Edhe në Amerikë ka mashtrues primitivë

Postuar në 10 Janar, 2014 03:00
Ilir Hashorva

Para pak ditësh, mjetet e informacionit, si ato të shkruara, edhe ato audiovizive, dhanë një lajm “sensacional”, sipas së cilit shqiptarët qenkan “mashtrues primitivë” apo “mashtrues të mëdhenj”. Lajmi bazohej mbi disa të dhëna të Ministrisë së Drejtësisë në raportin e saj enigmatik në gjuhë të huaj “Open Data Albania”. Shqiptarëve nuk para u bëri përshtypje ky njoftim, ndofta ngase ua kanë mbushur mendjen se janë të parët në Ballkan, të parët në Evropë e të parët në botë për çdo gjë të keqe.

Pakkush e ka dashur dhe ka ditur për Ameriken më shumë se unë, në ato kohe kur kishe frikë edhe të mendoje për të. Amerika dhe jeta amerikane imagjinohej si krejtësisht ideale në çdo aspekt të saj. Çdo gjë e mirë, e bukur dhe e ndershme më dukej sikur ishte vetëm në Amerikë. Kur dikush që kthehej nga Amerika bënte ndonjë vërejtje për te, mendoja se ai nuk kuptonte. Kur dikush thoshte se amerikanët nuk kanë tjetër moral përveç parasë, mendoja se ata nuk dinin se ç’qe morali. Por, duhet të kisha ditur se, në një vend me liri të pakufizuara, përfitojnë më shumë mashtruesit dhe shtresat josociale të popullsisë. Të tjerët, njerëzit e ndershëm, nuk kanë nevojë për liri të pakufizuara, madje, ata i kufizojnë vullnetarisht liritë e tyre. Mashtrimet që pësojnë ata nga “mashtruesit primitivë”, janë pjesë e asaj që ata duhet të paguajnë për lirinë.

Disa vërejtje për jetën amerikane, që nuk mund të mos u besoja, i lexova për herë të parë në librin e Sbignjev Brezhinskit, Këshilltarit për Sigurinë të Presidentit Karter, “Jashtë kontrollit”. Megjithatë, edhe pse i besova pjesërisht, duke menduar se disa ishin të ekzagjeruara, nuk i mora shumë parasysh. Kur erdha në Amerikë dhe rashë në kontakt me fare pak shqiptare, mora vesh se ata ishin ndarë dysh ne lidhje me Amerikën: një pjese e dashuruar marrëzisht me të, dhe tjetra kritikuese vend e pa vend e saj. Secili fliste sipas interesit, sipas mënyrës se si i kishin vajtur punët personalisht.

Tashti po tregoj ato që provova vetë, duke u munduar të jem krejtësisht i vërtetë.

Amerika, mesa kuptova që në fillim, është vendi ku njeriu gënjehet vazhdimisht, por është edhe vendi ku njeriu ka qejf të gënjehet. Veçanërisht duhet të jetë shumë i kujdesshëm ai që sapo ka shkuar në Amerikë. Ka aty një organizim të tillë të padukshëm mashtruesish nga më të ndryshmit që i sulen nga të gjitha anët rishtarit për ta zhvatur e shteti nuk bën asgjë kundër tyre, për sa kohë ata nuk shkelin ligjet e shkruara.

Kur fillimisht u futa në një kurs gjuhe, profesori që na mësonte, na fliste më shumë për kujdesin që duhej të kishim në Amerikë për të mos rënë pre e mashtruesve, sesa për leksionet e gjuhës në bazë të librave. Ai na udhëzonte: “Kurdoherë që lexoni ndonjë reklamë, njoftim apo etiketë malli, lexoni me kujdes ato që shkruhen me germa të vogla, mikroskopike, ato që vihen në vende pak të dukshme dhe jo ato që shkruhen me germa të mëdha e në vende të dukshme. Ato me germa të vogla tregojnë hilet e asaj që reklamohet, por që shkruhen të detyruara nga ligji”. Profesori na mësoi se amerikanët kishin edhe idioma a shprehje të përdorimit të përditshëm që kishin lidhje me mashtrimin, të tilla si “Where is the catch?”, që do të thotë ku e ka hilen? apo, “Is too good to be true”, është shumë e mirë për të qenë e vërtetë.

