Sublimimi i gjakmarrjes

Postuar në 27 Shtator, 2011 06:01
Çapajev Gjokutaj

Javën e kaluar në gazetën Shqip pati një diskutim mes Ndue Dedajt dhe Mentor Kikisë. Pavarësisht dallimeve, të dy diskutuesit ngrenë zërin kundër spekulimeve që bëjnë disa shoqata dhe media në trajtimin e gjakmarrjes dhe sidomos të fëmijëve të ngujuar. Rastet konkrete që përmend Ndue Dedaj dëshmojnë se jo rrallë bëhet allishverish me nocione të tilla kanunore si gjakmarrja, ngujimi, pajtimi etj.

Pas gjasash, kemi të bëjmë me një dukuri shumë më të gjerë: subjektet që spekulojnë me ligjërimet rreth gjakmarrjes janë shumë më tepër, kurse motivet shumë më të larmishme. Subjektet nisin që nga shkalla e fundit, d.m.th. ai që kryen vrasjen dhe ata që përjetojnë pasojat, për të vazhduar pastaj me institucione shtetërore, media, shoqata, grupe të krimit të organizuar etj. Do të thjeshtëzonim rëndshëm nëse do të thoshim se të gjitha këto subjekte fshehin allishverishe në artikulimet për gjakmarrjen. Gjithsesi, thuajse të gjithë kanë të njëjtën prirje: të sublimojnë ligjërimin për gjakmarrjen.

Fjalët sublim, sublimim  etj. në shumicën e përdorimeve shqip kanë në bërthamë kuptimin i lartë, fisnik, i madhërishëm, heroik etj. Në këtë shkrim termi sublimim duhet lexuar me një nuancë tjetër kuptimore: të përpiqesh që një dukuri të ulët, të dëmshme, kriminale etj. ta paraqesësh si të lartë, të dobishme, si përmbushje të detyrimeve që burojnë nga tradita, kodi i nderit etj. Është përgjithësisht kuptimi që merr termi sublimim në psikanalizën frojdiste, por jemi në një rrafsh tjetër analize.

Një pjesë e mirë e vrasjeve që etiketohen për gjakmarrje, janë de facto vrasje për hakmarrje. Një nga dallimet mes këtyre dy kategorive qëndron në faktin se gjakmarrja është vrasje që kryhet sipas disa normash të paracaktuara, norma të shpallura dhe të mbikëqyrura nga institucione të posaçme të së drejtës zakonore. Por sot, në zonat ku praktikohet gjakmarrja nuk ekzistojnë më institucionet e dikurshme, si pleqësia, kuvendi i burrave, bajraktari etj. Kjo bën që gjakmarrja të synojë që t’u largohet normave të sanksionuara në kanun dhe t’u afrohet veprimeve instinktive për të marrë hak.

Krahas kësaj prirjeje ekziston edhe e kundërta e saj: një shumicë aktorësh socialë janë të interesuar të mos flasin për hakmarrje po për gjakmarrje, d.m.th. hakmarrjen ta shesin si gjakmarrje. Nëse në realitet hasim prirjen e kalimit nga gjakmarrja në hakmarrje, në ligjërim mishërohet prirja e kundërt nga hakmarrja në gjakmarrje. Kjo kontradiktë bën që ligjërimet për gjakmarrjen të jenë përgjithësisht ligjërime sublimuese ose manipuluese.

Vetë personat që kryejnë vrasje kanë arsye të forta ta përdorin gjakmarrjen si etiketë sublimuese. Pothuajse në çdo rast vrasja e një qenieje humane krijon brejtje të ndërgjegjes te njeriu normal. Për t’i shpëtuar kësaj brejtjeje, personi që kryen vrasje është i prirur ta justifikojë atë. Gjakmarrja tradicionale shërben si një nga justifikimet më efektive: e vrava për të shlyer gjakun e vëllait/babait; gjaku shlyhet me gjak etj. etj. Ky lloj justifikimi shërben jo vetëm për të qetësuar veten, por edhe për të zbutur  gjykimin e bashkësisë, ose për ta kthyer atë në favor.

