Një formë e re sindikalizmi

Është për t’u vënë re që, ndryshe nga sa mendohet, maskarenjtë kanë një vetëdije tepër të zhvilluar përkatësie klasore. Për shembull, është pothuaj e pamundur të vëresh njërin prej tyre në rrugë, restorant, punë apo televizor, pa qenë ishoqëruar ekskluzivisht nga dy, pesë, dhjetë, apo në raste më interesante, edhe nga qindra maskarenj të tjerë. Ose, kur vjen puna për të pasur të njëjtin akses në resurse të përbashkëta, bie fjala, të drejtën për të punuar në sektorin publik, mund të vëresh që ata janë të prirur të punësojnë e të rrethohen veç prej të ngjashmëve të tyre, në e paçin këtë gjë në dorë. Kjo besoj, shpjegon atë faktin për të cilin debatohet shpesh këto kohët e fundit: Që administrata jonë është kthyer në një kurs full-time maskarallëku, ku të duhet të puthësh shumë bythë për të mbijetuar, pra të bëhesh një prej tyre; në mos, dyert e eprorëve do të të përplasen në fytyrë.
Maskarallëku, si zgjebja apo lebra, thonë se është sëmundje ngjitëse. Ndoshta për këtë arsye, kombet që kanë me çfarë t’u mburren kombeve të tjera, i mbyllin maskarenjtë pas hekurave. Ndërsa maskarenjtë tanë, nuk dihet për ç’ironi të fatit (apo ndoshta për shkak të leximit së prapthi që ne i bëjmë historisë) bredhin rrugëve me makina të shtrenjta, me truproja e bori të madhe, dhe përveç aktivitetit të tyre kryesor, punojnë me kohë të pjesshme edhe si deputetë, ministra, dijetarë, profetë e fallxhorë.Madje ka prej tyre që shkruajnë edhe libra (me kujtime të sajuara ose këshilla për jetën, kryesisht). Ndoshta e gjithë kjo është rezultat i zgjedhjeve tona kundër-revolucionare në fushën e higjienës dhe epidemiologjisë kolektive: E luftojmë murtajën me llogje facebook-u.
Do të mund të arrihej në përfundimin se kjo shqëri, për shkak të sëmundjes së vet dhe paaftësisë për t’u përballur me të, është në thelb një shoqëri neurotike. Për fat të mirë, kësaj i kemi shpëtuar me sukses, dhe ja se qysh: Një industri e tërë mediatike, pro-dhe antiqeveritare, nga mëngjesi në darkë mundohet të na mbushë mendjen se të gjithë janë pak a shumënjësoj, që të jesh maskara nuk është edhe aq keq sa duket, që disa vese duhen rishikuar dhe riklasifikuar si virtyte,madje së fundmi edhe eksponentë të opozitës i janë bashkuar kësaj nisme, duke u përpjekur të përthajnë neurozat subversive me injeksione eksperimentale me përqindje të lartë budallallëku. Mund të thuhet pa drojë që u kemi paraprirë me sukses problemeve që kanë lidhje me ndërgjegjen tonë kolektive: Në vend që të na vrasë, e kemi vrarë ne atë!
Për mjaft arsye, më shumë se sa një shpërblim për arritjet tona në fushën e bërjes së shtetit, këtë punën e integrimit dhe këto sorollatjet e Sequi, Wolfarth&Co., jam i prirur t’i shoh si një amnisti bujare (deri më tash e mbetur në tentativë), ndaj një kombi tën gujuar për njëzetedy vjet rresht në karantinë kolektive për shkak të maskarallëkut të klasës së tij politike (një pjesë të të cilit e kemi peshqesh nga sistemi i kaluar). Dhe atë teorinë e përmbushjes së dymbëdhjetë a ku di unë standardeve, e shoh si një mënyrë diplomatike për të na thënë që mos i lemë më maskarenjtë të bredhin rrugëve. Nëse ndonjëri pa dashje e humbet elegancën duke bërë pyetje të papërshtatshme të tipit: “Në qoftë kështu, si ka mundësi që Serbia e mori ‘amnistinë’ më herët se ne?” – do i përgjigjesha me një pohim në formën e një hipoteze: Me ç’duket, kombet e qytetëruara tolerojnë më pak maskarallëkun se vrasjet në masë!
