Evallah, O Mustafa!
Ndonjë habi të vogël shkrimi i Mustafa Nanos, “Për një lexim më të mirë të vetes e të sho-shoqit”, ma shkaktoi, përveçse përmbushi edhe disa pritshmëri në kontekstin e një kënaqësie ngacmuese që më dha. Muçi, i cimbisur në seder, i ikën thelbit të debatit, i cili fokusohej mbi natyrën e qeverisjes së Edi Ramës. Ai më vë përballë vitet e gjata të profesionit të tij dhe nuk pranon as edhe atë “medalje” që unë i jap për betejat e tij etike kundër korrupsionit si një veteran i lodhur në istikamin e ndershmërisë. Thotë që ai dhe koleget e tij, e kjo të këput shpirtin, të cilët janë paguar mirë, që kanë pasur në dispozicion hapësirë publike, janë të gjithë të korruptuar në një mënyrë a në një tjetër. Ndonëse unë prapë nuk e besoj e prapë insistoj që Mustafa Nano është një njeri i ndershëm, siç janë edhe të tjerë kolegë të tij në relativizmin që koncepti rrok, por them i këndet ky autolezionizëm për të pataksur lexuesit e tij dhe pozicionuar veten sui generis. Por të vërtetën e tij, Muçi e di më mirë se unë. Ai zotëron të vërteten, unë perceptimin mbi të.
Unë di timen dhe mund t’i them se kur shkruaj apo flas kam përgjegjësi vetëm ndaj vetes dhe kurrë nuk i kam shërbyer dikujt as për të rrëzuar dikë nga pushteti, as për ta sjellë dikë tjetër në pushtet.
Unë nuk jam i korruptuar, Mustafa Nano. S’kam bërë asnjë akt shërbestarie, kurrë, ndaj askujt. Jam personi me zero kontakte me politikanët shqiptarë, alergjinë ndaj të cilëve ma njeh mirë dhe zero përfitime prej tyre. Komplimentet e tyre nuk më thonë asgjë, po asgjë fare. A jam i mërzitur për këtë? Aspak. Se kështu dua. Por njeri i lirë ndihem dhe kam një vizion personal për vendin dhe botën, për politikën dhe demokracinë, për historinë dhe aktualitetin, pa pretenduar t’ia imponoj askujt këtë vizion, sepse kur nuk ia doli madhështori Don Kishot, unë s’ia dal e s’ia dal, por mbetem këmbëngulës për ta shprehur atë. Personalisht nuk kam vështirësi ta pranoj që Mustafa Nano është intelektual nga gjithësa ka demonstruar gjatë këtyre viteve. Po ndalem pak te kjo fjalë, se Muçi i referohet herë pas here në shkrimin e tij. Për vete, ndonëse jam pedagog në universitet, kam studiuar brenda dhe jashtë, kam doktoruar e botuar, di që jam (A doni më për Belulin?) njeri i shkolluar dhe këtë e kam të certifikuar nga një sërë diplomash, por nuk e di në jam dhe sa jam intelektual! Fjalë e madhe, bina për besë. Por leximet në shkolla e jashtë saj, kurioziteti dhe përvojat personale, ngjarjet familjare etj. më kanë mundësuar një perceptim për ideologjinë dhe në rrymën e saj unë notoj si i djathtë. Unë kam qenë 15 vjeç, kur në dhjetor 1990 ra komunizmi dhe po, ne e dinim që jemi të djathtë dhe pse jemi të tillë, megjithëse rënia e diktaturës ishte qëllimi parësor i asaj kohe. Sot nga largësia e kohës do të kisha preferuar që opozitën shqiptare ta kishte drejtuar Arshi Pipa, Sami Repishti apo Zef Pllumi, njerëz të papërzier me sistemin në asnjë formë, kampionë të lirisë së mendimit, luftëtarë të saj, por historia nuk u bëka për dëshira a teka të njërit dhe tjetrit. Ky fat a risk i ra Sali Berishës, të cilit i njoh shumë merita dhe dështime. Nuk jam pajtuar kurrë me anëtarësimin që ai i