Jo rrallë ligjërimi për gjakmarrjen bëhet mjet për të arritur qëllime thjesht utilitare, larg shtysave psikologjike. Rasti më tipik është ai i disa emigrantëve që e paraqesin rënien në gjak, kërcënimin që vjen nga qerthulli i gjakmarrjes si arsye për të kërkuar azil në vendin ku kanë emigruar.

Ligjërimet sublimuese për gjakmarrjen praktikohen edhe nga aktorë të tjerë të cilët janë jashtë dukurisë, nuk janë palë në gjakmarrje. Rastis p.sh. që policia e ka më lehtë të thotë ishte vrasje për gjakmarrje, sesa ishte vrasje ordinere; kjo e fundit do të kërkonte shumë më tepër hetime, prova e kundërprova.

Gazetarët e kronikës jo rrallë priren që vrasjet për hakmarrje t’i pasqyrojnë si gjakmarrje. Gjakmarrja gjithsesi tingëllon më ekzotike e më tërheqëse, sidomos për mediat e huaja. Dihet se mediat jo rrallë priren nga sensacioni, lajmet e çuditshme etj. Vrasja për hakmarrje është një krim gjithsesi i rëndomtë, krahasuar me gjakmarrjen, që ka brenda teatër, primitivizëm, ekzotizëm etj.

OJF-të te ne financohen përgjithësisht nga të huajt. Rastis që disa prej tyre, për të tërhequr vëmendjen e donatorit të huaj, t’i paraqesin atij dukuri e ngjarje dramatike, tronditëse, me ndikim tragjik për bashkësinë etj. Gjakmarrja i prezanton të gjitha këto më mirë sesa vrasja për hakmarrje. Nuk po merremi këtu me raste si ato që përmend Ndue Dedaj, kur pas terminologjisë kanunore fshihen interesa meskine për të fituar një dorë pare.

Prirja për të bërë retorikë me gjakmarrjen apo me Kanunin është shumë më e fortë në grupet e krimit të organizuar. Këto grupe veprojnë në ilegalitet, mbi norma gojore dhe shpesh e kanë të lehtë të sublimohen me koncepte kanunore si: besa, tradhtia, shpagimi për nderin e cenuar etj. Fakti që grupet e krimit të organizuar shqiptar ngjizen shpesh mbi bazë familjeje, fisi a krahine e bën më të lehtë përdorimin e terminologjisë kanunore me funksione sublimuese.  

Në ligjërimet për gjakmarrjen flitet jo pak për ringjallje të Kanunit, por realiteti të shtyn të mendosh se s’kemi të bëjmë me ringjallje, as me evoluim. E drejta zakonore nuk është vetëm një tërësi normash që ekzistojnë në memorien kolektive, ajo presupozon edhe dy elemente shtrëngues: institucionet që do të mbikëqyrnin përdorimin e këtyre normave si dhe një sistem vlerash metafizike që individi duhet t’i respektonte kurdo e kudo për të qenë pjesë e bashkësisë.

Siç e thamë më lart institucionet që do të mbikëqyrnin respektimin e të drejtës zakonore nuk ekzistojnë më. Jeta e komuniteteve të sotëm, qoftë edhe në fshatrat më të thella është organizuar mbi parime e institucione të tjera. Janë zbehur, zhdukur apo transformuar edhe një varg zakonesh që në bashkësinë tradicionale synonin kufizimin e gjakmarrjes, të tilla si shkuesia e gjakut, dorëzania e gjakut, kryqi në derë, lidhjet e vëllamërisë, lidhja e krushqive si mjete pajtimi etj.

Tradicionalisht Kanunet, në veri a na jug, kanë qenë tërësi normash zakonore e juridike që mund të gjallonin e zbatoheshin në zona të izoluara, në kushtet e një ekonomie natyrore, ku individët e kishin thuajse të pamundur të mbijetonin jashtë fisit, fshatit a krahinës. Ky izolim i shkaktuar nga nevoja ekzistenciale u jepte forcë të veçantë kanuneve që dukej sikur thoshin: ke dy rrugë, ose respekto normat e mia dhe siguro vendin tënd brenda bashkësisë, ose shporru në mbretërinë e pasigurisë e të vdekjes.

