Fushata tallava dhe shtirake me krizën

Postuar në 06 Qershor, 2013 02:15
Ben Andoni

Dy anëtarë të një ekipi fushate debatonin pak ditë më parë për një shkrim të Friedman-it sesa ngushtë qëndron e lidhur ekonomia me politikën dhe anasjelltas. Të këndshëm, veshur bukur, me artikulime të qarta, ndoshta debatin mund ta bënin po kaq mirë edhe në anglisht, të dy djemtë, mundoheshin t’i mbushnin mendjen njëri-tjetrit se kush dominon sot në këtë kohë krize: politika apo ekonomia... Mjaftoi një zile tek një nga i-Phone t’ua ndërpriste bisedën. Shefi u kërkonte llogari se pse karriget s’ishin vendosur mirë, posterat ishin shtrembër, dhe se kush i kish thirrur ato fytyrat e murrëtyera që rrinin te cepi... Episodi i treguar gjendet në fushatën e sotme, ku slogane bombë, premtime, shprehje ekonomike me artikulime boshe për të ardhmen e vendit, i lënë vendin njëra-tjetrës. Pa qenë ekonomistë, juristë dhe pa formim të shkencave politike, Rama dhe Berisha të dy mëtonjësit e ardhshëm të kreut të vendit, duket se nuk e dinë ose më saktë nuk kuptojnë se çfarë mund t’i flasin realisht, në këtë kohë krize, publikut krejt të lodhur nga tranzicioni i pafund. Ndaj, imazhet e fundit, të ngulitura më saktë në mendjet e publikut janë thjesht dajrja e pretendentit për kryeministër Rama dhe fyelli i kryetares së ditëve të saj të fundit të Kuvendit, Topalli.

Në çdo ditë, ekipe të tëra të rinjsh dhe stafesh ndjekin sipas stilit alla-shqiptar dy pretendentët për kryeministrin e ri të Shqipërisë, post Qershor ’13. Berisha me pafytyrësinë më të madhe kërkon mandatin e tretë edhe pse e ka zhytur vendin në një varfëri skajore, kurse tjetri pa fare modesti e kërkon mandatin e parë me pretendimin se do ndryshojë gjithçka me pathosin e personazheve të romaneve të realizimit Socialist. Edhe pse, ky i dyti, ka luksin në fushatë ngaqë lundron me ndihmën e lodhjes së një Shqipërie krejt të drobitur, papunësie masive, presioni të paparë ndaj njerëzve, biznesesh të asfiksuara, dhe probleme sociale gati të ngjashme me vendet më të pasme të Botës së Tretë.

Por, në shtegun për të rrëmbyer karrigen e Njëshit, Rama dhe Berisha, si dhe kolegët e tyre të partive të tjera më të vogla, po na tregojnë qartë se administrimin e Shqipërisë nuk e kanë asfare seriozisht. Pasi shkëlqimit që të lëbyr sytë prej reklamave milionëshe; poteres tallava, që shoqëron retorikën e dy pretendentëve; premtimeve të parealizueshme, mungon sjellja ndaj krizës dhe veprimi real në fushatë në kushte si të tilla. Që do të thotë, që të dy palët mund të ishin më të kursyera në skenografitë e lëbyrshme milionëshe dhe shpenzimet e tjera marramendëse të fushatës. Për ironi, këtë e kanë bërë me kujdes në vitet e fundit të gjitha simotrat evropiane të Majta e të Djathta, kudoqoftë, që politikanët tanë përpiqen t’i imitojnë.

Berisha premton tashmë viza amerikane (ndërkohë po bien sërish kambanat për kthimin e vizave nga Evropa) dhe 250.000 vende pune, e nuk na thotë akoma, sesi do të lajë borxhet mbytëse që janë krijuar në mandatin e tij, ndërsa kolegu i tij kundërshtar i fushatës Rama shton se do zgjidhë si Demokleu pronat, turizmi do shtohet, do rishikohen taksat, do rivitalizohen zonat rurale etj. E sesi mund t’i zgjidhë, e di vetëm ai, pasi vendi e ka të pazgjidhshëm problemin themelor të pronave (sot mbushur me shumë gjak), apo të dytin ku shpërngulja pakriter e popullsisë i bën të pamjafta idetë për vitalizmin e zonës rurale, që tashmë është larguar masivisht, një element që po ndodh edhe në të gjitha vendet e Ballkanit apo turizmit që infrastruktura reale shqiptare nuk i zgjidh dot edhe për disa dekada të tjera. Premtimet, megjithatë s’ndalen.