ka bërë Shqipërisë në Konferencën Islamike, duke e konsideruar një goditje brinjë më brinjë për ëndrrën europiane të shqiptarëve, por, megjithatë, e kam votuar gjithmonë herë me bindje, e herë me dhimbje. Ish- Kryeministrin e kam votuar jo se përmbushte aspiratat e mia për të djathtën dhe demokracinë në instancë të epërme, por sepse më shfaqej më serioz dhe përgjegjës ndaj vendit se çdo politikan tjetër. Si tipologji kulturore, Sali Berisha shfaqet tejet interesant. Një njeri të cilit kurrë nuk i kanë dhuruar diçka, por e ka marrë atë që ka dashur fale inteligjencës, karizmës, kulturës, këmbënguljes, duke u imponuar dhe mundur një sërë paragjykimesh. Do apo nuk do Mustafa Nano, Berisha është personaliteti politik më i rëndësishëm i këtyre 25 viteve dhe si i tillë, në raport eksplicit me historinë. Rrugët si ia ka dalë dhe si i ka shpërndarë beneficet pastaj meritojnë analiza, prej të cilave Berisha nuk del shenjtor, por as djall. Ai është ngjitur dy herë në pushtet dhe në të dyja rastet me zgjedhje të lira. Përjashto zgjedhjet e 1996-s, për të cilat shqiptarët e ndëshkuan me disa vite opozitë. Më ke befasuar Mustafa, kur thua që ti e urren Sali Berishën. Shpresoj ta kesh thënë për ekzibicionizëm dhe vjedhje vëmendjeje.
Urrejtja e zvogëlon njeriun. Ajo e manipulon atë, e udhëheq, i shndërrohet në qellim jete. Urrejtja është tipar i luftës së klasave. Në demokraci ka kundërshtarë dhe jo armiq. Unë nuk e urrej Edi Ramën për asnjë sekondë të kohës sime, por po të kem mundësi, nuk e lë Kryeministër asnjë sekondë. Sovrani ka tjetër perceptim, por kjo s’më pengon të jem me pakicën. Nuk jam predikues, i kam bezdi moralistët, po aq sa ti dhe nuk jam pa vese. Por nuk urrej, nuk di ta bëj dhe nuk e shqiptoj një gjë të tillë për të kapur ndonjë epërsi morale, hiç. Të mos urresh është e mundur, qoftë kur ndihesh intelektual i madh, qoftë kur ndihesh i vogël, apo nuk e di nëse je i tillë. Mësuesit e mi nuk më kanë predikuar kurrë urrejtjen dhe ti e di cilët janë ata. Ti (njëjësi është shenjë miqësie) thua që ne, në vend që të evidentojmë ata që urrejnë Sali Berishën, të merremi sipas recetës tënde me të këqijat e tij, me Lulzim Bashën që e quan kanakar të tij, me një opozitë në pikë të hallit etj. Rrugë e lehtë kjo Mustafa, të merresh me Berishën. Nuk është më ai problemi. Qeveria është problem. Ndonëse ti si ndjekës i mirë i shtypit e ke parë se ata që janë afër së djathtës, si Mark Marku, Preç Zogaj, Alfred Lela, unë dhe ndonjë tjetër nuk kemi qenë gojëmbël as me Berishën, as me Bashën as me çka ndodh në PD prej dy vitesh. Kjo, jo për t’u bërë qejfin analistëve që pulsojnë majtas, por të shtyrë nga gjendja kenetore prej së cilës trupa politike e PD-së nuk po del. Por ne nuk jemi revolucionarë dhe as posedojmë shishen me elikzirin e demokracisë perfekte. Sa na dëgjon PD-ja ne dhe sa e këshillojmë ne PD-në, mendoj që nuk është një marrëdhënie varësie mes nesh dhe këtij formacioni. Ne flasim në respekt të bindjeve tona, ne nuk jemi ideologët e PD-së dhe nuk e përjashtoj faktin që PD mund të mërzitet për sa artikulojmë ne. Servilizmi, mediokriteti, frika e të mos qenët më në politikë, kulti i shefit, janë një fenomen trasversal në partitë tona.
