Testi i Lazaratit

Çdo muaj gusht të vitit, lajmet nga dhe mbi Lazaratin janë bërë një rutinë e zakonshme mediatike, po aq sa edhe këshillat për alergjitë e stinës kur fillon të trokasë pranvera. Kësaj here, fluksi i “lazarat-news” erdhi i përforcuar nga një event serioz: Shefi i forcave ajrore te Guardia di Finanza-s dhe kreu i policisë shqiptare dolën së bashku përpara mediave, për të njoftuar përfundimin e operacionit të fotografimit ajror të parcelave me hashash në gjithë Shqipërinë. Siç e dimë, ajo që bëri bujë është bilanci i shifrave që tha oficeri italian: Lazarati prodhon rreth 900 tonë në vit, dhe kjo sasi, e shitur me pakicë në rrugët e Perëndimit sjell 4.5 miliardë euro fitim. Llogaria e tij ishte e thjeshtë, pasi kilja e hashashit, e shitur gram për gram tek përdoruesit e BE-së sjell 5 mijë euro. Argumentet e debatet për çmimin e shumicës në fshat, apo për tregtarët e dorës së dytë e kështu me rradhë, janë vetëm detaje “financiare”. Edhe sikur me treqind euro kilja të shesë Lazarati mallin e vet strategjik, fiton në vit, GDP-ja e fshatit në fjalë shkon në 270 milionë euro në vit.
Fakti është që Lazarati është logoja, simbolika më e fortë e përhapjes që ka marrë kjo tregti narkotikësh në vend. Gjithkush mund të gjejë në blogje a sajte gazetash, një koment si ky: “Pse i jeni përveshur Lazaratit ju, dhe nuk flisni për fshatrat e Fierit, Vlorës a Shkodrës, që bëjnë kërdinë?” Pra fenomeni tashmë është mbarëshqiptar, veçse nga autoritetet diferencohet trajtimi që i bëhet këtij fenomeni: Një kryeplak diku, prangoset në vend pasi bashkëfshatari kishte dy rrënjë kanabis në bahçe, ndërsa një kryeplak diku tjetër ha drekë me shefin lokal të policisë.
Mbase ishte përmendja e shifrave ajo që e ndezi debatin më shumë se zakonisht; ndikon padyshim dhe fluksi i titujve me rrethimet taktike të RENEA-s, me ca punëtorë që ndalohen të ngjiten lart dhe ca kamiona me ujë që i shpëtojnë rrethimit. Por besoj se kryefjala e kësaj vëmendjeje mbi realitetin shumëvjeçar të Kolumbisë sonë të vogël, është mbyllja e ditëve të këtij vakumi pushteti dhe mbërritja e qeverisë së re. Mënyra sesi do sillet ky ekzekutiv me këtë patate të nxehtë, dhe rezultatet që do ketë, do të jenë treguesi vendimtar mbi seriozitetin e kabinetit Rama për vendosjen e rendit dhe luftën ndaj trafiqeve. Çfarë mund të ndodhë me sagën tonë të hashashit?
Për skeptikët, gjasat janë që, me ndonjë plus-minus të vogël fushatash anti-kanabis, punët të venë kështu si shkojnë deri më tani: Ndonjë arrestim a kapje ngarkesash të veçuara, ndërrimi i kupolës së policisë por jo i “metodës së punës” policore, që kap dy mushka por mbyll sytë përballë kamionit, dhe të gjithë të kënaqur: Nga punëtorët sezonalë e kultivuesit e vegjël, tek tragtarët e mëdhenj dhe disa xhepa në strukturat e shtetit.
Ka jo pak entuziastë, që janë të mendimit se qeveria e re duhet të hyjë në një proces legalizimi të hashashit, modalitetet e të cilit mbeten për t’u parë. Kështu çaktivizohet bomba e kontrabandës, trafiqeve dhe krimeve që ligjen me to, bien çmimet e kësisoj edhe interesi për t’u marrë me hashashin, dhe pak nga pak bujqit e këtij vendi hyjnë në shtratin e kultivimit normal të tokave të tyre me produktet e stinëve. Padyshim ky është një këndvështrim shumë “hollandez” e tejet utopik, megjithëse në këto raste nuk mungojnë dhe informacione mjekësore për vetitë shëruese të bimës. Disa pyetjeve si, a do ishin dakord ndërkombëtarët (që kanë fjalën e fundit) që Shqipëria të ishte bahçja e hashashit të Europës; a do tolerohej vetëm përdorimi vetiak, por jo tregtimi e transporti (si biçim prohibicioni në SHBA-në e fillimshekullit të shkuar); apo a do liçensohej ndonjë zonë “e tregtisë së lirë” me Lazaratin në krye, etj, entuziastët ende nuk u janë përgjigjur.
Kemi edhe rrugën e tretë. Strukturat e shtetit dhe ato të policisë në plan të parë, të pastruara nga elementët e inkriminuar, të motivuara që nga rroga e kushtet e punës, deri tek mbështetja pa kushte të gjithë instancave të pushtetit, ndërhyjnë me vendosmëri në shkatërrimin e parcelave kudo që janë. Ndoshta kultivuesve (që janë padyshim shumë) u jepet paralajmërimi i fundit dhe u “mbahen shënim emrat”, ndërkohë që baza ligjore e përforcuar do të dënojë maksimalisht dhe pa ekuivoke këtej e tutje, trafikantët, kultivuesit, tregtarët e gjithë rrjetin e bashkëpunëtorëve. Por kjo është vetëm njëra anë, dhe më e pakta. Pjesa tjetër e rrugës së tretë doemos kërkon një investim të fuqishëm dhe afatgjatë në shtetit në rimëkëmbjen e bujqësisë e agrobiznesit, në mënyrë që banori i fshatit të kthehet me dëshirë tek puna dhe t’ja shijojë asaj frytet. Dhe kjo rrugë e mundimshme, duket dhjetëfish e tillë kur mendon 270 milionë eurot vjetore të një fshati.
Kjo qeveri që po vjen, është në stadin e vezës prej çokollate me surprizën brenda, ndaj dhe duhet të presim të hapet, për të parë çfarë “dhuratash” ka në të. Por deri tani, unë si skeptik që jam, druaj se varianti i parë është më i mundshmi. Le të shpresojmë se do përgënjeshtrohemi.
revista KLAN
Comments
Ha ha ha, nam I mire per te
Ha ha ha, nam I mire per
te keqija ... edhe me prostitucionin krenohemi. Sidomos ne karaduzat e Tropojes ;-)
Add new comment