Grevistët e urisë

Postuar në 23 Tetor, 2012 06:19
Daut Gumeni

“Çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë dhe  çdo njeri e ka për detyrë të mbrojë lirinë e të tjerëve”  (Annette Lantosh)

 

Një grup të burgosurish politikë të diktaturës komuniste qëndruan për një muaj në grevë urie dhe pushteti nuk pranoi të dialogojë me ta. Ata të burgosurit politikë të diktaturës së djeshme hynë në grevë urie, sepse pushteti aktual i Tiranës nuk u ka dhënë të drejtën e tyre, duke shkelur harbutçe edhe ligjin përkatës të miratuar nga vetë kjo skotë pushtetarësh të papërgjegjshëm.

Kjo skotë  pushtetarësh të sëmurë nuk dëgjon as të dialogojë me të burgosurit politikë të diktaturës së djeshme, sepse është kapur në shkelje të hapët të ligjit që ka miratuar vetë, me sa doli tashmë sheshit për të gjithë, jo për të dëmshpërblyer të burgosurit politikë  të diktaturës së shkuar, por për ta përdorur edhe ligjin si pjesë të propagandës së saj në dobi të një sundimi sa më të gjatë.

Që të mundohemi për të qenë sa më të mbështetur në fakte e të mos mbeten aq të pakënaqur edhe tifozët e thekur të këtij lloj pushteti, le të provojmë t’i shohim gjërat ashtu siç janë.

Ligji  9831 i datës 12 nëntor 2007 parashikon që dëmshpërblimi i të burgosurve politikë të diktaturës komuniste të likuidohet në tetë këste vjetore. Pa e përmendur fare synimin klasor të miratimit të një ligji të posaçëm për të burgosurit politikë të diktaturës komuniste, kur Kodi Penal dhe Kushtetuta në fuqi e kanë të shprehur qartë të drejtën e dëmshpërblimit për të gjithë të burgosurit e shpallur të pafajshëm më vendim gjykate, po ndalemi vetëm në kalvarin që hoqën e po heqin dhe sot të burgosurit politikë në rropatje për të marrë këstet e dëmshpërblimit të parashikuar nga ligji në fjalë.

Pushteti aktual, pasi miratoi me pohë e bujë të madhe Ligjin 9831 dhe shpalli këstet vjetore përkatëse të likuidimit, nxori një marifet të padëgjuar dhe të çuditshëm:

Të burgosurit politikë të diktaturës duhet të bënin aplikimin me dokumentet përkatëse, apo njëfarë lutjeje për t’u njohur si të burgosur politikë nga pushteti aktual i Tiranës(!) në vend që të ngarkoheshin dikasteret përkatëse për të zbatuar ligjin të ekzekutivit dhe të burgosurve t’u kërkohej vetëm adresa e tyre dhe një numër llogarie në bankën dëshironte vetë pushteti. Madje, në një nen të atij ligji thuhet shprehimisht e zeza mbi të bardhë se ”dokumentet e nevojshme duhet të ishin me burim arkivor”(!) A thua se të burgosurit politikë po caktoheshin të bënin studime në arkivin e shtetit…

Atëherë lind pyetja: Pse kjo tollovi absurde dhe fyese njëherësh për të burgosurit politikë të diktaturës? Pse duhet të talleshin kështu këta të burgosur politikë, aq të dërrmuar nga burgjet, duke i detyruar  të kërkonin zyrë më zyrë dokumentet që ndodhen po në ato zyra ku punojnë pushtetarët e sotëm tok me të djeshmit e diktaturës? Pse duhej dhe një “afatizim” i paraqitjes së atyre dokumenteve të shkreta, edhe ato të ndërruara e të ngatërruara plot tetë herë? Kush e kishte bërë burgun politik në diktaturë, të burgosurit politikë apo pushtetarët besnikë të diktaturës, të cilët na merrnin përsipër edhe me ligj që të “afatizonin” kohën e paraqitjes së dokumenteve? E, më në fund, pse duhej bërë kjo thirrje për “aplikim”, kur pushtetarët aktualë i kanë nëpër sirtarët e zyrave të tyre dokumentet që vërtetojnë se cilët janë të burgosurit politikë të diktaturës? Mos vallë sepse kjo skotë pushtetarësh dëshirojnë ta shtrijnë abuzimin edhe me dëmshpërblimin e të burgosurve politikë? Pse duhej vonuar likuidimi i kësteve derisa të detyrohen të burgosurit politikë të ngujohen në grevë urie?

