Siguria rrugore, sfida jonë e përbashkët

Postuar në 22 Janar, 2012 03:01
Dedë Shkurti

Siguria Rrugore është sot një nga problemet më të mprehta në botë. Referuar analizave më të fundit rezulton se  në cdo njëzeteshtatë sekonda vdes një njeri dhe plagosen gjashtë të tjerë. Nga këta, shtatëdhjetë përqind u përkasin  këmbësorëve dhe prej këtyre të fundit, tridhjetepesë përqind janë fëmijë.

Në një studim të ndërmarrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Universiteti i Harvardit dhe nga Banka Botërore për të nxjerrë se në çfarë renditje në “Ngarkesën e Sëmundshmërisë” zënë dëmtimet e jetës dhe të shëndetit nga përplasjet e trafikut rrugor, rezulton se, nëse në vitin 1990 ato  renditeshin në vendin e dhjetë, në vitin 2020 do të zënë  vendin e tretë. Kostoja materiale e përplasjeve në rrugë zë nga një deri në tre përqind të  Produktit Vjetor të Përgjithshëm Bruto .

Shkruesi i këtyre radhëve është  Inxhinier Transporti i Industrisë Automotive, me përvojë  si specialist dhe ekspert i sigurisë rrugore, ende aktiv në punë dhe në jetë. Detyrohet të “dalë fillimisht nëpër botë” për t’iu shmangur me sa mundet debateve shterpe, irracionale dhe politike që shfaqen publikisht sa herë kronika e zezë pushton ekranet tona mediatike për ngjarjet e pakëndëshme dhe fatale  në rrugë. Dhe nuk janë pak ngjarje të tilla. Kronika e zezë është e tejmbushur.

Mortet vazhdojmë t’i bëjmë si në kohën e Eskilit ,me kuje e vaje, pavarësisht se vdekjen e kemi kërkuar në delir. Kemi marrë me para borxh makinat e vdekjes dhe kemi blerë nën dorë patentat si dëshmi për të shkuar në varr. Në më pak se gjashtë orë në vendin tonë ndodh një përplasje e rëndë me makinë, në dy ditë vdesin tre njerëz  dhe plagosen katër herë më shumë. Dëmtimet e pasurisë, megjithëse për to nuk ka ndonjë statistikë të saktë, hamendësohen në kufijtë dy deri në tre përqind të G.D.P.-së

Këto ndodhi fatale të kthyera tashmë në një rutinë janë në një shpërpjestim të madh  me legjislacionin tonë rrugor tejet voluminoz, por veçse në letër. Prej trembëdhjetë vitesh kemi një Kod Rrugor si ligj themeltar të rrugës dhe sjelljes në rrugë, me qindra nene dhe faqe. Po aq e vëllimshme është rregullorja në zbatim të këtij kodi. Ka më shumë se njëmijë shenja(sinjale) rrugore të standarte europiane (gjithmonë shumica në letër, por jo në rrugë).

Shteti shqiptar, normalisht dhe logjikisht, e ka deleguar sigurinë rrugore në  dy agjensi në pamje dhe strukturë shumë solide: Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoria e Përgjithëshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. I parë në këtë këndvështrim problemi bëhet më i qartë si një ekuacion i shtruar për zgjidhje me tre ndryshore-variable.

Kemi  rrugë automobilistike shumë më të mira se njëzet vjet më parë, përdorues automjetesh më të arsimuar në planin e përgjithshëm  si dhe makina të markave më të mira e më të reja se në kohën e sistemit totalitar, gjë që nuk e përligjin shtimin drastik të numrit të aksidenteve. Kemi një legjislacion rrugor integral, të kopsitur e të asistuar, i cili, që në krye të herës, kur është përpiluar është menduar se do të zbatohet jo nga përpiluesit  e shtetarët, por nga nivelet e ulta të përdoruesve të rrugës. Ajo që zbatohet, por që zbatohet në mënyrën më banale është  pjesa represive e ligjit, caktimi i gjobave nga policët e tipit “Koncert në vitin ‘36”. Të dy agjensitë shtetërore të zbatimit të ligjit ose dy gardianët e sigurisë rrugore janë joeficente dhe nuk përmbushin  detyrat sipas këtij  legjislacioni.

