Për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën

Postuar në 16 Tetor, 2012 14:19
Jakup Krasniqi - Intervistë

Kreu i Kuvendit te Kosoves foli mbrëmë në emisionin "Shqip" të Rudina Xhungës edhe per debatin mbi historinë, rolin e Ahmet Zogut dhe atë të Enver Hoxhes. Më poshtë, pjesa e intervistës që prek këtë temë:
 
Rudina Xhunga: Në Shqipëri dhe në Kosovë gjithashtu, ky vit i 100 vjetorit ka përkuar edhe me debate të mëdha për rishkrimin e historisë. Ju e keni ndjekur z. Krasniqi?

Jakup Krasniqi: Po, edhe e kam ndjekur por edhe jam përpjekur të jap kontributin tim në këtë drejtim. Mundësitë e cdo kohe janë për të patur një kënd të vështrimit të historisë dhe sigurisht që cdo historian dhe shkenctar i mirëfilltë që merret me shkencën e historisë paraprakisht duhet të jetë i liruar nga politika e ditës se në fund të fundit ne nuk mund të akuzojmë një politikë të një periudhe të caktuar që ka ndërhyrë qoftë në interpretimin e shkencës së historisë për ti dhënë vetes të drejtë për të bërë interpretim politika e ditës. Në shkencë ka gjurmime, ka hulumtime, ka fakte, ka dëshmi dhe historia duhet të shkruhet mbi këto por në shkencat humanitare është edhe një mundësi që shkencëtari i ka mundëitë për të bërë selektimin e fakteve, e dëshmive dhe pak a shumë me i dhënë kahun nga këndvështrimi i tij personal. Shkencat shoqërore e kanë këtë mundësi dhe shpesh herë shkencëtarët e bëjnë këtë. Megjithatë, historia e kombit tonë është shkruar edhe në të kaluarën, ka patur shkencëtar te shquar jo vetëm në hapësirën kombëtare por që i kanë tejkaluar edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ka dëshmi dhe fakte që kanë sjellë dhe nuk është shumë lehtë të kontekstohen ato që janë arritur. Megjithatë, shkencat shoqërore ashtu si të gjitha shkencat e kanë mundësinë e avancimit të tyre. Unë jam për avancimin e shkrimit të historisë.

Për shembull, cili është opinioni juaj për rishikimin e figurës së Ahmet Zogut?

Nuk jam marrë shumë meqenëse unë jam prej atyre njerëzve që janë marrë edhe me periudhën e rilindjes kombëtare, në mënyrë të vecantë me periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar. Faktet ndonjëherë janë kokëforta dhe dëshmojnë dicka tjetër. Unë jam i bindur se mbi gjithë atë që kam lexuar dhe analizuar, edhe gjatë këtij viti, për atë periudhë jam i bindur se janë figura të tjera ato që kanë krijuar dhe mundësuar shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Kryesisht ato kanë qenë figura që janë ushqyer me ide të rilindjes kombëtare, ishin programet e rilindjes kombëtare, ishin njerëzit që ishin mbartës të atyre ideve dhe atij programi që krijuan shtetin e pavarur dhe Sovran. Brenda një 10 vjecari u dëmtua shumë substanca e atij shteti që e kishin krijuar atdhetarët dhe që e shfrytëzuan të tjerët dhe u desh përsëri të dalin në skenë atdhetarët, e kam fjalën për periudhën në fillim të vitit 1920, për Kongresin e Lushnjes, pra ishin përsëri atdhetarët ata që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi, ishin përsëri atdhetarët ata që organizuan Luftën e Vlorës dhe që i larguan italianët nga Shqipëria. Pra, ishin këto lëvizje që ndodhën në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës që edhe Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Parisit në një farë mënyrë i detyruan që ta pranojnë shtetin shqiptar të cilin e kishte pranuar më parë Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913. Ashtu sic thashë, ishin atdhetarët ata që vendosën themelet e Shqipërisë. Ishte gjithashtu një klasë e cila ishte rritur në kuadër të Perandorisë Osmane dhe e cila kishte arritur të shkollohej në atë Perandori, që jetonte shumë me mentalitetin e asaj Perandorie, që në një farë mënyrë ata kishin kontribuuar në shkatërrimin e asaj Perandorie që ndoshta, edhe duke patur parasysh konjukturat e Fuqive të Mëdha të kohës të cilët kërkonin që në Shqipëri të vendoseshin drejtues që nuk i turbullonin fuqitë e Ballkanit. E kam fjalën se e gjithë Evropa e dinte se populli shqiptar me kufijtë që u vendosën në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës kishin shkaktuar padrejtësi të madhe, shqiptarët reagonin ndaj kësaj padrejtësie pasi gjysma e kombit kishte mbetur jashtë kufijve reale, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare kishte mbetur jashtë dhe ata për të krijuar një siguri të brendshme në Shqipëri por më tepër për të krijuar një siguri të jashtme në Ballkanin tonë ata stimulonin klasa politike që ishin për cfarëdo Shqipërie dhe natyrisht edhe figura e mbretit në atë kohë ishte e tillë që për interesat e një klase të ngushtë, e një klani të ngushtë luftonin për cfarëdo Shqipërie por jo për Shqipërinë etnike.
E keqja është se gjatë këtyre 100 viteve shpesh herë më lehtë kemi biseduar me armiqtë tanë sesa me njerëzit tanë të brendshëm që kanë qenë dashamirës të kombit. Unë po marr një shembull, Ahmet Zogu ka biseduar më shumë me palën serbe dhe greke si dy shtetet më armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe nuk ka krijuar miqësi me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën dhe figura të tjera të rëndësishme kombëtare. Ne duhet ta dimë këtë jo për të mbetur në labirinthet e atyre viteve por për të mos i ndjekur ato labirinthe.

