Zjarri që nuk e shohim

Postuar në 13 Tetor, 2012 09:30
Flutura Açka

Nuk mjaftuan as njëzet ditë sakrifica për njëzet qytetarë shqiptarë, ish-të përndjekur politikë, të shkundin shpërfilljen tonë. Madje as akti i vetëflijimit të Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos. Pikërisht sot, kur fanfarat do të lajmërojnë festën e fitoreve tona të përgjysmëta e të vakëta, ‘gëzimin’ tonë e përtym një zjarr, të cilin, ose nuk e shohim, ose bëjmë sikur nuk e shohim, ose bëjmë sikur nuk ka lidhje me ne. Sigurisht zëri i të ngujuarve të grevës së urisë sot, në atë çadër që na kujton turpin tonë të indiferentizmit, do të vaket nga tam-tamet e propogandës së Integrimit, por nuk ia shlyen dot kësaj Shqipërie të lodhur njollën e këtij çnderimi publik të demokracisë së saj. Mjafton ai zjarr, i komentuar ndonjëherë edhe me cinizëm, që si qytetare, si shkrimtare të solidarizohem me një kauzë të tillë qytetare, edhe pse jam kundër ndërmarrjeve dhe sakrificave të tilla ekstreme. Pavarësish motivimit politik, apolitik, ekonomik e përtejekonomik i grevës, besoj se ka vend për t’u marrë seriozish me ta dhe kërkesat e tyre.

E kam ndjekur gjithë këto ditë me një shqetësim njerëzor e qytetar fatin e atij grupi të vogël (por që padyshim përfaqëson një grup të madh) të ish-të dënuarve të ndërgjegjes, mes tyre skenën e djegies së Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos, zjarr i cili nuk besoj se ka lënë ndonjë shqiptar, në thelbin e tij si qytetar, pa e prekur. Kur këtë shqetësim e shpreha me disa miq të mi, me të cilët demokracia është treguar tejet ‘bujare’, m’u hodhën në fyt për mbrapshtinë që më shkonte në mendje duke i mbrojtur ‘bukëshkelësit’ e grevës, disa miq të tjerë, për të cilët demokracia nënkupton barazi para së drejtës dhe ligjit, ngjarja ishte brengosëse.

E ndërmestë mes këtij kaosi gjykimesh të kundërta dhe njoftimesh mediatike (një pale ekstreme madje e cilësonte gënjeshtar, hipokrit dhe të marrë Gjergj Ndrecën, fjalë që do të skuqnin çdo gazetar të përgjegjshëm, veç shërbëtorëve të tillë shqiptarë të politikës), besova se të paktën, një njeri i vetëm si Presidenti i Republikës, do të dinte të ngrihej mbi këtë gjithnajë bëmash e fjalësh, dhe si qytetar të ndalej dhe të vizitonte dhe të kërkonte zgjidhje për qytetarët e vet. Qoftë, edhe një i vetëm, qofshin edhe pesëmbëdhjetë qytetarë, për një shtetar të paanshëm raporti me të drejtën e jetës dhe të drejtën qytetare, është një përgjegjësi e madhe. Nëse një presidenti të tillë, nuk i bën përshtypje të digjen dy qytetarë të tij, për çfarëdo arsye qoftë, e drejta e tij për të qenë president i këtyre qytetarëve, shtegton.

Por zhgënjimi nga fjalët e presidentit, ishte më e rëndë nga ç’e mendoja. Dhe, pavarësisht respektit personal që kam për figurën e tij (si më e buta mes asaj katrahure që na u servir në teatrin presidencial disa muaj më parë), ai mbetet një figurë politike, dhe demonstroi përkundër bindjes dhe shpresës sonë, se është një figurë politike. Por kjo është një zgjedhje e tij, dhe përgjegjësia e tij përtej asaj poltike, është edhe historike.

Por të ndalem te çështja në fjalë, te greva e urisë, te Gjergj Ndreca e Lirak Bejko dhe motivimi politik me të cilën u përligj shpërfillja e plotë e pushtetit ndaj tyre. Shqetësimi im, si një qytetare e paangazhuar politikisht, është thjesht shqetësim qytetar, që nuk mund ta pranojë që një zjarr si i Gjergj Ndrecës e Lirak Bejkos të jetë kryelajm në të gjithë botën, që Shqipëria të jetë sërish vend i zjarreve kaçake, ngaqë nuk ka mendje të qeta që të ulen e ta zgjidhin, që Tirana jonë është ende vend shatoresh e sofrash, ngaqë nuk ka tryeza për t’u ulur, sepse ata që duhet të ulen në të dy anët e saj, nuk janë palë që duhet të bashkëpunojnë, por armiq të betuar.

A është në fakt greva e urisë së këtij grupi ish-të burgosurish politikë, grevë politike?

Një ish-të burgosuri politik si Gjergj Ndreca, Lirak Bejkos dhe kolegëve të tij të grevës, nuk besoj se ka ndonjë politikë që mund t’i marrë e t’i bëjë pjesë të saj. Nëse duhet të akuzohen për ndonjë anë poltike të tyre, është pikërisht dedikimi i tyre ndaj së djathtës për gati dy dekada, me të drejtën e tyre për të qenë pjesë e ndryshimit të madh politik. Përtej kësaj të vërtete të qartë, pati mes tyre edhe nga ata që u bënë palë me politikën majtas e djathtas për përfitime personale, duke e minuar kauzën e tyre të drejtë, ose duke e penguar atë për t’u realizuar plotësisht, deri në ditën e përballjes me ngjarjet e fundit. Nëse opozita e përdor, apo e keqpërdor këtë grevë urie, qoftë edhe nën petkun e të drejtave të njeriut, si pjesë të kauzës së vet, nëse partitë e reja politike gjenden këto ditë pranë këtyre njerëzve, qoftë edhe për kapital politik, kjo nuk arsye që shteti (që është skajmërisht politik dhe s’duhet të jetë politik para qytetarit të thjeshtë) t’i braktisë dhe të mos gjejë vend për të folur dhe negociuar, aq më keq t’i fyejë e t’i poshtërojë.    

