Tre ngjarje, e njëjta krizë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6182_burgu-drenoves.jpg?itok=I02OPKfH)
Kjo javë është shenjuar nga tre ngjarje, në dukje të distancuara dhe pa lidhje me njëra-tjetrën: Arratisja zulmëmadhe nga një burg i sigurisë së lartë, investigimi i emisionit “Fiks Fare” mbi korrupsionin metastazik në gjyqësor dhe mbyllja e beftë e aktivitetit të kompanisë kryesore të fluturimeve ajrore në vend. Në fakt, këto tre episode thjesht ndodhën ose u bënë publike tani, porse ato ose i kishim mes nesh, ose kishin bërë vaki ndërkaq. Le ta nisim nga investigimi i Fiksit, që është ndjekur dhe përgatitur qysh nga gushti i kaluar.
Një familje në Fushë Arrëz që iu bashkua protestës ndaj dëmit që i kishte bërë burimeve natyrore e ujore një kompani private, u arrestua për reagim ndaj policisë. Një prej anëtarëve të saj kërkoi që masa e arrestit me burg ndaj familjarëve, të lehtësohej sepse protestuesit ishin të pafajshëm, por krejt zinxhiri i drejtësisë donte “grason” përkatëse për 500 mijë lekësh për kokë: Nga prokurori, tek policia gjyqësore e sigurisht, gjyqtari. Odiseja vazhdon gjatë, qytetari anonim trokiti tek dera e TCH, por ajo çka filmoi Fiksi në Pukë është etalon besnik i mënyrës sesi funksionon (pa)drejtësia në këtë vend. Tani, le të mendojmë për një çast se personazhet e arratisjes së madhe (dhe të përmbyllur me kapjen e të shtatëve dhe procedimin gjyqësor të shumë gardianëve), nuk janë atë që i njohim përmes medias gjithë këto ditë. Në Drenovë a ndonjë institucion tjetër penitenciar mund të ishin disa nga familja e Fushë Arrëzit, nëse nuk do kishin mundësinë të paguanin zinxhirin e sistemit të (pa)drejtësisë: A nuk do t’i shtynte ata dëshpërimi dhe zemërimi, të bënin ndonjë të “pabërë”, të dënoheshin akoma më shumë dhe në fund, të tentonin arratinë? Sido që të jetë, të mos harrojmë se historia që çoi fillimisht në burg Admir Tafilin (i ati akuzohej se shtiu mbi komisar Zylyftarin në Shkodër) e pastaj shkaktoi hakmarrjen vrastare mbi dy vëllezërit e personit që Tafili akuzonte si fajtor për fatkeqësinë që ra mbi familjen e tij (Prelë Pjetrushi), është trajtuar disa herë në shtyp, dhe Tafilajt kanë protestuar se janë viktimizuar. Mund të shihet po njësoj, nën një tjetër dritë, edhe deklarata e të arratisurit tjetër të Drenovës, Fran Marashit, të akuzuar për ngjarjen e ’97-ës në Urën Vajgurore: “Jam padrejtësisht në burg, doja vetëm të shkoja në Tiranë për të folur në një televizion”. Sot, bazuar në atë që ka vendosur ligji, ata janë fajtorë dhe dënuar rëndë. Por nëse zanafilla e “ligjit” është me sfonde të ngajshme me skandalin e Pukës, a nuk ka baza për të dyshuar?
Nga ana tjetër, kjo lloj fryme “hec mo”, ca para aty, një mbyllje syri atje, shpjegon edhe lëshimet e gardianëve apo mosrespektimin e saktë të rregullave të sigurisë së lartë, çka solli tek e fundit realizimin e arratisjes, megjitha paralajmërimin e vetë ministrit për ngjarjen, një skandal më vete ky. Drejtësia, nga akuza tek gjyqësori e tek institucionet e vuajtjes së dënimit, janë në kalbëzim dhe këto ngjarje thjesht janë ilustrimi më i freskët. Por panorama e katandisjes ku ka mbërritur ky vend plotësohen në gjithë madhështinë e vet me të ashtuquajturin falimentim të kompanisë Belle Air. Shumëkush e mban mend si nisi historia e suksesit meteorik të saj në vjeshtën e 2005-ës: Kompania Albatros e të afërmve të presidentit Moisiu, do të lejohej e madje ndihmohej të punonte edhe pse ndërruan qeveritë, nëse Moisiu shkarkonte kryeprokurorin Sollaku. Mesazhin e jepte Gazmend Dibra (ironia e fatit do që Dibra të ishte shefi i burgjeve deri para dy muajsh, që u lajmërua nga ministri Tahiri për dyshimet e arratisjes në Drenovë) në emër të “kokave më të larta në qeveri”. Presidenti refuzoi të shantazhohej, Belle Air lulëzoi, por tani që rezulton të jetë debitore në miliona euro gjithandej, shtetit, privatëve, klientëve, ndërpreu aktivitetin. Pra, variant klasik i tranzicionit shqiptar: ha, merr dhe ik.
Nuk është pra çudi, që përballë këtyre konstatimeve që shqiptari i thjeshtë i ka të qarta (se i mban mbi kurriz) edhe pa tre ngjarjet, njerëzit nuk kanë më durim të dëgjojnë edhe konstatimet e qeverisë së re. Madje as deputetë të zëshëm të së majtës, të cilët kërkojnë veprim; mjaft me llafe. Kalbëzimi i gjithandejshëm kërkon reagim dhe masa konkrete. Ndoshta, ndër këto masa mund të jenë efikase edhe patrullimet rrugore nëpër cepa e qoshe pallatesh për shoferë adoleshentë mistrecë; ndoshta rezultojnë të tilla edhe kontrollet ndaj bizneseve me dy punonjës, që u kërkohet të sigurojnë edhe të tretin. Ndoshta është menduar të fillohet “nga poshtë”, për të krijuar frymën e nevojshme të ligjshmërisë dhe besimit tek shteti, por nëse mbetet me kaq, atëherë jo rilindja, por as aborti nuk do ketë sukses.
revista Klan
Add new comment