Projekte të tilla do merrnin jetë dhe do ishin të besueshme kur partitë do na rrëfenin sesi do shkurtonin t’ardhurat në xhepat e tyre. Dhe, kjo do dukej nga një fushatë e bërë thjeshtë dhe transparente apo nga transparenca e duhur e donacioneve të biznesmenëve që po e sponsorizojnë gati anonimisht këtë tallava publike. Të paktën, këta të fundit, sikur të mendonin dhe të ishin kaq bujarë edhe për të punësuarit e tyre në këtë mënyrë, do kishim shumë më pak shqetësime sociale. Dhe, ndaj ndodhin paradokse të tilla në Shqipëri, kur bëhen Konventat e PS-së dhe PD-së me shpenzime të mëdha, të ngjashme me aktivitetet në vende që kanë prosperitete shekullore, shtuar me forume apo show gati të përditshme, ndërsa nuk mund të gjeneroheshin dot edhe ato pak mijëra dollarë që kishte nevojë të vazhdonte jeta e një fëmije (bërë publike në News 24)! Apo mblidhet PDIU me një aktivitet të jashtëzakonshëm dhe e përcjell PR-ja me një të tillë, me përfaqësime gati modeste në parlament.

Kjo të bën të besosh se forcat e sotme politike, që nuk i japin dot as përmbajtjen më thelbësore humane idesë së programit të tyre, nuk mund të krijojnë kurrë modele ekonomike, që ta zhvillojnë vendin. Jo më kot, Shqipëria në 23 vjet, ka treguar se është e njohur për mungesë modeli. Të mendosh mjaftoi kriza në Greqi e Itali të kuptoje se përsiatjet e ekonomistëve dhe sidomos politikanëve tanë kryesorë (shpesh profanë në ekonomi) ishin thjesht bllofe, pasi ekonomia jonë mbetet e bazuar totalisht në punën e emigrantëve, si dhe ato pak punë të tjera që lidhen me trafiqet, do shprehej një nga ekonomistët më të njohur të vendit. Thjesht rënia ekonomike e fqinjëve grekë dhe italianë që solli mungesën e të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e trafiqeve të të  gjitha llojeve, prej punës së mirë të disa qeverive në këtë drejtim dhe kontrollit më të madh të komunitetit evropian ndaj këtyre trafiqeve, e zhyti vendin në krizë.

Ja pse në vitin 2013 partitë kryesore shqiptare duhet t’i tregonin elektoratit shqiptar se e kishin me gjithë mend drejtimin e vendit në këtë kohë krize dhe jo mbijetesën e racës së tyre deputetore, mbushur me kushërinj, biznesmenë dhe njerëz të paaftë e të turpshëm. Një fakt që na e bën edhe më të vështirë daljen tonë nga kriza, që edhe pas Qershorit pritet të jetë e avashtë, ndikuar edhe nga zhvillimet ekonomike në Bashkimin Evropian, rajon e më gjerë.

Ekonomistët klasikë politikë si Smithi dhe Rikardo kurrë se përdornin thjesht termin “ekonomi” të veçuar nga koncepti politik, bisedonin djemtë e fushatës, por pa mundur t’i shpjegonin shefit që mëton pushtetin, se kriza e vendit do t’ua tregojë sërish shpejt fytyrën në mandatin e ardhshëm. Atëherë kur s’do kenë më ç’të premtojnë por do trokasin si lypsarë për borxhe. Friedman këtë e shpjegon me mungesën e legjitimitetit financiar, kurse politikanët tanë, praktikisht... me mungesën e përgjegjësive reale për vendin e tyre.

GSH

Comments

Submitted by Vinny (not verified) on

Faleminderit Ben Andoni, nje kendveshtrim teper interesant.

Suksese

Submitted by Iluministi (not verified) on

1. Perqasja e dy objekteve që nderveprojne, kur synon analizen efikase, eshte nje proces dialektik. Ajo, shqyrtimin e te veçantave te secilit, e realizon ne kontekstin e nderveprimeve. Jo si sende te shkeputur qe ekzistojne veçmas. Ndryshe, perqasja nuk eshte objektive.

