Vetëçmontimi i Erdoganit

Postuar në 29 Dhjetor, 2013 08:14
Baha Güngör

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, me siguri e kishte përfytyruar ndryshe bilancin e tij qeveritar në fund të vitit. Në vend të normave të rritjes, t'ia kishin zili lirës së fortë dhe rëndësisë në rritje të Turqisë si fuqi rajonale, tashmë pyetja prej kohësh nuk është më nëse Erdogani dhe qeveria e tij do të japin dorëheqjen, por se kur do të tërheq frenat.

Kryetari i partisë konservatoro-fetar në pushtet, AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim), mbështetet në një shumicë absolute në parlament dhe që prej fitores në zgjedhjet e vitit 2002, ka qeverisur thuajse i pashqetësuar dhe pa një opozitë serioze politike. Por, Erdogan po bën të njëjtat gabime si shumë sundues absolutë dhe e kujton veten të pagabueshëm. Kritikën ndaj politikës së tij e toleron gjithnjë e më pak, dhe gazetarë, intelektualë apo politikanë që mendojnë ndryshe, përfundojnë në burg. Madje, edhe një pjesë e madhe e drejtuesve të ushtrisë u dënuan me dënime të gjata me burg pasi u akuzuan se kishin përgatitur puç.

Në vend që të zhvillohej në një lider politik të madh, i mbështetur nga një valë suksesi brenda dhe jashtë vendit, në verën e këtij viti Erdogan nisi vetëçmontimin. Konflikti me forcat demokratike dhe grupet civile të shoqërisë për shkak të planeve për ndërtim në një park në sheshin Taksim, në qendër të Stambollit dhe ashpërsia çnjerëzore e kryeministrit dhe policisë kundër demonstruesve, treguan se prej kohësh Erdogani i kishte nervat e tendosura.

Nervat e tij pësuan përfundimisht kolaps në vazhdën e zbulimit nga policia dhe drejtësia, të një skandali të pashembullt korrupsioni, në historinë 90-vjeçare të Republikës turke. Kur akuzat e rënda, si pastrim parash, kontrabandë ari, transaksione të paligjshme bankare me Iranin dhe ryshfete për projekte shtetërore ndërtimi, arritën deri tek rrethi i tij, Erdogan reagoi me një ndryshim radikal të kabinetit. Por, edhe ndërrimi i 10 nga gjithsej 26 ministrave të qeverisë së tij, nuk mundi t'i kthente mbrapsht zhvillimet. Lira turke ra në nivel rekord të ulët kundrejt euros dhe dollarit. Së fundi edhe instanca më e lartë e gjykatës administrative i prishi llogaritë e qeverisë, duke deklaruar të pavlefshëm vendimin e Erdoganit, për t'u lidhur duart policëve dhe prokurorëve me anë të detyrimit për njoftime lidhur me hapjen e hetimeve.

Por, edhe nëse Erdogani bie viktimë e mbivlerësimit të vetes së tij dhe rrëzohet, alternativat nuk janë aspak të mira për një shtet anëtar të NATO-s: në Turqi mungon një opozitë politike bindëse dhe e fuqishme. Kundërshtari më i fortë i Erdoganit është predikuesi Fethullah Gylen, i cili dënoi përpjekjen e kryeministrit për të vënë nën kontrollin e tij shkollat e bashkësisë Gylen. Këto shkolla janë vatrat e përgatitjes të Gylenit, i cili prej 13 vjetësh jeton në SHBA.

Kush bie në një kënetë në natyrë, nuk duhet në asnjë mënyrë të përpiqet të shpëtojë vet. Përpjekja ka si pasojë zhytjen më thellë në moçal dhe shpëtimi bëhet edhe më i vështirë. Erdogan po përpëlitet tashmë prej muajsh. Për pasojë shpëtimi dhe qëndrimi edhe më tej në post po bëhen gjithnjë e më të vështirë.

(Marrë nga: DW)

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Erdoganin e çmonton sot ne shekullin e XXI vete islamizmi i tij i dalun jashte mode.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.