Një esse Berishës dhe sloganit : “Ne jemi ndryshimi”

Postuar në 20 Maj, 2013 04:13
Pëllumb Kulla

Kryeministrit të ngjirur të Shqipërisë nuk i mungon asgjë. E megjithatë ai vuan për diçka që kundërshtarët e kanë dhe ai nuk e ka. Ai ka një zili absurde që nuk ka gurët e Opozitës për të qëlluar qeverinë e tij. Ai ka një dëshirë të çmendur, surreal, që në këtë muaj të fundit para votimeve, të ishte ai kundërshtari i vetes. Oh, çfarë do t’i bënte ai kësaj qeverisje! Dhe po ta keni vënë re ai e ka shfaqur këtë zili që shumë kohë përpara, që atëherë kur premtonte në publik: “Do t’i përmbysim!” Por ama dihet që përmbysen vetëm ata që janë më lart, dhe tërë e dijnë cila përmbysje pritet më 23 qershor. Megjithatë ai nuk rrinte dot pa ia grabitur këtë frazë tipike për forcat opozitare. Në dëshirën për të rrëmbyer gjithëçka mbi këtë truall ai u merr kundërshtarëve dhe parrullat që u takojnë atyre. Merr psh. kryefjalën e fushatës. “Ne jemi ndryshimi”? Dhe kjo është fjali e volitshme për ata që ofrohen për të ndryshuar qeverisjen. Nuk mund të thuash ti, çoban i qeverisjes së këtyre tetë vjetëve, “ne jemi ndryshimi!” Ndryshim nga kush? Nga se? Nga ajo që kemi arritur deri më sot?! Tani që për nga arritjet ekonomike thua se je ndër vendet e para në botë, kërkon të ndryshosh?! E përse nuk e le këtë popull t’i gëzojë këto arritje? Përse ia bën këtë të keqe një populli të gjorë që ka vuajtur aq gjatë, – 47 vjet nën regjimin e Hoxhës dhe Alisë dhe -po të heqim të mirin Nano, – afro tetë vjet nën atë të Majkos dhe të Metës?!  Pastaj, ajo shtesa “Përpara!” është fjala më e kotë në botë dhe kryeministri me sa duket nuk e ka vënë re që qysh se mbi kët glob janë parë fushatat zgjedhore, asnjë kryefjalë nuk ka thirrur “të bëjmë prapa!” ose “të vërvitemi tatëpjetë! “  Berishës dhe të vetëve do t’u shkonte realisht jo “Ne jemi ndryshimi. Përpara!”, por “Ne jemi po ata. Poshtë e më poshtë!” Po me të tilla thirrje zor se të ndjek njeri. Dhe ajo dihet që unë nuk mund t’i jap këshilla Berishës.

Sali Berishën e vlerësojnë të gjithë për energjinë që harxhon rrugëve të vendit, duke i multiinaguruar e më së shumti duke folur për gjatësitë dhe cilësitë e asfaltit të tyre. Kështu do mbahet mend ai, rrugëve! Do mbahet mend duke folur e duke tundur gishtat përballë të njëjtëve njerëz që i vijnë pas, duke sharë palën e kundërshtarëve që është pala më e urtë në botë dhe që synon t’ia marrë pushtetin me vota, me armët më të urryera të Berishës.

A vallë mendon njeri se Berisha është në ëndërr kur radhit sukseset e tij? Ka njeri të mendojë se ai flet përçart kur gjëndjen katastrofike të jetës së shqiptarëve e krahason, jo me Ruandën, por me vendet më të ndritura të Europës? Si mund të mendohet që ai beson se po e besojnë kur thotë se do u sjellë Amerikën pa viza? Mendon njeri se ai nuk e di që asnjeri nga të papunët nuk mashtrohet kur ai thotë se do të hapë vende pune jo vetëm për të papunët LZhKistë, demokristianë dhe republikanë, jo vetëm për tërë të papunët e vendit, por do të importojë edhe argatë nga Europa? Fjala e tij nuk ka zjarrin e dikurshëm. Asnjeriu nuk i ndrisin sytë kur dëgjon fjalën e tij. Njerëzit kanë porosi të brohorasin, atë ia kanë borxh e atë bëjnë përpara syve të tij, pa asnjë interes mbi atë që u thotë.