Politikanët shqiptarë, çdonjëri që shkruan dhe flet, e shohin thjesht si vegël për ta përdorur dhe kur nuk e përdorin dot, i lëshojnë në shpinë uzinjolët e vet. Këtu nuk bën përjashtim as PD e as PD. Shpresoj që Edi Rama mos të të shohë si të tillë me njëfarë sigurie që dinjiteti yt i bëhet pengesë. Na pate qortuar të gjithëve vençe, o Mustafa, duke na thënë se po këpusnim mufka taze, kur e quanim Ramën diktator. Të thashë me përvujtni dhe dorë në zemër që askush nga ata që shkruajnë në organe serioze nuk e ka bërë, por kemi krahasuar tendencën dhe simptomat shqetësuese që grumbullohen rreth Kryeministrit tonë të gjatë, ashtu si bari rreth shtyllës, pra mullar. Por Kryeministrit në kulmin e pushtetit, pse jo edhe të mbështetjes, i shkon kungulli mbi ujë si kalorës haravan. I fitoi edhe zgjedhjet lokale. Tanimë ka bashkuar rreth vetes dy palë premtime, sipas parimit gënje, gënje se diçka mbetet. Në televizione dhe gazeta ka instaluar kudo rrufepritëse. “Sundimi” dhe “burgu”, të cilat vetë ty, o Mustafa Nano, të shfaqen në horizontin e perceptimit si dy re të zeza, nuk janë ndëshkuar me votë popullore. Se ato re mizore mund të hedhin breshër mbi ne me shtetin policor, me mbi 38 mijë të ndaluarit, me parullën një shtet-një polici, këto a nuk janë simptoma diktatoriale?! Të bëjë ç’të dojë Rama me të vetët, se ti më krijon përshtypjen se ndihesh fitimtar me këtë maxhorancë, ke mundur armikun që urren dhe, prapë ti, edhe një herë hidhesh fulikare mbi Sali Berishën. Një arsyetim që ngrihet mbi urrejtjen pse duhet marrë parasysh?! I qortove pakëz veteranët për moskuptim, o Mustafa, i mërzite, rënkuan dhe tek këqyrnin kokërr në sy njëri-tjetrin, psherëtinin “Po ky shoku Mustafa, pse na heq vërejtje ne për t’i bërë qejfin atij Gjek Gjon Marka Gjonit?! …Atij malokut të m… … eh, ua treguam qejfin atyre në kohë të komandantit”, por ua ke bërë shpirtin bahçe të mbushur me jaseminë me çka the për Berishën! Si revani u ra fjala jote në mide, si në kohën e luftës së madhe kur festonin fitoret kundër dushmanit. Ata janë krenarë, atyre përsëri do t’u lëngëzohen sytë tek me dashuri të përqafojnë. “Je yni, o bir, të thonë. Të na rruash sa malet. Shko dhe ngjatetoje Edi Ramën prej nesh, se hazer e kemi dyfekun kundër malokut, paçka se prostata e mallkuar po na punon qindin”. Dhe ti do mërzitësh, por moskuptimin mos e kërko tek ata të shkretët, por te vetja se e krijon atë. Kur e filluam këtë të bekuar muhabet, fola edhe për Jozefinën dhe pashë që shumë prej atyre që Tirana i njeh si “minjtë e Vezirit” si të pafytyrët virtualë i kanë bërë një lexim të gabuar asaj që kam thënë për Jozefinën. Për mërzinë e tyre po e them shqeto se Jozefina Topalli është një politikane me integritet të fortë moral dhe politik, më e vlertë se shumë të tjerë në atë Parlament, një aset për PD-në. Për një alegri verore të tekstit u mora me patetikën dhe lirikën e saj politike, por tek e fundit në rrafsh etik, luajaliteti ndaj Sali Berishës i duhet njohur si vlerë, teksa shumëkush si minjtë, me t’u mbytur anija, ia