Si i papunë që isha në fillim dhe me vështirësi të madhe për të gjetur punë, në kulmin e dëshpërimit, më vjen në shtëpi një letër e cila më njoftonte se mund të punoja nga shtëpia dhe të fitoja nga 500-5000 dollarë ne jave! Puna do të ishte mbushja e disa zarfeve me materiale reklame, që do të më vinin nga firma që më dërgonte letrën, të cilat duhej t’i postoja sipas adresave që do të më dërgoheshin. Pullat e postës do t’i blija vetë. Më shpjegohej se ato materiale ishin me shumë interes për njerëzit dhe se unë do të paguhesha me nga 2-10 dollarë për çdo zarf. Firma më siguronte se te ardhurat nga kjo punë do të ishin kolosale por, për fillimin e punës i duheshin dërguar asaj 50-100 dollarë nga ana ime në varësi të numrit të materialeve që doja të postoja, të cilat do të shërbenin si njëfarë sigurie për të, që ato materiale të mos shpërdoroheshin. Veprova sipas porosive. Postova zarfe të mbushura me materialet reklamë që më dërguan dhe bëra llogari se sa kohë shpenzova dhe sa para do të fitoja. Fitimet dilnin vërtet kolosale. Mallkova vetën që kisha humbur aq kohë me zyrat e punës për të gjetur një punë! Pasi prita disa javë për të marrë çekun e fitimit dhe nuk po merrja gjë, e kuptova se më kishin gënjyer. I shkrova firmës dhe i thashë se, në qoftë se nuk do të më kthenin të paktën paratë që u kisha dërguar për fillimin e punës, do t’i hidhja në gjyq për mashtrim dhe do të shkruaja edhe në gazetë. Më kthyen përgjigje dhe më thanë se ata ishin në rregull me ligjin, se në njoftimin fillestar që më kishin dërguar, në një cep të humbur të tij, me germa të vogla, shkruhej se unë do të paguhesha jo në bazë të zarfeve që do të dërgoja, por në bazë të zarfeve që do t’i ktheheshin firmës nga marrësit e letrave që kisha dërguar unë, me kërkesën për blerje të mallrave të reklamuara dhe, meqenëse asaj firme nuk i kishte vajtur asnjë kërkesë, unë nuk mund të merrja gjë. Nuk i pata parasysh porositë e profesorit dhe humba nja 50 dollarë, jo ndonjë shumë kushedi se ç’farë, por me ato para, të mbledhura nga mijëra si puna ime, firma bëhej milionere. Të them të drejtën, unë dyshova pak që në fillim për mundësinë e fitimit të madh duke mbushur zarfe, sepse mendoja se, në qofte se kjo do të ishte një mënyrë e lehtë për të fituar, perse nuk e bënte vete firma, po angazhonte njerëz te tjerë? Megjithatë, ketë mendim e rrëzova me një mendim tjetër të asaj kohe që qarkullonte këtu: se mendimi ynë nuk kishte vlerë për në Amerikë, se këtu nuk ecej me logjikën shqiptare, por me atë amerikane!

Ne etiketat e mallrave ushqimore shkruhen me shkronja te mëdha cilësitë e mira te mallit dhe, ne një cep gati te padukshëm, me shkronja mikroskopike, te cilat shumë pak mund t’i lexojnë, apo t’u kushtojnë vëmendje, shkruhen gjerat me te rëndësishme, por që nuk u interesojnë prodhuesve dhe shitësve, sepse e bëjnë atë mall gati të pavlefshëm. Aty, për shembull, tregohen konservantët e dëmshëm për shëndetin, ngjyrosësit e ndryshëm, apo lëndë artificiale që përmban produkti.

Herë pas here, në dyqane vihen njoftime për ulje të mëdha çmimesh. Turma blerësish i mësyn ato dyqane, por shohin se ulje çmimesh ka vetëm për pak artikuj ndër mijëra të tjerëve. Dyqani e di se, nga mijëra veta që shkojnë për të blerë sende me çmime të ulura, për të mos dalë duarbosh, disa do të blejnë diçka edhe me çmimet e zakonshme. Një e njohura jonë punonte në një punishte që merrej vetëm me ndërrimin e etiketave të çmimeve të rrobave. Rrobat qenë krejtësisht të reja, të pa ekspozuara ndonjëherë më parë në dyqan, por në to duhej të kishte dy etiketa: njëra me çmimin e vjetër dhe tjetra me çmimin e ri, natyrisht të ulur. Blerësi amerikan zor se blen gjë, në qoftë se nuk sheh se mallit i është ulur çmimi.