Po çfarë të thotë, i ziu burrë në fjalimet e tij? Çfarë? Ai nuk është aq naiv sa të marrë listat e premtimeve të bëra para katër dhe tetë vjetëve, t’i lexojë një e nga një e të japë llogari.

Ja, këtu ai do të deshte të ishte kundërshtar i vetes. E do t’i vërvitej për korrupsionin që po i merr frymën vendit, për ministrat që kreu i tyre i le të vjedhin por nuk lejon që ata të ndëshkohen. Pa do t’u turrej shpërthimeve gati atomike, me barrut, historirave me vrasje para zyrës kryeministrore… Eh, cfarë do t’i bënte ai një qeverie që hiqet si e të vuajturve nga diktatura, një qeverie që i urren ata. Nuk i duron kur ata i kërkojnë të mbajë fjalën e që nuk u ka dhënë veç një të tetën e shpagimeve që u premtoi! Eh ç’kuje do të ngrinte ai me numrin e frikshëm të shpresëprerëve që varën, helmuan dhe vranë veten në këta tetë vjet. Eh, çfarë hobesh do t’i lëshonte ai kryeministrit që dikton zgjedhje presidentësh e kryeprokurorësh dhe armiqësohet me ta që që javën e dytë që ata kanë filluar nga funksionet.

O Perëndi, sa shumë gurë do të kish për llastiqet e tij! Me tërë këta gurë dhe argumenta ai vërtet do ta përmbyste atë qeveri të poshtër shkatërrimtare e do të vinte vinte vetë në fuqi. E ashtu vërtet do të ishte ndryshimi. E ashtu vërtet do premtonte ecje përpara. Por nuk e bën dot. Se qeveria është ai vetë. E këtu sytë i hapen mbi një realitet të trishtë.

Dhe, vesh antiplumbin, merr mbi kurriz foltoren dhe u qepet rrugëve. Flet për gropat e atyre të qyteteve dhe i këndon asfaltit të  fshatrave.  E nuk e ka mendjen hiç tek ato që reciton. Arsimtarët e Shqipërisë i kanë sjellë nxënësit përpara këtij njeriu që ngre foltoren mu në mes të asfaltit. Ata nuk i urdhërojnë fëmijët ta dëgjojnë folësin. Porosia është të mos rreshtin së brohorituri. Fjalimi njihet, është po ai që ka mbajtur në atë rrugën e asfaltuar të fshatit tjetër. Është ai fjalim që e japin me përsëritje mbi njëzet e ca kanale tv që I binden Berishës e që përzjejnë të njëjtën çorbë rogarrugaKomBllokmeNatoTriligjeintegRama. Berisha bërtet dhe nxënësit bërtasin, sejcili në punën e vet: Fitore, Fitore!

E oratori i lodhur mendon: kaq e pamundur qënka në këtë botë të jesh edhe në qeveri dhe në Opozitë?! Kaq e pamundur qënka edhe të përmbysesh edhe të qëndrosh përsëri sipër të gjithëve?! DITA

Comments

Submitted by kastriot (not verified) on

<p>O shoku pellumb, na shkruaj tani bre ndonje skec mme ballsite dhe partizane dhe gjermane&nbsp;ne te cilin ballisti nuk di te dalloje se kush eshte gjermani i vertete...nejse, detyre e rrende tani por po te them dicka: PER DISA NJERES ESHTE TEPER E VESHTIRE TE JENE NE KRAH TE ATIJ QE I BERI AMBASADORE DHE I HOQI SI TE TILLE SE ISHIN TE PAAFTE!</p>

Submitted by noli (not verified) on

<p>Nje skec me balliste pulaxhinj qe dhjesin ne breke nga frika na shkruaj o Pllum djali. I qan ato ti. Nje qe ballistat pine raki, ngacmojne grate, jane idiote dhe te keqinj. Kurse te kuqt jane engjej e trima, qe e bejne Shqiperine kopesht me lule dhe ka aq shume gaz e gezim sa i njerezve i vjen majehunde nga lumturia. Ja bre, na bej dhe nje me ambasadore te ketij malokut qe kemi. Nga ata te viteve 90, qe flisnin uj anglishten e qe i conin per kte arsye ne Amerike. Nje skec qe thua ti qe kur ky ambasadori duhet te ishte ne nje bisede te rendesishme per te ardhmen e vendit, rrinte ne shtepi e rregullonte tubin e sobes. Po ja se i qan keto ti. Beji njehere keta demokratet (ish ballista jane ata) te mermerisin me vete.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.