Përgojimi nuk e shpëton dot nga kostoja elektorale…

Pas mbylljes së grevës së urisë së të burgosurve politikë, Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, bëri një përmbledhje të të gjitha përgojimeve që kishte bërë deri më sot për grevën e urisë. Përgojoi vendin ku u zhvillua greva – në studion e Kristaq Ramës, sipas tij, por në të vërtetë, në një shesh të vogël publik mes disa pallateve të vjetra; përgojoi picat që u paskësh dërguar rregullisht Edi Rama grevistëve, ndërkohë që policia nuk lejonte asnjë fije floku të futej në grevë; përgojoi kordinatorët e grevës si trafikantë e mashtrues, ndërkohë që, para vitit 1991, ata kishin qenë të burgosur politikë; akuzoi si të sëmurë psiqikë grevistët që u dogjën, ndërkohë që ata ishin çuar dikur në çmendina nga hetuesia famëkeqe e Sigurimit të Shtetit.
Në fakt, Berisha mund të kishte përgojuar edhe grevistë të tjerë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, por u mjaftua me kaq. Dhe mendja ta do se kaq i mjafton për të gënjyer ata votues të tij të rregullt që nuk kanë qenë të përndjekur politikë (Nga biseda që kam patur me votues të tillë, duket se Berisha ia ka arritur qëllimit). Por një problem të madh Berisha do ta ketë me Ramazan Spahitë, Vllasi Koçët, Fatmir Lamajt, Dush Martinët, etj., të cilët, pasi provuan mbi kurrizin e tyre torturat e burgut të Qafë Barit, kanë marrë pjesë në të gjitha protestat e organizuara nga PD-ja pas vitit 1991, por sot janë të zhgënjyer prej saj. Berisha mund të përmendë shifra prrallore që paskërkan marrë ata si dëmshpërblim, por xhepi i tyre flet shumë më saktë se goja e kryeministrit… Dhe këta janë njerëz që ia kanë dhënë rregullisht PD-së votën e tyre dhe të rrethit të vet familjar. Ndërsa nesër mund t’ia japin një partie tjetër të djathtë ose mund të abstenojnë fare…
Një problem tjetër elektoral i Berishës janë edhe 21 mijë familjet e përndjekura politikisht që kanë paraqitur dosje për dëmshpërblim. Sepse sado që një pjesë e mirë e tyre kanë marrë diçka nga qeveritë e drejtuara nga Berisha (në të shkuarën dhe sot), ato dijnë t’i bëjnë llogaritë.
Për shembull, shifra prej 102 milion dollarë që përmend Berisha për totalin e dëmshpërblimit të dhënë në 4 vjetët e fundit, përbën vetëm 1/500-ën e Produktit të Brendshëm Bruto të realizuar në Shqipëri në të njëjtën periudhë; letrat me vlerë që u shpërndanë në vitin 1994 janë sot pothuaj pa vlerë (shiten me 7% në treg); apartamentet e dhëna në vitet ‘1990 janë zbritur me çmim tregu nga vlera e dëmshpërblimit total, ndërkohë që atyre që nuk ishin të përndjekur politikë iu llogaritën apartamentet me 100 dollarë…
E pra, duke bërë këto llogari, një pjesë e mirë e 21 mijë familjeve të përndjekura që presin dëmshpërblimin e plotë mund ta rimendojnë mirë kësaj here se kujt do t’ia japin votën. Dhe një familje prodhon të paktën tre vota…
Një problem elektoral i fundit i Berishës, por jo më i vogli, do të jetë edhe përplasja e fortë e tij me ambasadorin amerikan në Tiranë. Në një nga mediat që përkrahin hapur Berishën (ABC News), Ambasadori Arvizu, duke folur për domosdoshmërinë e dialogut të qeverisë me të ngujuarit në grevën e urisë së të burgosurve politikë, lëshoi këtë bombë ndaj Berishës: “Në një shoqëri demokratike, një prej detyrimeve, një barrë është që duhet të qeverisësh, të marrësh vendime të vështira, të bësh dialog me dikë që mund të doje edhe ta mbysje fare, por prapë e ke detyrim [të dialogosh], je zgjedhur për këtë – nëse vihesh kaq shumë në siklet, atëhere hiq dorë nga pozicioni që mban, atëherë ik, lëre ta bëjë dikush tjetër”.
Dhe pa i lënë kohë Berishës të ndërtojë ndonjë fabul për të shpieguar “arsyet personale” që e bënë Ambasadorin Arvizu të lëshonte këtë bombë, Uashingtoni i dërgoi një mesazh publik se është në rezonancë të plotë me ambasadorin amerikan në Tiranë. Në një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philp Reeker, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të hyjnë në dialog për të gjetur një kompromis për të zgjidhur me qetësi çështjen e grevës së urisë së të përndjekurve politikë.
Me apo pa të drejtë, duket se shumë votues të thjeshtë, kryesisht të djathtë, kanë krijuar bindjen se, pa përkrahjen e Uashingtonit, nuk fitohen dot zgjedhjet në Shqipëri. Dhe përplasja e Berishës me ambasadorin amerikan dhe Departamentin e Shtetit rreth grevës së urisë së të burgosurve politikë, pa dyshim, do të regjistrohet në mendjen e votuesve të thjeshtë. Një faktor psikologjik ky që mund ta ulë sadopak pjesmarrjen e votuesve të thjeshtë të djathtë në zgjedhje…
Comments
Po c'zgjedhje, more
<p>Po c'zgjedhje, more Zaloshnja! Ky perbindesh duhet vrare me buke ne goje, qe edhe te mbytet kur te flase perseri. Bjerini legenit tuaj te komenteve, se atij shendet i behen te gjtha, sidomos ato qe flasin per zgjedhje demokratike, te lira e te ndersheme. Ai i ka vjedhur vazhdimisht e do t'i vjedhe perseri. Ju nuk arrini ta kuptoni dot se c'makineri efikase vjedhejesh ka ndertuar. Nga e majta dhe nga e djathta, me kac e mete, me nard e xhuvel, me ceka e me pollo, me dreq e te bir.</p>
Na vdiqen keta tipat si xha
<p>Na vdiqen keta tipat si xha Jaho, qe kur diskuton njeri per zgjedhjet, thone nuk le berisha te behen zgjedhje te lira e te ndershme. keta tipa bejne mire te zgjedhin nje nga keto dy opsione: o te krijojne partine e tyre revolucionare qe do ta rrezoje berishen me kryengritje, ose ta qepin gojen e te mos dekurajojne ata qe do shkojne te votojne kunder berishes, me shpresen se do te jene aq shume sa berisha ta kete te veshtire te permbyse rezultatin ne tavoline apo poshte tavolines.</p>
Add new comment