Shteti vdiq; hienat nëpër rrugë.
Dje po kthehesha me disa miq të mi nga një tur në zonat e veriut. Ishte ora rreth 19:00 në rrugën Fushë-Krujë-Aeroport. Një autoveturë e tipit “Opel Calibra”, ngjyrë blu e errët, cilindrat e lartë, me targë TR. Në timon një fytyrë e urryer, e gërryer nga poshtërsitë, nga burgu, nga droga, si dhe nga jeta e tij e mbushur me fatkeqësi, me kokën si kastravec i rruar keq. Duke ecur normalisht në pjesën ku ndodhet “PARKU NORD”, na parakalon dhe frenon duke bërë manovrën klasike për t`u përplasur unë me të, ose për të më bërë të frenoja dhe të dilja nga rruga. Sigurisht që reagova shpejt, me kujdes dhe nuk ndodhi gjë. Mostra u mërzit e përsëriti disa herë manovrën e tij… e sigurisht unë reagova përsëri me të njëjtën mënyrë… edhe pse u bëra gati të luftoja me të, ta hidhja në kanal. Kisha me vete në makinë dy zonja dhe një mikun tim, që do të thotë se duhej të bëja kujdes edhe për ta. Ndërkohë, po merrja në telefon 129-n, shërbimin gjoja emergjent të policisë së pseudo-shtetit. Tentativa ime vazhdoi për më tepër se 20 minuta, por askush nuk u përgjigj në telefonin e emergjencës për qytetarët. Shteti kishte vdekur!
Lloji i mostrës që po na prishte ditën dhe humorin pas një tur-i kaq të bukur, pa që nga larg se pas 200 metrash ishte një patrullë policie dhe u kthye andej nga erdhi. Ne vazhduam. Dhe sigurisht u ndala tek patrulla e policisë, për të kërkuar ndihmën që nuk po e merrja dot nga telefoni i emergjencës. Iu drejtova policit të patrullës që ishte buzë rrugës, me mbiemrin Rama, i cili bashkë me kolegun e tij e kishin përqendruar të gjithë vëmendjen tek “gjoba” që duhej t`i vinin drejtuesit të një mjeti luksoz “Bentlley”.
I thashë: – Patëm një konflikt të rrezikshëm në rrugë, një agresion.
- E po pastaj ?! – m`u përgjigj polici Rama, me mospërfilljen tipike e arrogante të një fshatari bandit dhe injorant.
-Çfaaaaarë?! – iu drejtova me ton…
- Po me po!… Kush je ti iher ? Çfarë do ti? Nuk e shef që po punojmë ne ktu?!
- Ore – i thashë. Ti ktu je për të bërë policin, apo po shet akullore?!
Polici i shëmtuar dhe me gjithë të zezat e kësaj bote, ndërroi ton (ndoshta i frikësuar nga ndonjë e papritur) dhe më kërkoi t`i shpjegoja incidentin. Ia shpjegova, i dhashë të dhënat, targën etj… dhe e luta që të komunikonte me radio të gjitha patrullave në mënyrë që ta bllokonin këtë terrorist superstrade! Polici po bënte numra. Po spërdridhej shumë, pa bërë as më të voglën tentativë për të ndjekur procedurën normale. Po bënte legenin. Po bënte banditin.
Dhe sa hap e mbyll sytë, në tentativën për të bindur policin bandit se si duhej të vepronte, kaloi para nesh mostra me Opelin Calibra, në shenjë sfide. I tregova policit idiot se ja ku ishte ai që mund të çonte drejt vdekjes njerëz të pafajshëm në mes të ditës, në mes të rrugës… dhe polici, me shumë vonesë, pasi mostra na kaloi para turinjve, ngriti tabelën në shenjë presioni, gjoja për ta ndaluar.
Mostra iku, u zhduk me shpejtësi të madhe dhe polici bëri gjoja sikur u indinjua përsëri, në vend që të sinjalizonte me radio, bëri sikur mori dikë në telefon, nga aparati i tij celular. Po na gënjente.
E kuptova dhe i thashë se do ta denoncoja për abuzim me detyrën dhe shmangie nga detyra gjatë shërbimit në rast emergjence. Bëri sikur me toleroi dhe në fakt u kënaq që ika dhe iu “hoqa qafe”.
Ndeza makinën dhe vazhdova rrugën duke u futur rrugës së aeroportit, ndërkohë që po qetësoja miqtë e mi se kjo gjë nuk do të përsëritej më, u shfaq që larg mostra me makinën e tij përballë nesh, me shpejtësi të madhe. U habitëm. Miqtë e mi, një kanadez, një amerikane dhe njëra shqiptare, u tronditën. Unë u bëra gati ta ndeshja me makinën time, pasi e dija se do të tentonte të na përplaste në mënyrë ballore. Tension i madh. Rrita shpejtësinë. Mostra u afrua duke ardhur drejt meje në krahun e kundërt të rrugës. Qëndrova drejt për ta ndeshur. Doja ta hidhja në kanal, aty ku e kanë vendin krimbat, por në fund ndryshoi timonin dhe pësoi një manovër të keqe, duke ikur si legen.
Këtë denoncim e bëj në emër të dinjitetit tim, të dinjitetit të miqve të mi dhe luftës së madhe që kemi përpara nesh për të ndërtuar shtetin, jo më me mostra në krye të tij, sepse kur ka mostra në krye të shtetit, ka mostra edhe në krye të Policisë së Shtetit, nëpër patrullat e vogla të Policisë së Shtetit, si dhe në rrugët tona … ku kryeministri na fton të bëjmë turizëm. E madje, të ftojmë edhe miqtë tanë për të vizituar e për të shijuar bukuritë shqiptare.
Dje shteti kishte vdekur, por unë isha gjallë. Mostrat kishin dalë për terror dhe policia ishte ortak me ta. Ne ishim të sulmuar e të pambrojtur, por ishim të zotët e vetes. Nesër do të dal i armatosur nga shtëpia dhe do ta pi kafenë poshtë shtëpisë së kryeministrit ose Drejtorit të Policisë së Shtetit, për t`iu kërkuar shpjegim për këtë maskaradë!
Add new comment