Në një farë kuptimi, kanë të drejtë mediat dhe ata që duan t’i fusin të tërë në një kallëp; Meqë kemi bashkëjetuar për një kohë të gjatë me të, secili prej nesh e ka ndonjë histori të vogël kurvërie me makarallëkun (në vazhdim po përdor fjalën “flirt” për ata që kanë probleme me tensionin). Këto flirtime përgjithësisht shfaqen në formën e ndonjë ryshfeti ndaj batakçinjve me bllok gjobash në dorë (Déjà vu!), sa herë shkelim rregullat e qarkullimit, ndonjë ndërhyrjeje sipërfaqësore në matësit e rrymës, apo plehrave të braktisura në ashensor. Megjithatë, për ta qetësuar disi ndërgjegjen dhe për ta bërë gjumin një sipërmarrje të suksesshme, duhet theksuar që mes maskarallëkut të ushtruar si profesion dhe maskarallëkut që shfaqet si një transgresion i rastit, ka një dallim mjaft të madh. I poshtri profesionist ngrihet që në pikë të mëngjesit duke menduar si t’ia fusë dikujt, si të zhvasë ndonjë fond publik, si të shqyejë ndonjë gjë që nuk i takon, ndërsa maskarai rastësor është i tillë veçse në mënyrë episodike, si pasojë e një reagimi të kushtëzuar që e mëson të mbijetojë në një shoqëri barbarësh.
Këtë dallim, shyqyr zotit, e kemi ndërkallur edhe në kodin tonë penal, me anë të koncepteve të dashjes, paramendimit dhe fajit, duke i klasifikuar maskarallëqet sipas seriozitetit të tyre. Por, po mendoj që jemi tepër vonë për ta aplikuar këtë kod duke i plasur pas hekurave të gjithë maskarenjtë; për arsye se në sytë e verbër të ligjit do të meritonim secili nga pak burg, më shkon mendja në një zgjidhje që edhe nëse nuk e kuron sëmundjen tash-për tash, të paktën mund të na e shpëtojë në njëfarë mënyre namuzin në sytë e brezave që vijnë pas nesh: të mundohemi të paktën të izolohemi në njëfarë mënyre nga maskarenjtë që maskarallëkun e kanë profesion dhe mënyrë jetese. Dhe, për ta bërë këtë të mundur, lipsen masa radikale: E para e punës, do sugjeroja braktisjen e organizimeve partiake, meqë ato prej kohësh janë kthyer në çerdhe e habitate natyrore maskarenjsh dhe ku mundësia e infektimit është tepër e lartë. E dyta, të mos ndezim televizorë, të mos lexojmë gazeta, të mos mblidhemi në tubimet e tyre politike. E treta, të hiqet dorë prej grevave të urisë si formë e reagimit qytetar; është e provuar tashmë që në çdo grevë maskarenjtë depërtojnë më kollaj se mendohet dhe dihet që maskarenjtë, për sa u takon, janë grevëthyes profesionistë. Dhe meqë bojkoti kolektiv konsiderohet një vetëvrasje politike në fjalorin modern të demokracisë, të cilin kemi filluar ta lexojmë nga faqja e fundit, sugjeroj që në qendrat e votimit të shkohet me hundë të zëna ose me kundragaz, dhe nëse mungojnë këto të fundit, le të marrim pjesë në ankandet e Ministrisë së Mbrojtjes, se aty thonë që shiten lirë.
Po propozoj kështu një formë të re organizimi që ndryshe nga sa duket, ka karakter të pastër politik, dhe që në baze dhe si princip udhëheqës të ketë neverinë. Një neveri si formë e reagimit qytetar, tashmë pa kryetarë, tesera partie-diploma mediokriteti e lista të mbyllura deputetësh, qëllimi final i së cilës të jetë krijimi i një getojë virtuale kulturore, brendapërbrenda karantinës ku ne gjendemi të mbyllur për shkak të tyre që prej njëzet e dy vitesh; dhe nuk kërkohet kurrfarë pjesëmarrjeje, organizimi, angazhimi apo sakrifice kolektive (këto forma i kemi marrë shumë inat ngaqë na sjellin remineshenca traumatike nga epoka e kooperativave bujqësore). Ajo që kërkohet është që sa herë ata kanë një përrallë të re me integrim për të na treguar, ne të mbyllim sy e veshë; sa herë ata të na kërkojnë të marrim pjesë në mitingjet e tyre për të na ndërsyer kundër njëri-tjetrit, ne të qëndrojmë stoikisht në shtëpi duke parë filma me kopukë; dhe për ata që pjesëmarrjen nëpër mitingje dhe shpëlarjen e truve e kanë si narkotik pa të cilin nuk bëjnë dot, do të sugjeroja një trajtim ekstensiv me DVD me filma porno (ky trajtim ofron të njëjtën shastisje si mitingjet partiake, me avantazhin që nuk sjell efekte anësore si shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës apo plumbat e snajperave).