Se me këtë ritëm të likuidimit të dëmshpërblimit të tyre, do të duhen 40 vjet të tërë për ta shlyer atë detyrim ligjor të pushtetit ndaj të burgosurve të diktaturës së djeshme. Dhe, pas 40 vjetëve, nuk besoj që të kemi në jetë as këtë skotë pushtetarësh të majmë e jo më të burgosurit e dërrmuar politikë të diktaturës komuniste.

 

***

Të lodhur me këtë tallje e nëpërkëmbje, një grup të burgosurish politikë të diktaturës së djeshme vendosën të bëjnë përpjekjen e tejme, duke u futur në grevë urie, aty në një anë muri të një lagjeje të Tiranës. Askush nuk e dëshiron grevën e urisë e ca më pak ata të burgosur politikë të dikurshëm, që kanë qenë në grevë urie aq gjatë në jetën e tyre. Por ja që pushteti nuk u la rrugë tjetër për të kërkuar të drejtën e tyre të ligjshme.

Jo vetëm që nuk u la rrugë tjetër për të kërkuar të drejtën e tyre, por në fillim u përpoq t’i shpërfillte me heshtje. Një heshtje, që pastaj e ktheu në akuza për “grevë politike”, për ta humbur arsyen pastaj deri në atë shkallë sa të stisë një mori akuzash ordinere, duke harruar që i kishte akuzuar për “grevë politike”(!) E humbi arsyen pushteti aktual e jo vetëm që e përjashtoi dialogun si mjet të zgjidhjes së problemeve në një sistem demokratik, por e humbi fillin aq sa të arrestojë edhe njërin prej përfaqësuesve të grevistëve. Dhe duket sikur e ka arrestuar, meqë ai zotëri i mirë mban mbiemrin Patrioti, kur dihet që pushtetet e këtij lloji quajnë “patriotë” vetëm pushtetarët, që shesin dhe territorin kombëtar, pasi kanë shitur me kohë lëkurën e tyre.

Nga kjo sëmundje e pushtetarëve aktualë duket se e pësoi dhe koordinatori i palodhur i grevës së urisë të shokëve të tij, z. Asllan Patrioti, që tani gjendet në izolim i akuzuar nga një dëshmitar importi, aq i besuar nga pushteti dhe drejtësia pushtetare, sa ta përdorë për të mbyllur përsëri në burg politik edhe të burgosurin politik të diktaturës(!).

Duket sikur kjo ishte përgjigjja ndaj kërkesës së vijueshme të grevistëve të urisë për dialog me pushtetin. Kërkesë për dialog që është shtruar me forcë edhe nga ambasadorët e aleatëve tanë të mbarë botës demokratike. Madje ambasadori amerikan në Tiranë e shtroi atë kërkesë në një formë mjaft të drejtpërdrejtë: Ose dialogoni për qytetarët në grevë urie, ose largohuni ta bëjnë të tjerë atë detyrë. Se dihet që dialogu me qytetarët, që kërkojnë të drejtën e tyre të ligjshme me cilëndo formë, është detyrë e çdo administrate në sistemin e demokracisë.

Kurse përgjigjja e këtij palo pushteti është vetëm përdorimi i drejtësisë për të mbyllur shkeljen e ligjit prej pushtetit dhe monologu vetëlëvdues! Një monolog që duket se pranon që demokracinë e ka sa për demagogji. Një monolog, që shpërfill jo vetëm kërkesën e ligjshme të qytetarëve të vendit të vet, por edhe thirrjet e miqve të vendeve të lira, në familjen e madhe të të cilave duam të bëjmë pjesë. Madje, na thotë përditë dhe pushteti aktual i Tiranës se po bën malet bashkë që të bashkohemi dhe ne me familjen e vendeve demokratike, ku zëri i qytetarit nuk duhet të dëgjohet vetëm nëpër mitingjet festive pas vjedhjes së votave, por qytetari duhet të dëgjohet edhe kur detyrohet të rrezikojë jetën në grevë urie për t’iu dëgjuar kërkesat e tij të ligjshme.

 

***

Përballë kërkesave të ligjshme të grevistëve të urisë dhe kërkesave për dialog, që vinin jo vetëm nga grevistët e urisë, por edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përgjigjja e pushtetit aktual të Tiranës qe vetëm monologu vetëlëvdues e vetëdiskreditues njëherësh.