Po Enver Hoxha, për cilën Shqipëri luftoi?

Lufta Nacional Clirimtare natyrisht ka rëndësinë e vetë pasi ishte një rreshtim në krahun e luftës anti-fashiste dhe kjo i ka dhënë një rëndësi por ndoshta konjukturat e kësaj kohe ishin të atilla që nuk mund të ndryshohej. Ndoshta vitet e Luftës së Dytë Botërore, edhe pas saj, kanë qenë vite që udhëheqja e kohës është dashur të kujdeset për ruajtjen e atyre kufijve që ishin caktuar dhe që i kishin gjetur. Edhe këtë e kam trajtuar për faktin se është një temë që rezistenca pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë e zhvilluar në Drenicë, në trevën prej nga unë jam, por konjukturat ndërkombëtare kanë qenë të tilla që edhe pse ne kemi luftuar për t’u shkëputur nga Jugosllavia e re që doli tani nga Lufta e Dytë Botërore, kanë qenë të tilla që shqiptarët kanë mundur të humbin më shumë por jo të fitojnë më shumë.

Domethënë, ndërsa jemi në vitin e 100 të Shqipërisë shtet, pa komplekse duhet të ndalojmë dhe të flasim për figurat jo bardh e zi, qoftë për Enver Hoxhën, qoftë për Ahmet Zogun, qoftë për figura të tjera pavarësisht nga klasa politike që udhëheq së fundmi.

Unë jam marrë ndoshta më tepër me periudhën e viteve ’80 e këndej dhe jam përpjekur ta trajtoj historinë jo bardh e zi, të mos ia mohoj askujt kontributin që e ka në forcimin qoftë të luftës për liri dhe shfrytëzimit të rrethanave të reja në Kosovë edhe kur kemi qenë nën sundimin e jugosllavëve-serbë, pra secilës figurë i duhet dhënë merita që ka por jo më shumë dhe nuk do të duhej largësia historike për ti dhënë dikujt përparësi dhe dikujt tjetër jo. Janë faktet dhe dëshmitë historike që tregojnë për angazhimin e secilit dhe sigurisht e rëndësishme është tani pas 100 vjetëve që Shqipëria është shtet dhe e kemi parë sesi janë ndërruar njerëzit, sesi janë ndërruar sistemet por Shqipëria ka mbetur. E rëndësishme për brezin tonë sot dhe në të ardhmen do të jetë Shqipëria dhe Kosova. Sigurisht që si dje edhe sot, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, ka shumëcka për të ndryshuar, për ta bërë më mirë por ajo që duhet të mësojmë është që mentalitetet e vjetra, mentalitetet që ngulfasin fjalën e lirë, që ngulfasin shprehjen, që nuk qeverisin me projekte dhe plane të caktuara por me menaxhin ditor. Menaxhimi ditor nuk sjell ndryshime që i duhen vendit, nuk sjell ndryshime që i duhen kombit dhe realisht kombit shqiptar në përgjithësi i mungon një klasë politike, akademike, shkencore, profesionale e cila do të bënte një projekt sesi do të dukej kombi brenda 5 vjetëve, pas 10 vjetëve apo edhe më shumë. Kjo na mungon dhe për këtë njerëzit e politikës, shkencës, njerëzit që e duan këtë vend, që duan ardhmërinë e këtij vendit duhet të angazhohen të punojnë me plane dhe projekte në të mirë të zhvillimit të gjithëkujt.

Marre me shkurtime nga “Shqip” ne Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.