Unë do ta supozoja të efektshme këtë mënyrë të te të të bërit politikë, nëse do të merrnim parasysh, që maskarenjtë, njësoj si gjithë njerëzit e tjerë, e kanë të domosdoshme që të adhurohen, të ndiqen prej kamerave e burive, të kenë vëmëndjen e gjithë publikut, i cili sa më i shastisur të jetë prej dokrrave e përrallave të tyre me integrim, aq më i dobishëm është për qëllimet e tyre. Unë nuk mundem veçse të imagjinoj dhe të ëndërroj atë ditë që gjithë kjo shastisje kolektive të marrë fund. Do ta konsideroja të realizuar misionin e kësaj formë të re sindikalizmi, nëse një ditë do t’i shihja selitë e maskarenjve të braktisura nga kamerat e televizioneve që tashmë nuk i shikon më askush; nëse do t’i shihja ata duke monologuar broçkullat e përrallat e tyre me integrim në sheshet e braktisura nga çdo frymor përveç qenve rrugaçë; nëse do ti shihja ata, tashmë të rrethuar e të izoluar nga përçmimi kolektiv, duke mbledhur thasë, qese e çanta të mbushura ding me hajnitë e tyre, të zhdukeshin nga sytë këmbët në anonimatine tyre.
Do të sugjeroja gjithsesi, që sa më siper të mos lexohej ad literam. Më mungon shumë prej prepotencës intelektuale (modestisht e pranuar, edhe kompetenca) që nevojitet për të gjeneruar teori të reja apo inxhinieri sociale që i japin zgjidhje mjerimit moral në të cilin noton elita politike e këtij vendi. E megjithatë, kjo nuk më ndalon të konsumoj edhe unë aktin tim të “vetëdjegjes ”, i shfaqur ky në formën e një veçimi vullnetar e kategorik moral ndaj këtij pisllëku, në një moment të dëshpëruar kur qeveria ia ka dalë me sukses të kriminalizojë grevën e urisë të të përndjekurve politikë duke e deligjitimuar atë tashmë edhe me vendim gjykate, dhe ndërkohë që eksponentë të opozitës turpërojnë çdo qytetar të këtij vendi, duke deklaruar që ata “nuk mund të përfaqësojnë grevistët e urisë”. Unë nuk ndjej asgjë të përbashkët me këta politikanë! Nëse do më duhej të vetëquhesha shqiptar, duke u identifikuar me ta, unë do hiqja dorë pa kurrfarë hezitimi nga shtetësia e këtij vendi. Akti i fundit i dramës së turpit që po luhet te “Komuna e Parisit” demonstron edhe njëherë që për klasën tonë politike maskarallëku nga sëmundje, është shndërruar në filozofi e moto të tyre.Walter Benjamin diku në veprat e tij thotë që çdo monument i ngritur në emër të civilizimit të një kombi, është në të njëjtën kohë monument i barbarizmit të tij. Ajo që unë shoh në të vetmin monument që kemi ngritur në këto njëzet vjet, në monumentin e mosbythëçarjes, në këtë mollok heshtjeje kolektive të sëmurë, në këtë konsensus të rremë që fsheh në gji një masë të frikshme dinamiti, është mungesa në të e çdo gjurme civilizimi. Krejt ndryshe, ajo është ekskluzivisht monument i barbarizmit tonë, barbarizëm të cilin nuk mund ta maskojmëpër shumë kohë pas çertifikimeve populiste për marrjen e statusit, apo pranimit ne BE. Dhe për të dalë nga kjo gjendje, unë nuk shoh zgjidhje politike, në kuptimin tradicional të fjalës. Duhet karantinë! Nëse ndonjë prej jush ka ndonjë sugjerim më të mirë, bujrum ta cicërojmë atë në Twitter.
Comments
Pergezime per artikullin.
<p>Pergezime per artikullin. Eshte i frymezuar dhe qe me te vertete ja vlen ta lexosh. Nje panorame thuajse virtuoze e gjendjes ne te cilen "llumotitet" shoqeria shqiptare.</p><p>Por sic e pranoni edhe vete nuk keni zgjidhje, pervec bojkotit te politikes ne pergjithsi, i cili tashme ekziston. Gjysma e shqiptareve nuk shkojne per te votuar.</p><p>Ne vendet e tjera ekzistojne semundjet si korupsioni etj., por atje ekzsiton edhe ilaci, i cili nuk le qe gjerat te degradojne ne nje dekompozim te plote te trupit te shoqerise, sic po ndodh ketu tek ne. Tek ne qeveria ka arritur deri ne legjitimimin e semundjes dhe ne heqjen dore nga te luftuarit te saj (vetem ne rradhet e veta ama, se sa per opoziten ajo mbehet gjithmone ne gryke te topit!).</p><p>Qeveria ka treguar se eshte e zonja jo vetem te vjedhe, por edhe te shuaje cdo perpjekje per sa do pak ndershmeri dhe drejtesi ne kete vend. Qeveria eshte problemi, ajo shtyp cdo levizje anti konservatore ne kete vend. Nese edhe ilaci i fundit i demokracise, rotacioni i pushtetit do te dale jashte perdorimit, atehere nuk na mbetet gje tjeter vecse te shohim cili do te jete fundi "natyral" i modelit berishian te pushtetit.</p>
Add new comment