Trekëndëshi

Në ditët e tij opozitare, ka qenë një nga kritikat apo vërejtjet ndaj Ramës mungesa e orientimit në politikën e jashtme, apo “mangësia në çështje të diplomacisë”, stimuluar mbase edhe nga zëra brenda selizë rozë, e aq më shumë jashtë saj. Në cilësinë e kandidatit për kryeministër para zgjedhjeve, dhe të kryeministrit të ardhshëm tani së fundi, Rama kreu disa vizita e takime (e do të kryejë të tjera) që përvijuan menjëherë skeletin e politikës së re të jashtme të qeverisë shqiptare, e paralelisht shkaktuan edhe debatet e para lidhur me këtë çështje. Padyshim, ra në sy udhëtimi i parë i Ramës, shoqëruar nga ministra të rëndësishëm, për në Stamboll, ku kryeministri Erdogan “ja bëri hyzmetin” deri në fund. Përkufizimet e Ramës për “partneritetin strategjik” me Turqinë, nuk u zbehën dot nga takimi i mëpasëm njëorësh me kryeministrin grek Samaras dhe deklarata e këtyre rasteve, për “hapje të një kapitulli të ri” në marrëdhëniet dypalëshe. Po, gjithë kureshtja dhe polemikat mbeten tek destinacioni i parë: Pse Turqia, ç’ne ky, si shpjegohet kjo e kështu me rradhë.
Së pari, le të themi se Rama paska ditur (ose ka mësuar) të bëjë politikë të jashtme. E cila në rrethanat dhe realitetin e botës së sotme, për Shqipërinë duhet të jetë e fiksuar në pikësynimet e saj afatgjata e strategjike, por njëherësh e zhdërvjellët, e shkathët dhe padyshim pragmatiste. Sa për pikësynimet, anëtarësimi në BE dhe aleanca e palëkundshme strategjike me SHBA-në nuk diskutohen. Është pjesa tjetër ajo që ka lënë shumë për të dëshiruar.
Kryeministri i ardhshëm e ka të qartë prej kohësh, se në rast fitoreje elektorale do të merrte në dorëzim një ekonomi seriozisht të drobitur, financa të dobëta dhe, ç’është më e keqja, një perspektivë të zymtë për shëndoshjen e tyre. Kjo ka ndodhur tashmë. Nga ana tjetër, futja e Turqisë në trekëndëshin e partnerëve më të rëndësishëm ekonomikë (dhe më gjerë) të Shqipërisë, nuk është një shpikje e Ramës. Prania ekonomike, financiare e madje “industriale” e Turqisë në vend, është një realitet në zhvillim e sipër, prej vitesh tashmë. Duket se Rama kërkon që këtë prani ta intensifikojë edhe më shumë, sepse ekzistojnë mundësi të gjera për përfitime dypalëshe. Faktet dihen: Greqia dhe Italia, partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë, janë në një krizë që ka ndikuar rëndshëm edhe ne. Madje vetë kryeministri Berisha ka thënë për CNN para një viti se nëse kjo krizë nuk do të ekzistonte, eksportet shqiptare do dyfishoheshin çdo dy vjet.
Është ekonomia pra, fokusi i diplomacisë moderne, dhe jo eksperimentet si diplomacia parlamentare, gjyqësore a shpikje të tjera. Edhe pakti i kufirit detar me Greqinë, i gatuar në errësirë nga kryeministri në largim, na dhembi dyfish kur doli në dritë, pikërisht sepse zonat ujore që përfitonte Greqia, mbajtkëshin rezerva të mëdha nafte e gazi, çka fqinjët e dinin dhe ne jo; e aq më keq nëse Berisha e dinte. Një marrëdhënie largpamëse dhe e kultivuar në kohën e duhur me Kinën në vitet 90-të, gjithashtu do të kishte qenë një as nën mëngë për Shqipërinë e sotme. Por në vitin 2013, Kina mezi llogarit si partner ekonomik rajonin “Europa qëndrore e lindore”, imagjino pastaj vendin e shqiponjave. Të gjitha vendet rendin sot të bëjnë biznes me Pekinin, SHBA dhe BE të parat, në një kohë kur Tirana mund të ishte në pozita krejt të tjera. Afërmendsh që paralelisht, çdo qeveri shqiptare do të vijonte të ndërtonte shtetin ligjor dhe të së drejtës, të forconte institucionet demokratike (paçka se realiteti na përgënjeshtron bajagi) pa e ndryshuar shënjestrën e saj primare, anëtarësimin në Europën e Bashkuar. Sepse, duhet thënë, ekziston edhe ky prapamendim, por as fuqitë e mëdha perëndimore, e as vende të veçanta e të vogla europiane, nuk është se u infektuan nga “ndonjë virus antidemokratik” apo autoritarist pasi bënë tregti me Kinën. Më konkretisht, unë nuk besoj se vota jonë azerbajxhanase në Këshillin e Europës do ndikonte në përzgjedhjen e projektit TAP, nëse ky do ishte më i kushtueshëm e më i komplikuar se rivali Nabuco.
Diplomacia është ekonomi, ashtu sikurse anasjalltas. E për të bërë këtë, Rama nevojitet (siç dëgjojmë, do të kryhet) të bëjë një reshuffle radikal në ministrinë e Jashtme, me stafin diplomatik e administrativ të së cilës janë bërë kllounada që na kanë bërë gazin e botës. Raste qesharake (dhe trishtuese) nepotizmi, emërime skandaloze politike (mbi 70%), lënie pas dore ambasadash kyçe të vendit, që janë kthyer në objekt barcoletash. Deri për trafiqe drogash nga stafet e ambasadave kemi bërë tituj në mediat e huaja. Edhe në ndonjë rast kur ambasadorët tanë dhe investimet e huaja janë përfolur bashkë në një fjali, kjo ka ndodhur për t’i dhënë bakshishin familjarëve të kryeministrit. Kjo, në një kohë kur ambasadori ynë në Uashington dërgonte përmes një letre të hapur, alarmin sos se fondet nuk dilnin as për mbijetesë fizike, e jo më për diplomaci.
Duket pra, se kryeministri i ardhshëm i ka të qarta shinat ku duhet të ecë në këtë lëmë. Etiketimet me trekëndësha, katrorë apo hegzagonë diplomatikë, le t’i bëjnë të ngeshmit.
revista KLAN
Comments
Atje nuk ka trikendesh.Ne

Atje nuk ka trikendesh.Ne gjeometri mund te gjeni perkufizimin e tij.

Shqiperi-Greqi-Turqi ndodhen ne nje vije te drejte. Kete mund ta quash koridor,aks etj.

Ne presim qe te kemi ne qeveri njerez me te squar se Salih Rahmazan Berisha dhe dallkauket e qeverise me te ndyre qe ka pasur Shqiperia.

Kjo tregon se ne kemi thirur kot "e duam Shqiperine si Europa".

Ta quash Turqine si "partner strategjik" eshte njelloj si Salih halldupi i quan " vellezer te nje gjaku" esmeret turq.

Add new comment