mbathën tutje tehu nën zhaurimën mbytëse “bekuar qofshin paratë që vodhëm –mallkuar qoftë Berisha”. “Minjtë” ishin lajmëtarët e parë të fitores së Edi Ramës. Tani, si në SMS-të që shkëmbejmë, po të them: Evallah Mustafa, se më bëre të shkruaj këto ditë, edhe pse e kisha ndarë mendjen të rrija shtrirë si padishah, sa gjerë gjatë në breg të detit të veriut, ku vapa e Tiranës të merr të keqen dhe puhiza të përkëdhel pa interes, ndonëse dritat na fiken për natë. Dhe meqenëse ti paguhesh mirë, dhe unë nga qeveritë dhe nga qeveria e Edi Ramës marr një rrogë prej 660 mije lekësh të vjetër në muaj, e cila si cjapi te kasapi, pret të shkojë në satër me projektligjin e ri të tatimeve mbi pagat, bëhu hazër të na japësh një drekë që ta vazhdojmë muhabenë larg syve të njerëzisë se mos mendojnë që u bëmë hasëm, se me nuk ia terezis për këtë punë edhe pse besoj që Sali Berisha është nja njëqind herë më liberal, më tolerant dhe më demokrat se Edi Rama.
Panorama
Comments
paul.tedeschini@yahoo.it
Nuk e lexova krejte shkrimin sepse un kam nji huq qe nuk lexoj shkrime te gjata.
Me gjithe ate aty ketu lexova diçka dhe po baj koment rreth asaje qe lexova.
Me ju thane te drejten, simbas mendimit tim VETEM MALOKET E RUEJTEN SHQIPTARIZMEN.
dukesh qe ne titull o Agron
Hallall Agron se me ke bere te qesh fort me kete fraze "S’kam bërë asnjë akt shërbestarie,".
Sa te mire e dike veten bre burre, e pse jo, njeriut i shkon te kete opinion te mire per veten. Por reputacioni qe ke krijuar tek disa lexues, ne mos tek shumica e tyre, eshte se ti je nje sherbetor i palodhur i interesave speciale, e ne kete rast atyre te Vatikanit e elites katolike shqiptare, apo projektit te tyre per katolicizimin e Shqiperise.
Shif mbeshtetjen qe ti i jep tezave te mbrapshta te Ndreces, apo shif se si edhe ne kete shkrim, i vetmi "deshtim" i Sali Berishes qe te vjen ne mend eshte ai i futjes te Konferencen Islamike ??? Pra Berisha nuk eshte i keq per ty sepse eshte pergjegjesi kryesor per deshtimin fatal te tranzicionit politik shqiptar te ketyre 25 viteve, per 97-en, per sa e sa marrezira te tjera, por ty te paska ngelur mendja tek nje akt aq pa rendesi sa anetaresimi formal ne nje organizate boterore pa dhembe e pa pasoja.
Kur e shef veten ne pasqyre, vertet te duket vetja kaq i pafajshem e i paster, apo mendon se jemi te giithe trapa e o burra kercitja traplliqeve???
Idiota keta qe vazhdojne i
Idiota keta qe vazhdojne i thurrin lavde Berishes, debila ata qe karrieren e kane ndertuar thjesht e vetem te anti-Berishizmi.
Rrfejme pse heshtim...
Duket se vetem kur grindemi mes vedi, pra kur vem ca inat, padashur rrfejme pse kemi heshtur kur duhej folur...
Psh: cfare kane te perbashket sali berisha dhe edi rama?
Mbase (anti) Ligjin 7501, te Tokes, thelbin e prones, kriterin nr 1 te venies ne vend te drejtesise historike.
Berisha kerkoi ndjese per 7501, vetem pasi dha doreheqjen, pikerisht kur Rama filloi ta zbatonte, duke shperndare tapite si paraardhesi i te Dyve.
Vetem token/pronen nuk zene ne goje replikuesit.
Add new comment