Në fund të vitit që sapo u mbyll, Kodit Rrugor ju bë një arnim i mjerë  që nuk pritet të ketë asnjë ndikim pozitiv në rritjen e sigurisë. E vetmja e mirë  është se, kujtdo që është i interesuar, i tregon qartë nivelin mediokër të ligjvënësve tanë.

Pyetja legjitime, se përse nuk i bëhet Kodit Rrugor një revizionim tërësor duke riformuluar parimet bazë të tij, duke precizuar funksionin, statusin dhe përgjegjësinë  konkrete, me tregues të specifikuar e të kontrolluar të agjensive shtetërore, ka një shpjegim të thjeshtë: “Ligjvenësit jo vetëm si individë, por edhe si institucione, janë ndër përdoruesit më problematikë të rrugës. Siç u cilësua më lart, ata e konceptojnë ligjin për ta zbatuar të tjerët. Këtë pohim të pakëndshëm, nëse dikujt i duket me tepri, jam në gjendje ta provoj me qindra argumenta e prova tç fotografuara e të filmuara dhe me dëshmi sy për sy.

Si individë, këta janë shoferë aspak profesionalë, të pamësuar, që u kanë shkuar patentat me zarf nëpër zyra, që nuk janë ulur kurrë në një autoshkollë të mësojnë ligjin e shkruar dhe të pashkruar, që nuk njohin rregullat elementare të sjelljes në rrugë, që nuk kanë hipur kurrë si kursantë ne një mjet mësimor e për rrjedhojë ata  nuk kanë haberin ta fillojnë ditën si një përdorues rruge, si  të nisen nga vendi, si  të dalin nga një rrugë e dytë në një rrugë kryesore, si t’i japësh përparësi, si  të ecesh në autokolonë apo si mund të nisesh nga shpejtësia zero në një të përpjetë.

Qytetarët janë dëshmitarë të eskortave të dhunshme, të autokarvaneve elektorale në ekstazë, të funksionarëve, për të cilët semaforët kanë vetem një dritë, atë jeshile, të makinave me targë  Z  me xhama të zinj e drejtues kokëqethur me syze të zeza që e kanë marrë rrezikun në sy, që nuk parakalohen dhe ata me të cilët shkëmbehen jan hiçër; me makina të dhuruara ose në shumë raste të sekuestruara, që s’e kanë për gjë të përplasen me ne, fakirfukarenjtë nëse nuk del nga karegjata t’u lëshosh rrugën.

Në këto rrethana ligjbërësve tanë nuk u intereson të nguten të bëjnë ligj kundër vetes së tyre. Fatkeqsisht, deputetët tanë dhe hierarkët e shtetit nuk e kuptojnë se  “imuniteti rrugor” që i japin vetes, pa kushtetutë nuk është kurrë ekuivalent me sigurinë rrugore. Aksidentet e ndodhura jo sporadike, me gishtërinj kryeministrash, me viktima të shkaktuara nga vetë ata dhe anëtarë të kabinetit, deputetë-viktima, prefektë-viktima  e deri tek familjarë-viktima të drejtuesve të shtetit, tregon më së miri se  Vdekja e Motërzuar e quajtur Pasiguri Rrugore Shqiptare nuk njeh hierarki dhe nuk përzgjedh viktima.

Në këtë dekor anarkie të trafikut rrugor, ku pothuajse të gjithë bëjnë atë që nuk duhet bërë dhe nuk bëjnë atë që duhet bërë, nga kullat e politikës shkëmbehen zjarre oratorie e batutash, të denja për cuba, të cilat fyejnë dhe përçudnojnë viktimat e mjera të  aksidenteve.

