Takimi me dramaturgun 'e thyer' Minush Jero

Postuar në 10 Tetor, 2012 03:36
Spartak Ngjela

Minush Jero ishte kartelisti i Kampit të Përqendrimit! dhe kartela ishte shenja e çdo të burgosuri që mbahej në evidencën e shtetit, për aq kohë sa ishte ende gjallë, sepse aty shkruhej gjithçka, derisa të vdisje apo të liroheshe nga burgu. E pashë Jeron me njëfarë habie dhe dyshimi njëherësh, por nuk m’u dha që të vijoja edhe më tej mendimin tim për statusin e tij, sepse vetë Minushi, duke më vënë dorën pas krahut, ua bëri të gjithëve me shenjë që ta pasonin për t’u futur në kamp. Dhe ashtu bëmë të gjithë: nga dera e vogël prej dërrase, që ishte përbri një dere të madhe hekuri, hymë në Kampin e Ballshit. Ishte një oborr i madh, i gjerë, dhe brenda tij shihej se të burgosurit,  dy e nga dy, apo edhe më shumë, bënin xhiro të qetë dhe pa zhurmë. Ishin shumica të veshur me kostumet ngjyrë kafe e me kapele të bardha, njëlloj si ata që kisha parë nga ballkoni i shtëpisë sime qëkur kisha qenë i vogël, aty nga viti 1955, domethënë afro 20 vjet përpara; dhe po njëlloj, me po ato kapele e me ato kostume. M’u duk vetja se kisha hyrë në një çmendinë, sepse të burgosurit që xhironin m’u dukën të gjithë si të ndërkryer, të zbehtë në fytyrë dhe të gjithë të ngrysur. Qëndrova disa minuta përballë tyre për të këqyrur të gjithë atë oborr të madh burgu, dhe përsëdyti thashë me vete: “tamam si një çmendinë”. Në fakt, njëlloj si ajo që kisha parë në filmin Rrëfimet e Komisarit të Policisë, të regjisorit italian Damiano Damiani. Ishte një film italian që kishte bërë shumë bujë në Shqipërinë e viteve shtatëdhjetë e që në qendër të vet kishte ngjarje të mafies italiane. Po më habiste fakti, por nuk po më hutonte, ndonëse më impresionoi në një mënyrë të pakuptueshme e ndoshta brenda asaj pyetjes së fshehur në të thellat e vetes, që gjithmonë bëhet po vjedhurazi e në mënyrë të fshehtë, për enigmën. Ne nuk jemi të mësuar që të përballojmë pa emocion enigmën, dhe prandaj stepemi tek shohim atë që shpesh i themi “e papritura e jetës”. Por kjo nuk ishte aspak një e papritur, ishte një enigmë, që qerthullonte e vërtitej e gjitha në mendimin e thellë brenda meje dhe që kishte të bënte me ndërrimin e formës së jetës. Isha futur në krijimin sui generis të Stalinit, në kampin e përqendrimit; shpikja më e madhe e revolucionit bolshevik dhe sidomos një instrument stalinian për t’i gjetur alibinë skllavërisë. Të gjithë tiranët e kanë dashur skllavërinë, por kjo staliniania, që po e shfrytëzonte Enver Hoxha sipas modelit të “përmirësuar” të tij, ishte ndoshta nga më të kobshmet e kohëve moderne. Edhe kampet e Hitlerit kishin qenë, po ashtu, skllavëri dhe një ndjenjë sadizmi që duhej të qarkullonte nëpër hapësira për t’u hakmarrë Udhëheqësi; dhe kudo njëlloj, kudo me një Udhëheqës, që kërkonte të ndryshonte historinë apo ta niste atë nga e para. Ç’ishte kjo shfryrje egërsie që e kishte pushtuar botën e nuk po pranonte të largohej? “Kush do ta shfarosë këtë sëmundje?”, pyeta veten ndërkaq tek shihja ata njerëz të vuajtur që ecnin sikur ishin në terr e kushedi sa vjet kishin punuar nëpër këneta, fabrika apo miniera. Por Minush Jeroja, për çudi, m’u duk sikur të ishte në shtëpinë e tij, a thua se aty kishte jetuar prej vite e vitesh, e ndoshta mua po më dukej se edhe dramat e tij mbase i kishte nxjerrë nga ai vend i çuditshëm, që hapej në një oborr të madh, me kapanone pupuliti dhe me njerëz të heshtur që lëviznin pa zhurmë e pa asnjë fjalë. “Një përmortje e madhe”, thashë sërish me vete, gjithë duke pritur dramaturgun, i cili ndoshta do të më jepte mundësinë të kuptoja aktin e parë të dramës së tij. Diçka kisha nisur të dyshoja për të.