Realiteti shqiptar i sotëm, qoftë edhe i Malësive të Veriut, e ka shmangur izolimin tipik të rendit patriarkal e të ekonomisë natyrore. Ashtu siç vë re Aleks Luarasi, një person, që ka një gjak për të marrë, nuk i përfill shumë rregullat dhe procedurat kanunore; ai zgjedh mjetet dhe mënyrat që dëshiron për kryerjen e gjakmarrjes dhe zhduket në drejtim të paditur, në Greqi ose në Itali, ku ndërron emrin dhe bëhet tjetër njeri; me fjalë të tjera, gjaksi sot nuk ka asnjë trysni serioze për respektimin e rregullave të gjakmarrjes.

Padyshim kanuni është një vlerë e shquar kombëtare, një monument i vyer i historisë dhe kulturës sonë shekullore. Është një mekanizëm gjigant, por ka reshtur së funksionuari. Ajo që paraqitet si kanun i ringjallur apo i evoluar, s’është tjetër veçse një fantazmë, një surrogat i tij. Thënë ndryshe, ringjallje e kanunit nuk po ndodh në realitet, por në një varg ligjërimesh sublimuese që, mes të tjerash synojnë të venë pak varak mbi një sërë vrasjesh të egra e primitive.

Comments

Submitted by mariana (not verified) on

<p>Faleminderit prof. Capajevi per shkrimin. Kjo teme mua me ka ngacmuar gjithmone. Une ngujimet i kam quajtur &quot;Fabrika te prodhimit te krimit &quot; te imponuara.I kam quajtur keshtu pasi kam verejtur se femijet duke u rritur me ndjesine e hakmarrjes , do te jene neser ata,&nbsp; &quot;trimat&quot;, qe do t&#39;u kthejne nderin dhe do te marrin hakun e familjarit te tyre , prindit apo cdonjerit prej te humburve prej dores tinzare. Madje, kjo eshte aq e vertete sa kjo urrejtje percillet edhe tek ato krijesa qe ngjizen brenda ketyre mjediseve, te cilat, pasi lindin brenda&nbsp; mureve te ngujimit nuk e njohin fare boten e jashteme dhe per me teper jo vetem nuk kane asnje faj per ate qe ka bere nje i rritur i familjes se tij, por nuk e kupton perse duhet te mos dale perjashte portes se shtepise se tij, kur sheh se ne rruginat e tij luajne qenie te ngjashem me te. Por ajo qe me revolton me shume eshte ligji qe eshte hartuar ne lidhje me gjakmarrjen. Nese nje individ i mohon lirine nje individi tjeter duke e detyruar ate te ngujohet denohet nga gjykata me 3-vjet heqeje lirie dhe ne mos gabohem me nje gjobe prej 10 milion lekesh. Valle ata parlamentare qe e kane aprovuar kete ligj ia kane vene kufirin tek thana vraseseve ? E marrim te mireqene zbatimin e ketij ligji. Po kush e garanton jeten e atij te ngujuarit , nese ai del jashte gjate kohes qe vrasesi &nbsp; i tij do te&nbsp; jete&nbsp; brenda dhe&nbsp; nuk do te vihet ne shenjester nga nje pjesetar tjeter i familjes? Mendoj se kjo eshte nje teme qe duhet te na shqetesoje te gjitheve dhe me se pari vete parlamentaret dhe qeveritaret, sepse nuk besoj se Evropa sot&nbsp; do&nbsp; te doje &nbsp; &nbsp; qe nje pjesetare e saj te kete ne gjirin e vet , nje vend qe zbaton ligjet mesjetare te nje shoqerie primitive?</p>

Submitted by Anonime (not verified) on

<p>Shume interesant vezhgimi nga pikepamja antropologjike. Na rrefen nje te vertete per veten dhe se si shoqerisht jemi duke u radikalizuar drejt sjelljeve manipulative e spekulative. Po ashtu, na terheq vemendjen se si pragmatizmi yne po lejon, madje nxit ekzotizimin e hakmarrjes ordinere ne rite te gjakmarrjes misterioze e thuajse te glotrifikuar.</p><p>Falemnderit Z. Gjokutaj, shpresoj qe shkrimi juaj te pasohet nga nje debat po aq reflektiv.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.