Duhet pasur kujdes te dhuratat që të bëhen me mënyra nga më të ndryshmet. Të bëjnë një dhuratë dhe të kërkojnë më pas shumëfishin e vlerës së saj. Të thonë se të kemi bërë ketë dhuratë, por se duhet të paguash për transportin, pagesë që e kalon çmimin e vetë mallit. Të thonë se të japin pesë libra me çmime fare të ulëta që ti i zgjedh nga një katalog që të dërgojnë, dhe të bëjnë pastaj anëtar të klubit të tyre të librit me detyrimin që të blesh çdo gjashtë muaj nga pesë libra të tjerë nga ato që duan ata vetë me çmime jo më të ulëta. Të sjellin për disa muaj falas një revistë dhe më pas vazhdojnë të ta dërgojnë atë, por tashti me pagesë. Të thonë se të kanë dhuruar një telefon celular dhe të abonojnë, pa e ditur as ti vetë, në një kompani telefonash së cilës i duhet paguar fatura mujore edhe pse ti ke qenë i abonuar dhe vazhdon të jesh i abonuar në një shoqëri tjetër. Një herë u reklamua për një kohë të gjatë në televizion, një lloj makine rroje, brisqet e së cilës thuhej se ishin bërë me titan dhe nuk prisheshin kurrë. Mjafton të blije një makinë të tillë dhe e kishe për jetë! Unë bleva jo një, po dy. Me atë makinë nuk mund të rruheshe as edhe një herë të vetme, vërtet as edhe një herë! Të dyja i hodha poshtë.

Për të filluar një punë, sidomos kur shkova unë, ne vitin 2000, nuk ishte e lehtë. Ndonëse kishte një numër agjencish pune shtetërore e private, punë kishte pak. Në disa qendra pune vinin shpallje për nevojë për punonjës. Në to lajmërimi bëhej në atë mënyrë që të dukej sikur ti do t’i bëje një nder te madh asaj qendre pune por, kur ti bëje kërkesën për punë sipas rregullave, ata as që të përgjigjeshin, sepse punë nuk kishte.

Si i papunë që isha, dikush më njoftoi se në një nga dyqanet e firmës së madhe tregtare të sendeve elektronike “RadioShack”, kishte parë një shpallje me të cilën kërkoheshin punonjës të rinj. I gëzuar, meqenëse dyqani tregtonte materiale e aparate elektronike që lidheshin edhe me profesionin tim, shkova dhe mbusha një formular pune. Asnjë përgjigje nuk m’u dha. Një herë tjetër, në një nga zyrat e punës ku shkova disa herë, pashë se kishin vënë një lajmërim në mur me të cilin njoftonin se kërkonin punonjës për hotele. I gëzuar i thashë nëpunëses se do të shkoja me shumë dëshirë në një hotel për të punuar. Nëpunësja më tha të mos shihja shpalljet, shpalljet ishin vetëm reklamë!

Para se te shkosh për interviste për një vend pune, nëpunësja apo nëpunësi i zyrës së punës te jep instruksione (nganjëherë te shfaqin edhe filma) për mënyrat e suksesshme të intervistimit. Në ato leksione të mësojnë se si duhet të vishesh, se si duhet të shkosh 5 minuta përpara, se si duhet të buzëqeshësh, se si duhet ta shohësh në sy intervistuesin, se si duhet të tregohesh shumë i interesuar për të çuar përpara punën, se si duhet të jesh kokulur, duke pranuar çdo kusht që do të të vënë etj, etj, me një fjalë, në leksionet që të japin, të mësojnë se si të tjetërsohesh, si të gënjesh intervistuesin dhe si të kënaqet intervistuesi me gënjeshtrat e tua.

Ne një agjenci pune më kërkuan një resume. Resumeja është një lloj autobiografie, apo njëlloj CV-je, e cila ka lidhje me punët që ke bërë dhe me sukseset që ke arritur në to. Nëpunëses së zyrës së punës nuk i pëlqeu formulimi që i kisha bërë unë rezumesë time. Ajo më dha disa udhëzime me fjalë si dhe një broshure udhëzuese. Nga broshura mësova se duheshin bërë ca hile që të mund të të merrnin ne konsideratë. Broshura kishte dhe firmën e guvernatorit te Nju Yorkut të asaj kohe, George Patakis. Nga broshura mësova, se ndryshe nga ç’propagandohej e ç’thuhej, se në punë njerëzit merreshin pavarësisht nga mosha, seksi, raca, përkatësia etnike a fetare etj, në të vërtetë nuk ndodhte ashtu. Broshura të mësonte se, në qofte se ishe i moshuar, nuk duhej te dilte në resume mosha, prandaj të gjitha punët ku kishe punuar më parë, apo shkollat që kishe kryer, duhej të ishin pa data. Në vend që Patakisi të ndiqte sipas ligjit penalisht ata që bënin dallime, të mësonte se si t’i gënjeje, apo si t’i mashtroje ata që bënin dallime!

Për të zëne një punë, procesi i intervistimit nuk kishte ndonjë rendësi te madhe, ai ishte më shumë një formalitet i detyruar nga ligji. Ai që të merrte në interviste nuk donte të dinte shume për aftësitë e tua. Ai të shihte prejardhjen etnike, shkollat e kryera në Amerikë, eksperiencën amerikane të punës, ai të shihte moshën, fuqinë, flokët, nëse kishe ndonjë qime të bardhë, dhembet, nëse të ishte shkulur ndonjë e gjera te tjera te ngjashme.

