Pankina mbi bankina

Kaosit ne pothuajse të gjitha fushat e jetës në Shqipëri, në atë ekonomike, politike, artistiko-kulturore, sportive etj., i është shtuar prej vitesh edhe ai gjuhësor. Përveç gabimeve morfologjike dhe sintaksore, atyre drejtshkrimore që i has përditë në organet e mass-media-s, ndodh të dëgjosh shpesh fjalë të përdorura në vend të një tjetre që ka kuptim të ndryshëm, për shkak të ngjashmërisë tingullore. Më ka rastisur mjaft të herë të dëgjoj, gjatë transmetimit të një ndeshje futbolli në televizion, që stoli i rezervave të quhet bankinë, për shkak të ngjashmërisë me fjalën tjetër të huaj pankinë që përkthehet stol.
Në rastin më të mirë pankina, pra stoli, mund të ndodhej mbi një bankinë, pra mbi një skele, ku do të uleshin peshkatarët amatorë apo njerëzit që dalin për shëtitje buzë detit. Dhe prej kësaj vjen edhe titulli me atë lojë fjalësh, që kam përdorur.
Bashkëtingëllorja e shurdhët në njërin rast dhe e zëshme në tjetrin u jep këtyre fjalëve kuptim të ndryshëm. Në italishte “panca” ose “panchina” është stoli, që mund të jetë i sportistëve rezervë, i lulishteve, mensave etj. Ndërsa me “banchina” që rrjedh nga “banco”, po në italishte, emërtohet skela, moli, ose buza e rrugës dhe një platformë çfarëdo. Gabimi është trashanik për shkak të shqiptimit jo të duhur, edhe pse mund të përdoren fare kollaj fjalët shqipe që nuk mungojnë në këto raste dhe shumë të tjera.
Kuptimi dhe përdorimi i këtyre fjalëve mund të ilustrohet edhe me një shembull që në këtë periudhë të nxehtë fushate zgjedhore merret nga politika. Në aktualitetin e përflakur shqiptar tellallët, fallxhorët dhe ndrikullat, pra të ashtuquajturit politikanë, kanë dalë shesheve për të yshtur dhe ngashënjyer popullin, ose atë që në mendjen e tyre i shëmbëllen një lukunie buburrecash.
Shumë prej të ashtuquajturve politikanë të sotëm në Shqipërinë “demokratike”, komunistë, bashkëpunëtorë të ish Sigurimit, shërbimeve sekrete serbe apo greke, duhej të ishin ulur prej kohësh në pankinë, pra në stol. Nuk e di nëse në stolin e rezervave, në atë të gjykatave apo të lulishteve publike. Ose duhej të ishin në ndonjë bankinë, pra në ndonje skelë, në pritje të anijes së porositur për t’i çatdhesuar. Dhe do bënin mirë të largoheshin një orë e më parë, sepse një shtet i drejtuar nga të paaftë dhe të infiltruar të qarqeve dashakeqe të vendeve fqinje i ngjan një kazani të shpuar apo një kullese makaronash, ku sado ujë të hedhësh, mbetet gjithnjë e zbrazët,
Po në këtë kontekst, një fenomen disi i pakëndshëm është përdorimi i pakufishëm për një periudhë të caktuar kohe i një fjale apo një shprehjeje nga një masë e madhe njerëzish saqë fillon të përbëjë tendencë, modë. Këto fjalë frymëzohen kryesisht nga televizionet, megjithëse ekzistojnë një larmi sinonimesh. Para dhe pas vitit 2000 përdorej deri në acarim lidhësa “gjithsesi”, e cila hera-herës zëvendësohej me homologen angleze “anyway” apo “by-the-way” nga njerëz “më të kulturuar”. Më pas, për vite me radhë mbiemri “i paparë” u vodhi hapësirën një morie cilësorësh të tjerë. Dhe së fundmi “interesant” përdoret vend e pa vend për të cilësuar frymorë, sende apo ngjarje që janë të bukura, të hijshme, të këndshme, të çuditshme, frymëzuese etj. Për të shmangur varfërinë në komunikim, besoj, modestisht, se duhet lexuar pak më shumë, megjithëse ritmet e jetës së sotme janë shumë të shpejta dhe për pasojë komunikimi mbetet pak i thatë, konvencional apo snob.
Comments
Gabimet ne
<p>Gabimet ne terminologjine sportive jane futur prej kohesh, mendoj se shume prej tyre jane rezultat i mosdijes se gjuheve te huaja nga komentatoret sportive shqiptare ne vitet 70-te (<em>panchina</em> behej bankine, <em>offside </em>behej ofsajt, etj), te cilet i degjonin ne radio dhe televizor nga koleget e tyre te huaj pa ditur si shkruheshin.</p>
Add new comment