2. Saliu, kryeministër, ne turravrapin e tij, ekonomik - rrritja e borxhit publik ne nivele alarmante, p.sh.; politik - shthyrja e struktures shteterore permes nenshtrimit te institucioneve themelore te shtetit dhe korruptimit te segmenteve te rendesishme te shoqerise  per interesa klanore; kulturor - nxitja dhe mbeshtetja e gjithfare mediokritetesh ne art e kulture (Bumçi si minister, p.sh.); arsimor - rrenim i kolonave te sistemit, permes politikave që nuk konsiderojne cilesine (shpartallimi i filtrave qe menaxhojne dhe sigurojne cilesine; p.sh.,), etj., ka determinuar, brenda logjikes se ndervaresise edhe kunderveprimin elektoral të opozites. Ndaj, edhe reaksioni elektoral i kesaj te fundit, në mjaft raste, detyrohet te konsideroje kete sjellje, duke e plotesuar me çka shohim edhe me zgjedhjet dhe objektivat e saj.

3. Mund te flasesh per programet e PS, kur ke qene pjese e procesit te hartimit te tyre ose ke shfrytezuar mundesite per t'i njohur konkretisht ato. Shkrimi, me çka ofron, tregon se autori ka defiçite . Per ilustrim, mund t'i thosha se programi per arsimin, eshte profukt i nje grupi pune qe ka punuar per 4 vite. Kolonat mbi te cilat ai eshte mbeshtetur - arsim cilësor, arsim për të gjithë, pavarësisht kushteve dhe mundesive - ka integruar gjithe sa ofron gjendja e sistemit, potencialet dhe dobesite e tij, me arritjet dhe praktikat bashkekohore efikase. Arsimi baze, p.sh., orientohet te konsiderojë zbutjen maksimale te braktisjes shkollore dhe dekurajimin e analfabetizmit funksional, permes reformes kurrikulare (zhvendosja e theksit nga arsimi qe bazohet ne permbajtjet lendore, te arsimi qe siguron ndërtimin dhe zhvillimin e njohurive të reja dhe kompetencave; riformatimi i programeve dhe i teksteve shkollore, etj.), permiresimit i mjediseve te nxenies, rikualifikimi intensiv i stafeve pedagogjike, permiresimi i statusit te mesuesit permes filtrave te meritokracise profesionale, sistemet e menaxhimit dhe sigurimit te cilesise etj. Nese autori do te njihte programin arsimor te PS, do ta kishte me te lehte te kuptonte dallimin mes atyre qe ofruan ne kete kontekst qeveria si dhe zhvendosjet e muajve te fundit të Saliu ne kete fushe, p.sh., artikulimi i tij per arsimin profesisonal - nje nga perparsite e programit socialist te arsimit dhe formimit te rinise; pranimi, nga Saliu, dje ne Durres, i dobesive të politikws së tij për masivizmin populist të arsimit ta larte, qe i ka futur burimet tona njerezore ne nje gjeratore te frikshme, sa i takon kualifikimit profesional, pa folur për atë elitar.

4. Me shume se sa qartesimi i publikut rreth nevojes per ndryshim - ajo mund te sigurohet pa asnje medyshje permes largimit perfundimtar te Saliut nga skena politike e vendit - shkrimi lë shijen e nje performance per origjinalitet snobist te kerkuar. Me se paku, te ofronte nje ide alterantive nga shembujt qe shtjellon. Fridmani? Ai eshte ne Amerike.

Submitted by Meço Kapterri (not verified) on

Pas ketij shkrimi nuk na mbetet gje vec te votojme autorin per kryeminister.

Duhet t'iu kujtoj ketyre snobeve kritizere pa kufi nje thenie te vjeter : Kush mohon gjithcka, pohon gjithcka !

Submitted by Anonim (not verified) on

Po mire mor zoteri, meqe ja beke analizen te dyve, Ju veten ku e fusni qe i dini kaq mire keto problemet ekonomike, sociale, shoqerore, politike , ideologjike, apo kudi cfare? Mos jeni alien apo i gjithepushteteshmi ? Ata nuk dine, ndersa ti i di te gjitha...Je tamam si te gjithe te tjeret, qe korr e nuk lidh...Zatem Ju, te ketij kallepi po e merrni ne qafe politiken dhe vendin.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.