Personalisht, nëse opozita e sotme (e cila kur ka qenë në pushtet e ka injoruar totalisht këtë shtresë) e ka parë të udhës ta përfshijë në programin e vet edhe raportin me ish-të përndjekurit poltikë, e shoh si një hap pozitiv, si një prirje për t’u ndarë nga e shkuara e saj kriminale në raport me këtë shtresë. Ne nuk mund të gjykojmë dhe akuzojmë grevistët dhe grevën e tyre si grevë politike, kur eksponentë të opozitës, të asaj opozite politike me të cilës pozita punon çdo ditë për t’i bërë me dije Evropës bëmat tona (shpesh sa për sy e faqe), i takojnë edhe interesohen për ta. Opozita është në të drejtën e saj të kërkojë shpjegime nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Financave, të kërkojë që çështja e ish-të përndjekurve politikë të diskutohet në Parlamenin shqiptar, por nuk është kurresesi në nderin e opozitës të lërë nga një tyrxhemen te çadrat për të monituar kush hyn e kush del në to (siç më ndodhi të shihja kur personalisht e vizitova grevën) dhe as është në nderin e shtetit-politik që për shkak të pranisë së tyrxhemenit apo vizitave dhe solidarizimeve të të papëlqyeshmëve, t’i braktisë qytetarët e vet.

Por le t’i quajmë të mirëqena akuzat e sulmet se kjo grevë urie është një grevë politike. A mundet një grevë e pesëmbëdhjetë vetëve qartësisht të varfër, të jetë aq agresive sa të cënojë skalionet politike? Sot e gjithë ditën: Jo. A mundet një grup I tillë që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës të pranojnë të përdoren nga një palë që ende nuk është pastruar tërësisht nga ish-eksponentët kriminalë që janë në përbërje të saj ende? A munden të jenë të qetë ish-të burgosurit politikë kur zërit të tyre nuk u jepet akses i plotë në disa ekrane të njohur për shërbimin e tyre të devotshëm ndaj qeverisë (qeverive), dhe në të njëjtën kohë i lihet hapësirë pafund të derdhë ende grafmën e saj prej kufome e veja e diktaturit dhe pinjollët e diktaturës? Përse nuk u bë deri tani asnjë përpjekje nga mazhoranca në pushtet për t’u neutralizuar i ashtuquajturi sens ‘politik’ i grevës?

Fundja, mes dy kampeve politike, mazhoranca i ka të gjitha mundesitë, edhe té drejtën, të themi, historike, të bëjë marrëveshje dhe të ulet me ish-të përndjekurit politikë. Përpara se të mendojnë për t’i asfaltuar gjarpërimet e rrugëve të fshatrave rrotull Tiranës deri te vilat e tyre, mund të mendojnë për vitet e jetës që u kanë mbetur këtyre njerëzve të shkatërruar nga diktatura, përpara se të mendojnë legalizimet dhe lejet e ndërtimeve nëpër tokave të okupuara pa kurrfarë kriteri anembanë Shqipërisë së militantëve të tyre (majtas e djathtas), le të mendojnë si t’i kompensojnë ish-pronarët që kanë 22 vite që rreken të na kujtojnë se kërkojnë veç gjënë e tyre të grabitur dhe që besuan do t’u kthehej bashkë me lirinë dhe të drejtën për të cilën iu bashkuan ndryshimit të madh politik.

Për sa kohë të drejtat e kësaj shtrese, ish-të përndjekurve politikë, që me format ekstreme dhe të dhimbshme që po ndërmerr, po përpiqet të na thotë se ka  nevojë për përfilljen tonë, nuk do të merren në konsideratë, tunelit të gjatë të tranzicionit nuk do t’i duket lehtë drita anës tjetër dhe Atdheut tone do të vazhdojë t’i mbetet damka ndër evropianë si Atdhe i frikshëm, ku njerëzit ngaqë shpërfillen plotësisht nga shteti i tyre, i vënë zjarrin vetes, por edhe pasi i venë zjarrin vetes, shteti ende nuk e sheh zjarrin, pasi është i zënë me çështjet e Evropës, shoqëria ende nuk e sheh se është e varfër dhe është e ndarë majtas e djathtas, dhe intelektualët ende nuk e shohin sepse nga nëpunësa të shtetit, mund t’u duhet t’i bëjnë shoqëri kolegëve të tyre të papunë te sheshi Partizani i Panjohur.

Zjarrin e shohin vetëm të huajt, që druhen se po ta lënë të zgjerohet, ka të ngjarë t’ua çojë tymin deri të ndenjëset e tyre dhe nxitojnë ta fusin në vathën e Evropës këtë aradhë noprane delesh të pabindura e me civilizim të cunguar.

 

* Shqiptarja.Com

Comments

Submitted by dritan (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>Znj Acka si grua qe je a nuk te ben pershtypje qe kryetari i greves se urise eshte denuar 7 vjet me burg sepse ka detyruar gra e nena si ty te ushtrojne zanatin e prostitucionit ????</p><p>Eshte e tmerrshme te shohesh mbeshtetjen &lt;&lt;intelektuale&gt;&gt; qe i jepet nje horri !</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.