Nuk i dëgjon thirrjet për dialog pushteti aktual as nga të burgosurit që vetëflijohen, por vetëm ngrohet në flakët që përpijnë Gjergj Ndrecën e Lirak Bejkon. Ngrohet në ato flakë e nxehet dhe e humbet arsyen aq keq ky lloj pushteti i sëmurë, sa harron që dialogu me qytetarët është detyrë parësore e qeverisjes. E qeverisjes demokratike dhe jo e sundimit. Prandaj harron ky lloj pushteti i sëmurë se dialogu me të huajt nuk e zëvendëson dot dialogun me qytetarët e tu, edhe kur këta të huaj janë miq të zgjedhur të pushtetit…

E humbet arsyen ky lloj pushteti, edhe sepse shoqëria jonë duket që bën sehir sesi digjen e vetëflijohen për drejtësi pjesëtarët e saj. Bën sehir kjo shoqëri e sëmurë sesi protestojnë në Nju Jork e në Bruksel për qytetarët e saj grevistë të urisë. Bën sehir shoqëria jonë e topitur nga humbja e ekuilibrit. Bën sehir kjo shoqëri e hutuar nga adhurimi për komandantët e sëmurë nga mania për të sunduar dhe nuk pyet aq shumë se si e durojnë grevën e urisë për një muaj të gjatë të burgosurit politikë të diktaturës së djeshme.

Duket sikur heshtja e shoqërisë sonë të trullosur nga monologu vetëlëvdues i pushtetit, është dëshmi e sindromit të Stokholmit. Sindrom që e ka përgjumur këtë shoqëri për gjysmëshekulli diktaturë dhe duket që ia ka kthyer atë sindrom thuajse në një gjendje normale. Një gjendje që e ka bërë shoqërinë tonë të mos e kuptojë fare atë thënien e urtë të zonjës Annette Lantosh: “Çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë dhe çdo njeri e ka për detyrë të mbrojë lirinë e të tjerëve”. Thënie, që fatmirësisht e kanë kuptuar me kohë e nuk e harrojnë kurrë të burgosurit politikë si Gjergj Ndreca e Lirak Bejko me shokët e tyre. Ata burra me kurajë qytetare, qëndruan një muaj në grevë urie për të na kujtuar të gjithëve që e kemi për detyrë të mbrojmë lirinë e të tjerëve si lirinë tonë.

*SHQIP

Comments

Submitted by ilir fetahu (not verified) on

<p>KOHERENT BURREROR KIRURGJIKAL...KOMPLIMENTE ZOTI DAUT PER ANALIZEN&nbsp;</p>

Submitted by .Sokoli (not verified) on

<p>Gumeni duket se nuk e ka kulturen e duhur per te kuptuar disa fenomene sociale e politike. Mbi te gjitha nuk e kupton se ai vete eshte viktime e sindromes se Stokholmit. Vitet qe k a kaluar ne burg duke i lexuar veprat e E. Hoxhes e kane turbulluar pak. Nuk eshte shoqeria shqiptare po eshte ai vete qe do te na ktheje te &quot;vullneti i polullit&quot;. Sot shqiptaret duan te mbreteroje ligji dhe &nbsp;e drejta. Secili te marre ate qe i takon dhe jo t&#39;i varet ne qafe nje populli te varfer dhe t&#39;i kerkoje edhe piken e fundit te gjakut. Duket sikur et gjithe dilen te fituar nga komunzmi dhe tani duhet te ndajme kete pasuri fiktive me &nbsp;ata qe tashme e kane marre ate qe u takon.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Po ti si shkruan të tyre ore? A ke qenë dhe konsideron veten ish- i burgosur or xhan? Pse nuk e shkruan tonat? Apo nuk endien veteën pjesë të të burgosurve të diktaturës sepse ke ndonjë slip frojdian në ndërgjegje pse nuk e pate guximin t&#39;u bashkoheshe grevistëve? Si jemi bërë o Zot i madh? Të palarë e të poshtër si pisi i zi i baltës!</p>

Submitted by Nazmi Kraja (not verified) on

<p>Prisja me shume nga z. Gumeni. Nuk eshte koha te shkruajme hartime, por te veme gishtin te e verteta. Nese greva nuk u pa me simpati nga shqiptaret, kjo duhet te na beje te mendojme e jo t&#39;i shohim ata si fajtore, z. Gumeni. Ne cdo kohe do te gjenden njerez qe u vene fajin shiptarve, ndarkohe qe ata u treguan mjaft objektive e realiste kete radhe.</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.