Opozita duke e konsideruar veten jashtë përgjegjësisë gërrmon në varrezat e sintaksës epitete dhe krahasime me emrat: Gërdec dhe Afganistan. Ajo spekullon në mënyrë të pamoralshme me humbjet e jetëve njerëzore në aksidentet që janë kryesisht rrjedhojë e gabimeve individuale njerëzore, për të cilat qeveria gjendet dorëjashtë më shumë se për çdo gjë tjetër

Herë pas here, në rolin që nuk i takon - të avokatit të pushtetit, kryepolici rrugor deklaron  në kulmin e gjakderdhjes rrugore se aksidentet janë ulur duke marrë si “argument”rritjen krahasimisht të numrit të automjeteve. Aritmetikë dhe argument policësh.

Kjo domethënë që, ne, qytetarët e  thjeshtë, duhet të mësohemi se, nëse në një luftë janë vrarë mijëra njerëz më shumë se në luftën mëpërparshme, vdekshmëria është në rënje, ngaqë është rrritur me miliona numri i armëve; ose, pavarësisht se nëpër spitale vdesin me mijëra vetë, vdekshmëria është në ulje sepse është në rritje numri i shtretërve.

Duke bërë kujdes që dekori gri të mos nxihet më shumë se është në të vërtetë, unë shpresoj dhe këmbëngul që situta e sigurisë në rrugë do dhe duhet të përmirësohet. Askush nuk e do  veten të përfundojë viktimë nën rrotat e një makine.

Apeli im, apeli ynë, i inxhinierëve, i oficerëve-policë të kultivuar në shkolla të vërteta, i të gjithë teknicienëve, managerëve dhe administruesve të përgjegjshëm është: “Pushtetmbajtës dhe pushtetkërkues të nderuar, lërini dokrrat politike, lëreni sigurinë rrugore në dorë të teknicienëve. Jepuni atyre një ligj të përmirësuar në themel, betohuni se këtë ligj jeni ju  të parët që do ta zbatoni dhe nëse e shkelni, ky ligj, juve të parët  do t’ju ndëshkojë maksimalisht. Na krijoni hapësirën e nevojshme dhe mjetet e mjaftueshme që të kërkojmë dhe të gjejmë modelin më të mirë në botë të organizimit, drejtimit dhe disiplinës së trafikut rrugor dhe të gjithë do të jemi dëshmitarë të lumtur se siguria aq e dëshiruar do të rritet.”

Modeli egziston dhe është plotësisht i implementueshëm në kushtet e vendit tonë. Kam jetuar dhe punuar afro pesë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e di mirë se cfarë përgjegjësie ka kushdo që disponon një “Operator Driver License” dhe që drejton një automjet.

Të mos harrojmë se jo larg, por vetëm dyzet vjet më parë siguria rrugore në Shtetet e Bashkuara ka qenë tepër problematike, aksidentet kishin formën e një masakre rrugore në të ashtuquajturat  “freeway”-je  e deri në kryqëzimet me semaforë.

Sipas ligjit amerikan, kundravajtjen (master binner) nga krimi(felony), e ndan një hap shumë i vogël. Konsiderohet krim nëse e tejkalon shpejtësinë më shumë se dhjetë milje nga kufiri i lejuar, nëse nuk respekton pikë për pikë tabelat në zonat e riparimit të rrugëve, nëse parakalon autobuzin e shkollës kur ai është i ndaluar në rrugë, nëse nuk ndalon stop dhe t’u japësh të drejtë fëmijëve të shkollës të kalojnë në këmbë rrugën, nëse udhëton pa patentë, nëse përdor alkol ose drogë  apo je nën efektet e tyre gjatë ngarjes e mbi të gjitha, nëse nuk sillesh tepër korrekt me oficerin-polic. (në Amerikë nuk ka policë-kaptera, ka vetëm oficerë-policë).

Për të gjitha shkeljet të konsideruara krime  polic-oficeri amerikan  të urdhëron të dalësh nga makina,në të shumtën e rasteve me pistoletë të drejtuar nga ti, të mbështetesh duke shtrirë duart mbi kabinë, ku ai t’i kthen prapa dhe të vendos prangat. Brenda pak minutash, si kriminel i supozuar i rrugës përfundon në makinën e sherifit dhe prej aty, në burg. Deri në nëntëdhjetë ditë është dënimi kur nuk ke plagosur ose vrarë ndonjë njeri.