Pas pak Minush Jeroja u kthye me një çelës në dorë dhe hapi derën e zyrës së tij. Pastaj na bëri me shenjë që të hynim dy e nga dy. Kurse mua më mori vetëm. U futa në zyrën e tij dhe u ulëm shumë pranë me njëri – tjetrin. Ishim vetëm për vetëm. Dhe unë e ndieja se ai sikur kishte një ngërç të brendshëm, por edhe një si besim që do të dilte shpejt nga burgu, sepse po shërbente me qëndrimin e tij. Të paktën kështu po më dukej në sjellje, sepse, ndonëse kishte folur pak, dukej sikur ndihej si të ishte në shtëpinë e tij. Madje më bëri edhe një kafe në një plitkë atje, dhe kjo sikur më shtyu që të mendohesha edhe më shumë. Para se ta takoja në atë mjedis burgu e dija se ai ishte thyer në hetuesi dhe prandaj kishte implikuar shumë intelektualë nëpër dosjet e hetuesisë, por kjo nuk kishte shumë rëndësi për mua, sepse ndërkaq e dija se çfarë ishte në fakt hetuesia e Sigurimit të Shtetit, çfarë ishte izolimi i gjatë dhe hija e rëndë dhe e frikshme e eliminimit fizik. Megjithatë, dramaturgu po tregohej i afërt me mua, dhe nisi të më flasë për burgun, i cili, pasi e kisha parë, në ato çaste të para më kish futur në disa mendime që kurrë nuk m’u hoqën nga mendja, sepse për mua ai ishte impakti i parë i asaj lloj jetese.

I akuzuari i thyer Minush Jero

Megjithatë, Minushi sakaq i ra shkurt jetës së tij në këto vite, sepse ishte në burg që nga viti 1973, por nuk ishte i sigurt se çfarë qëndrimi kisha unë. Megjithëse, në atë fillim më dukej të kishte mendimin se edhe unë isha “një i penduar” që do të vijoja të bëja këtë lloj jete dhe lojën e tij, për të dalë sa më shpejt nga ai rreth ferri. Të paktën kështu po më dukej në ato çaste të para, tek e dëgjoja në rrëfimin e tij të shpejtë. Kurse unë vetëm po e dëgjoja. Më fliste edhe mua me një lloj autokritike, e cila po më habiste, sepse “që në fillim” më tha, që në orën e parë kur ishte përballur me hetuesin e  Sigurimit, të quajturin Dhimitër Shkodrani, i ishte shprehur atij kështu: “Përderisa doni të flas e të tregoj, po ua them të gjitha, sepse këtu më thirrët. Po të më kishit thirrur diku gjetkë edhe aty do t’ju tregoja”. Menjëherë nisa të ndiej një si bezdi të brendshme. U kujtova aty për aty se, ditën që e kishin arrestuar, në 1 majin e vitit 1973, e kishim lënë që të takoheshim bashkë te bar “Drini” në Tiranë. Në fakt unë shkova atje dhe dëgjova për arrestimin e tij dhe të Mihallaq Luarasit. Kurse tani e kisha përpara krejt të transformuar, ose-ose ndoshta kështu kishte qenë gjithmonë. “Qenka spiun”, thashë me vete dhe se ç’ndjeva së brendshmi, një ndjesi që sikur i ngjan prekjes me gishta të një lëkure gjarpri të tharë, një nga ato që gjenden rëndom nëpër pyje pasi gjarpërinjtë kanë ndërruar lëkurën. Por tek e dëgjoja që fliste kështu, po më lindte edhe ajo ndjenja e pashpjegueshme dot, e cila befas, pa e kuptuar, të sjell e të vendos distancën që krijohet nga mospranimi i një individi, të cilin nuk mund ta pranosh moralisht. Por u kujtova ndërkaq se ai që kisha përpara e që po fliste ashtu ishte një “i akuzuar i thyer”. M’u kujtuan të gjitha ato që kam thënë për gjyqet e stisura dhe e dija se edhe personi që kisha përpara kishte hyrë rëndom në atë rrjedhë psikologjike të të gjithë “të penduarve”. Por nuk dija se çfarë të thosha për këtë të penduar, që tani e kisha përpara e po kërkonte që të më imponohej edhe mua. Kisha lexuar për gjyqet staliniane, madje edhe për të pushkatuarit e Enver Hoxhës, që kishin qenë në rrethin e tij të ngushtë; Koçi Xoxe madje, tek po shkonte drejt ekzekutimit, me anë të një letre, i kishte lënë Enver Hoxhës amanet fëmijët dhe gruan, a thua se po vdiste nga kanceri dhe jo nga plumbi i Enver Hoxhës. Edhe të tjera si këto kishte sa të duash, prandaj e kuptova edhe hullinë e Minush Jeros, një të akuzuari për veprimtari armiqësore kundër regjimit. Kishte shkruar në fakt disa drama me vlerë për kohën, por nuk e kuptoja sesi një dramaturg të kishte një pendesë të këtij lloji; dhe, ndërsa ai po fliste e fliste rreth pendimit të tij, u mata disa herë që ta pyesja nëse kishte qenë i penduar edhe për ato që kishte shkruar. Por nuk e bëra këtë, sepse ai po sillej shumë mirë me mua, dhe nuk më jepte shkas që të tregoja pakënaqësi politike që në ditën e parë kundër tij.

