ta arrijnë komunikues amatorë. Ne kemi parë në filmat e Hollivudit sesi ka njerëz të aftë për ta bërë këtë gjë. Me sa duket jo vetëm në filma. Në atë që sot është fshati global virtual, nuk është çudi që një njeri i tillë diku në Perëndim, komunikon me dy adoleshente në Durrës për gjëra të tilla.

Por ngjarje të tilla, sado të rralla qofshin, mund të nxisin një fenomen negative shoqëror. Kur flas për “fenomen” në këtë rast nuk dua të them se në familjet shqiptare do të ndodhin masivisht akte të tilla kriminale të fëmijëve adoleshentë ndaj prindërve dhe vëllëzerve e motrave të tyre, me helmin e zjarrvënie dhe largim nga shtëpia pasi kanë rrëmbyer aq para sa kanë mundur. Por edhe sikur të ketë edhe një apo dy ngjarje të tilla çdo vit, duke pasur parasysh mediatizimin që iu bëhet atyre, kjo do të mjaftojë që të krijohet një atmosferë e rëndë në çdo familje shqiptare që ka fëmijë të kësaj moshe. Sepse përjetimi i ngjarjeve si kjo e dy motrave, shkon shumë përtej familjeve ku ka ndodhur ngjarja dhe ka impakt në marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve në çdo familje shqiptare. Në çdo familje shqiptare prindërit do të nisin të dyshojnë te fëmijët e tyre, të shtojnë kontrollin e tyre mbi fëmijët, t’ i marrin ata në pyetje, të shkaktojnë tensione që te adoleshentët bëhen shkak për trauma, rebelime. Dhe kështu prindërit, pa dashje mund të përfundojnë që të nxisin te fëmijët e tyre atë sjellje që kanë dashur ta shmangin me çdo kusht. Pra të krijohen situata ku të ndodhin krime të tilla në familje, atje ku nuk kishte shkaqe pse të ndodhte kështu, pra në familje krejt normale. Dhe pastaj ngjarjet e tilla do të bëhen më të shpeshta. Dhe kështu, në fillim krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një fenomen të rëndë shoqëror, pastaj kemi vetë fenomenin si problem të madh shoqëror.

Prandaj rrallësia e ngjarjes në këtë fazë, nuk është arsye që të merret lehtë rreziku i madh që është në rrënjë të fenomenit të ri me të cilin mund të ballafaqohemi nesër në mënyrë më masive. Cila është zgjidhja? Është akoma herët të flitet për një zgjidhje për fenomenin, se fenomeni nuk ekziston akoma dhe urojmë që të mos ekzistojë kurrë. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ekzistojë një vëmedje e shtuar ndaj ngjarjeve të tilla, si akti i dy motrave në Durrës. Dhe këto ngjarje duhet të na shërbejnë për të marrë masat e nevojshme që të pengohet kalimi nga rastet e veçanta në fenomen. Shqipëria nuk është një vend i izoluar që të përdorë metodat e vendeve diktatoriale, që me pretekstin e këtyre të këqijave ndalojnë përdorimin e komunikimit elektronik nga adoleshentët. Prandaj mënyra e zgjidhjes është dhe mbetet një: edukimi. Edukimi me një shumëllojshmëri formash, që nga mesazhet paralajmëruese të publikuara në rrjetet sociale, gjë është e mundshme të bëhet me pagesë dhe këtë mund ta bëjë shteti, dhe shoqëria civile,gjë të cilën deri më tash nuk e kanë bërë. Deri te puna që duhet të bëjë shkolla duke nxitur debatet në klasë me adoleshentët për eksperiencat e tyre të çuditshme në komunikimet në rrjetet sociale. Por nuk duhet lënë mënjanë edhe edukimi i vetë prindërve të cilët për shkak të përgjegjësisë si prindër duhet të gjejnë pak kohë për një gjë të tillë, në mënyrë që të jenë të aftë të komunikojnë si duhet me fëmijët e tyre për këto tema. Pa harruar aspak punën zbuluese që duhet të bëjnë institucionet përkatëse shtetërore, duke vënë deri edhe stimuj materialë, shpërblime në para për ata adoleshentë që denoncojnë rastet e komunikuesve, le të themi kështu të çuditshëm që iu kërkojnë gjëra të çuditshme. Lipset të përdoren të gjitha mënyrat e ligjshme. Që nesër të mos ankohemi për një fenomen që sot është i panjohur dhe të cilin nuk do të dimë si ta trajtojnë. Por a nuk ishin të panjohur për ne pak kohë më parë shumë nga fenomenet e këqija që kemi sot në shoqërinë tonë? Për ta mbyllur me krahasimin me të cilin e nisa, në “digë” ka një rrjedhje të vogël që mezi shihet me sy, e cila nuk duhet neglizhuar, se nesër shndërrohet në fontanë. Dhe fontana të tilla së bashku rrezikojnë vetë “digën”.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.