Asimetria e informacionit

Suedi, vetëvritet roja e kryeministrit, ky është titulli i një lajmi që gjendet këto ditë në gazetat shqiptare. E lexon dhe me vete do të dish se cili qenka bërë merak për të (flas për peshën e lajmit në jerarqinë e informacionit, jo për atë fatkeqin). Po edhe kjo do të qe fort e thjeshtë sikur të tilla gjëra të çuditshme, që u ngjajnë atyre kabineteve të kurioziteteve në Mesjetë, të mos ishin bërë një fenomen shoqëror. Eshtë e rëndomtë të ndeshësh në shtypin e Tiranës ngjarje, të cilat nuk ngrihen kurrë deri te faqet e gazetave evropiane e mbesin vetëm flashe rutinë të agjencive të shtypit a të ndonjë siti.
Meqë jemi në Suedi, brezit tim i kujtohet mirë se diku nga fundi i vite ’80 në atë vend u vra në rrugë kryeministri Olof Palme. Në vetvete edhe ky lajm nuk duhej parë më shumë se sa i tillë, pra thjesht si një lajm, por për ne në atë kohë mori vlera të jashtëzakonshme për arsye krejt të tjera.
Ndërsa shtypi i kohës e dha me kënaqësi duke lënë të nënkuptonte se sa e pasigurt ishte jeta po të kaloje kufijtë e Shqipërisë, ne përmes fatkeqësisë që i ra në krye z. Palme, befas mësuam se kryeministri i Suedisë shkonte e shihte filma në kinematë e qytetit të tij, si të ishte një qytetar i thjeshtë midis mijëra të tjerëve. Për ne që jetonim në një rend «të barabartësh» ku diferencat qenë “zhdukur” dhe udhëheqja kishte dalë nga «gjiri i klasës punëtore» (por që sikundër kishin vilat dhe makinat ata kishin edhe kinematë e tyre), lajmi qe sa ngazëllues aq edhe tronditës. Komike, apo jo? Në fakt është tragjikomike.
Me një ngarkesë të tillë “pozitive”, nisa të kthej nga të gjitha anët lajmin e vrasjes tashmë, jo të kryeministrit suedez, por të rojës së tij, me shpresë se do të gjeja diçka, se nuk desha të besoj se një lajm i tillë i marrë kishte fluturuar kot nëpër të ftohtit evropian të këtyre ditëve dhe kishte rënë po aq kot si një gjethe që e merr era, në faqet e shtypit shqiptar.
E me sa duket, ashtu ishte. Në këto kushte, i njoh vetes të drejtën të konstatoj simptomën e një vuajërizmi morbid dhe të një mungesë të theksuar drejtpeshimi në faqet e shtypit shqiptar, gjë që e shtyn lexuesin drejt një rrokjeje tërësore shpesh të gabuar të funksionimit të shoqërive të ndryshme.
Pra, merremi me rojën e kryeministrit suedez, ndërkohë që në ditët tona, për shkak të ngjarjeve që po kalojmë, lajmi i vërtetë duhej të ishte ai i rolit të vetë kryeministrit në shoqërinë suedeze. Një lajm pa vrasje, por mjaft më i vlefshëm për lexuesin shqiptar, ndërkohë që me të drejtë a pa të drejtë ndaj kryeministrit shqiptar drejtohen breshëri sharjesh a mallkimesh nga ato që të ngrenë qimet përpjetë.
As që marr përsipër t’i paragjykoj, se nuk kam asnjë lloj informacioni për të luajtur rolin e arbitrit, por kjo nuk më pengon të them se sa e mirëpritur do të ishte një analizë për kulturën politike të personit që ruante ai roja fatkeq, marrëdhëniet e tij me institucionet, respekti i parlamentit, pesha e tij në parti, në politikën e kuadrit etj. Kjo do t’i jepte në dorë një mase të madhe lexuesish (votuesish potencialë) mjetet e nevojshme që veprimin politik të elitës drejtuese të vendit të mos ta gjykonim sipas sensibiliteteve politike të analistëve, por mbi bazën e një analize krahasuese, objektivisht më afër të vërtetës. Një mënyrë për ta diskredituar elitën drejtuese vendase (nëse e meriton) mjaft më thellë, por pa qenë nevoja e një qëndrimi beotien, që të bën të skuqesh, kur je i detyruar t’u përkthesh të huajve ndonjë pasazh komenti.
Për pasojë, të gjithë kemi vënë re se sot midis lexuesve shqiptarë ose gjejmë pasues të pakondicionuar të ekonomisë së tregut, të tjerë për të cilët ajo shoqëri është preh e instinkteve primarë, por më të shumtë janë ata që e kanë të vështirë të shkëputen nga një vështrim i nivelit elementar të botës.
Seleksionimi i lajmeve të tilla (ky i sipërmi mbase nuk është më përfaqësuesi) në fund të fundit është shprehje e provincializmit tonë të pashërueshëm, të asaj që na bën të kthejmë kryet nga kazani i plehrave edhe kur ecim në rrugët plot monumente të një qyteti të madh.
Lexuesi ka nevojë për më shumë respekt e besim.
Përfundimisht, ai roja fatkeq na dha rast të flasim për pamjen shqiptare të asaj që quhet asimetri të informacionit, për të cilën gabimisht mendohet se vepron vetëm në fushën e ekonomisë.
Comments
Po mire, edhe ky lajm tani
<p>Po mire, edhe ky lajm tani mori vlere, se u be sebep per kete teme:-))</p>
Add new comment