Refuzimi i Këshillit të Edukimit

Por, duke e parë sjelljen time disi tolerante dhe mirëkuptuese, siç duket iu rrit edhe më shumë oreksi tek më tha: “Spartak, ne këtu kemi një Këshill Riedukimi, ku bëjnë pjesë thuajse të gjithë të burgosurit dhe ku bëjmë punë politike, sepse kështu ke lehtësira edhe në lidhje me lirimin e shpejtë dhe para kohe”. Po e shihja me njëfarë neverie, por nuk e bëra veten, sepse doja të merrja vesh sa më shumë për këtë konglomerat spiunësh, i cili na quhej edhe “kamp riedukimi”, gjë kjo që e lexova që në krye të herës te porta e tij. “Minush, po kush e drejton këtë lloj këshilli?” e pyeta unë ndërkaq si me interes, por edhe me një ton disi ironik, të cilin ai sikur e kuptoi sepse, menjëherë ndërroi disi çehren e fytyrës. “Po ja, tha jo me shumë prirje të favorshme, pendesa është në qendër të gjithçkaje, dhe unë jam sekretar i Këshillit të Riedukimit, i cili ka edhe një Kryetar e dy nënkryetarë”. Më vinte vërtet për të qeshur, por Minushi ndërkaq e kishte kapur që diçka do të ndodhte në ato çaste midis nesh. E kuptova se po priste këtë, dhe kjo në fakt i ndodhi. “Dëgjo, Minush, i thashë unë pas pak, ngadalë e me një farë ironie. Unë nuk kam nevojë të riedukohem, se kjo më duket e turpshme, por, a më lejon që të të shpreh devizën time, se kështu të dy do të jemi më të qetë?” Ai në fillim u step pak, pastaj tha vetëm kaq: “Sigurisht”. “E kam shumë të thjeshtë filozofinë time për këtë burg, Minush”, i thashë unë ndërkaq, ndenja pak e mandej, duke e ngritur zërin me qëllim, vijova: “Jam kundër regjimit të Tiranës deri në fund dhe kam qëndrim antikomunist, prandaj s’kam nevojë për asnjë lloj riedukimi!”. Ai mbeti i stepur, por nuk fliste. Kushedi se çfarë bluante me vete në ato çaste, por unë e kuptoja që nuk kishte kurajë të ma thoshte atë që po mendonte. Ma njihte tipin dhe sigurisht që nuk donte të konfliktohej me mua që në minutat e para. Pastaj e kuptoja gjithashtu që, atë pritje miqësore që më bëri, sigurisht që ia kishin kërkuar. Ishte në rol e në detyrë, dhe kjo po e bënte qesharak në sytë e mi. Por ky takim u bë shkas që gjatë atyre viteve që ishim bashkë, takoheshim e flisnin shpesh për teatrin e për dramaturgjinë, për letërsinë dhe historinë, por asnjëherë për politikën; derisa u përplasëm përfundimisht një ditë kur për mua nuk mbante më ujë pilafi që të duroja një njeri të katandisur si mos më keq.