Gjoba më e vogël është 80 dollarë dhe më e madhja është 180 dollarë. Për cdo shkelje, në rekord shënohen nga një deri në tre pikë. Kur tejkalohet masa e gjashtë pikëve të thërret Byroja e Shqyrtimit të Rekordeve dhe të shpon patentën duke ta bërë atë të pavlefshme. Fill pas kësaj je  i thirrur në bashkinë e qytetit ku do të paguash një gjobë tjetër vjetore si një qytetar problematik për komunitetin. Të nesërmen, punëdhënësi të pret tek dera me çekun e pagesës në dorë për ditët që ke punuar, ndërpret kontratën e punës sepse nuk mund të mbajë një njeri problematik me trafikun. Siguracioni i radhës për makinën, ku atje paguhet çdo muaj, të vjen 50-60 përqind më i rritur.

Me policin amerikan mbaron punë në rrugë. Ai, nëse e sheh të nevojshme, vjen në gjykatë si dëshmitar. Ai mund t’i japë opinionin e tij gjykatësit për të të lehtësuar masën e dënimit nëse ti paraqet pendesë, por në asnjë rast nuk falet gjoba dhe pikët në rekord, të cilat duhen jo më pak se tre vjet për t’u shlyer.

Amerikanët do të ndjeheshin shumë më mirë të shkonin në burg për probleme jo rrugore se sa të kenë punë e biografi të prishur si shkelës të legjslacionit rrugor. Kjo është fryma sipas së cilës duhet të fillojmë të ndryshojmë ne të gjithë, duke filluar nga legjislacioni rrugor e deri tek sjellja jonë individuale dhe komunitare. Si përdorues rruge duhet të përgatitemi herët a vonë të përballemi me këto dispozita dhe sanksione ligjore.

Makina mund të vrasë edhe më shumë se një pushkë. Leja për të ngarë një makinë është tepricë në liri. Është domosdoshmëri, që në emër të jetës, të sigurisë së saj e të shëndetit, me ligj të rreptë dhe të drejtë, kjo liri të kufizohet. Një liri rrugore e konturuar në ligj, një siguri rrugore më e madhe, kjo eshtë sfida jonë e përbashkët. Nuk ka rrugë tjetër nëse duam një Siguri Rrugore të stabilizuar

Comments

Submitted by hajdarmozi (not verified) on

<p>Ja tha moj ja tha!</p><p>Po kujt ja tha??</p><p>ketu vetem junta ushtaraka ben pune.</p>

Submitted by Shqiptari (not verified) on

<p>Jam shume dakord me keto qe ju shkruani. Pavaresisht mungeses se legjislacionit te ngjashem me ate Amerikan qe jane nja 200 vjet para nesh une e shoh problemin me menaxhimin e rrugeve nga policet se sa nga vete Kodi rrugor. Ky kod do te bente pune edhe keshtu sic eshte nqs do te kishte nje zbatueshmeri me eficente. Psh, nqs une thyej Kodin rrugor ne masen me te keqe dmth thyej kufijte e shpejtesise vetem nqs jam fatkeq do me kape Policia dmth tani dihet ku rrine policet dhe atje ulet shpejtesia por edhe po me kapi do paguaj 20% te gjobes si rryshfet dhe ja hodha. Pra si logjike eshte nje hallke shume e rendesishme qe nuk funksionon (Polici) qe ne shumicen e rasteve eshte nje Polic me 3 muaj kurs dhe qe e ka qafen te majmur nga ushqimi palimit qe konsumon nga rryshftet e shkelesve te kodit rrugor. Dhe cfare eshte me e keqja Shkelesi eshte ai qe do kryeje aksident fatal dhe Polici rryshfetmarres do vazhdoje punen e tij te perditshme.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.