I kujtova ndërkaq edhe faktin se ai e dinte qysh në Tiranë se unë nuk e pranoja regjimin e Tiranës; që flisja hapur kundër Enver Hoxhës; prandaj po më habiste fakti se përse e kishte marrë përsipër këtë rol. “Ia kanë kërkuar”, thashë sërish me vete kur e pashë se nuk hiqte dorë nga ajo lloj propagande prej të penduari që po më bënte, por ndërkaq, për t’i thënë që të ndalonte me atë lloj përçartjeje, i kujtova se unë nuk isha bërë rastësisht kundërshtar me regjimin e Tiranës dhe me atë që ai e quante socializëm. “Minush, bindjet nuk mund të ndërrohen si këpucët”, i thashë ndërkaq, gjithë duke i përmendur një thënie të një disidenti rus, të cilën e përmendnim rëndom në Broduej. Por ai sërish nuk foli. U zgjat ndërkaq aty te një si sirtar që mbante përmbi tryezë dhe mori kartelën time e po e mbushte. E shihja se ishte i pushtuar nga një lloj emocioni që nuk dukej si tronditje, por më shumë si një lloj roli që nuk i kishte ecur, dhe prandaj ndihej sikur nuk e kishte përmbushur dot mirë një porosi që i kishin dhënë.

“Mirë, Spartak; tha dikur Minushi, ne bashkë mbaruam, do shihemi besoj shpesh këtu”.

Kaq ishte takimi im i parë me dramaturgun Minush Jero, për të cilin kishim folur me orë e orë të tëra me shokët në Tiranë, për fatin e tij si objekt i terrorit, por edhe si një njeri të talentuar. Në fakt ai kishte marrë fund. Sartri kishte thënë që “ekzistenca përbën esencën”, e unë nuk kisha sesi t’i kërkoja llogari një individi, i cili ishte i zhytur i gjithi nën kthetrat e frikës, sepse mund  të humbte ekzistencën. Sigurisht që deri këtu, ishte puna e tij, por, a kishte implikuar edhe të tjerë me frikën e tij dramaturgu Minush Jero?

Marrë nga libri “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, botuar nga Mapo Press

Comments

Submitted by Nuri Gorishova (not verified) on

Spartak Ngjela shkelqen, sa here qe investohet tek rrefimet e se shkuares.

Minushi i shkrete...aq mund te mbante, teresisht i pambrojtur, pa drite per te ardhmen, iu dorezua uniformave te shtetit, te cilin nuk e njihte...

Ngjela, eh, Ngjela e dinte, shtetin, pothuajse e kishte pare se si ngrihej perdite ne familje!

Spartak Ngjela ishte krijuar dite pas dite, por nuk do ishte bere ai qe eshte, nese s'do ishte bir i Kiço Ngjeles: familja e tij i dhuronte para jo te vogel komunizmit, para clirimit eshte fjala, mendoi t'ja merrte mbrapsht keto para pas luftes, dhe Kiço u ngjite lart...

Makuteria per pushtet, ashtu si naiviteti perballe pushteteve, eshte veti e atyre qe nuk kane pasur pasuri, apo atyre qe nuk e kane pasur pushtetin. Ngjelet nuk ishin nder keta.

Ngjelet luajne me mencurisht. Por luajne.

Ja, shikojini: me Enverin po, me Hijen e Mbretit po, me Salen po!

Dhe serish destina: e pesuan prej Enverit, u divorcuan me legalistet, e pesuan prej Sales!!!

Pse?

Sepse, si mencurake qe jane, si te kultivuar, kane rezerva per te gjithe. Edhe ndaj vetes.

Ndaj luajne "me pak", dhe po keshtu humbasin...

Jane te rikuperueshem, e konsiderojne politiken si "tregeti me pakice".

Levizin majtas-djathtas, iku nga Blloku ne Burg, doli dhe levizi nga e Djathta e aktualisht shfaqet tek e Majta. Jo pse eshte Edi atje, nuk besoj dot se eshte shkak i mjaftueshem: me shume prirem te besoj se ka nje lloj shtyse per te ri-investuar zhgenjimin prej Hoxhes! Natyrisht ndryshe, por bashkejetesa e gjate ideologjike me te Majten, e ka holluar shume pigmentin e tregetareve tek Ngjelet:

Spartak Ngjela, po te pranoj kete version, mund te na dhuroj gjera te shkelqyera!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.