Në një rast, një agjenci pune më çoi në një kompani që merrej me fotokopjime. Aty më morën në interviste. Ndërmjet te tjerave më pyetën dhe se ç’profesion dhe ç’shkollë kisha kryer. Unë paraqita një resume ku ishin shënuar të gjitha punët dhe shkollat që kisha kryer. Të nesërmen nëpunësja e zyrës së punës që më kishte rekomanduar për atë vend pune, më pyeti në telefon se si kishte vajtur intervista. I thashë se intervista ishte zhvilluar normalisht. Pastaj ajo kërkoi të dinte nëse isha pyetur për shkollat dhe punët që kisha kryer më parë. I thashë se më pyeti dhe se unë i dhashë resumenë, duke ia thëne kryesoret edhe me gojë. “Domethënë, - tha ajo me një ton qortues e kërcënues - paske thënë që ke qenë inxhinier? Do të shesësh mend, ...ë! Kurrë nuk do të gjesh punë. Asnjë nuk të merr në punë kur të marrë vesh se ke qenë inxhinier, sepse ata e dinë që inxhinierët nuk punojnë gjatë në punë të rëndomta”. Edhe ajo nëpunëse më mësoi një hile. Në intervista të tjera nuk e përmenda kurrë më shkollën, por përsëri nuk gjeta punë. Te vetmen punë qe sigurova në atë kohë, e gjeta pasi aty rastisi që ai që më shoqëroi, të ishte mik i një nëpunëseje të zyrës së kuadrit. Nëpunësja më premtoi aty për aty se do të më merrte në punë dhe vërtet më mori, por më mbajtën vetëm tre muaj. Një tjetër që kishte mik drejtues të asaj qendre pune më zëvendësoi. Edhe në punën që kam sot dhe ku po punoj prej më se 10 vjetësh, me mik hyra. Miqësia vlen kudo.

Fatura mujore për pagesën e telefonit, një herë, na erdhi disa herë më e madhe se faturat që na vinin zakonisht. Një bisedë telefonike e zakonshme brenda shtetit të Nju Jorkut në atë kohë kushtonte 10 cent, pavarësisht se sa zgjaste biseda. Në faturën e fundit kishte si shtesë pesë biseda telefonike me një numër që na u duk i panjohur, me kohëzgjatje secila nga 1 minutë dhe me çmim të çdo minute 20.2 dollarë, pra 202 herë më shumë se biseda e zakonshme. Menduam se ishte një gabim i shoqërisë së telefonave dhe e morëm në telefon atë shoqëri për t’i shfaqur shqetësimin tonë. Ata na thanë se me atë numër ne kishte biseduar vërtet, por shoqëria do të mundësonte që ato para të mos paguheshim.

Duke e vrarë mendjen, gjetëm se kishim biseduar vërtet me atë numër telefoni, të cilin e kishim marrë nga një agjenci pune, lajmërimet e së cilës ndodheshin ende në shumë pika të rrugës sonë. Unë i kisha telefonuar asaj agjencie për punë, por më dilte gjithnjë sekretaria telefonike, pra makina, dhe jo ndonjë person. Makina më thoshte se kishte punë për këdo, por duhet të lija emrin dhe adresën. E mora atë numër disa herë, me shprese se mund të bisedoja me dikë dhe ta pyetja edhe për llojet e kushtet e punës si edhe për adresën e asaj agjencie. Të pesë herët më ndodhi e njëjta gjë: dilte makina dhe përsëriste të njëjtat fjalë. Atëherë nuk u mora më me të dhe thashë se, ose ishte ndonjë agjenci mashtruese, ose e kishte plotësuar nevojën për punë dhe nuk funksiononte më.

Më pas mësuam edhe nga të tjerë njerëz që ishin mashtruar me të njëjtën mënyrë. Ajo “agjenci pune”, në bashkëpunim me firmën e madhe telefonike Verizon, nxirrnin fitime nga hallexhinjtë e papunë amerikanë, duke i ngarkuar me pagesa telefonike qindrafishe kur ata kërkonin punë.

Në vendin e punës ku punoj edhe sot, në një sinagogë, njëherë na shpërtheu uji nga sistemi i ngrohjes. Thirrëm një hidraulik i cili qëlloi të ishte shqiptar. Ai e rregulloi shpejt dëmtimin dhe, natyrisht, ne e pyetmë se nga se kishte ardhur dëmtimi. Na u përgjigj se duhej të ishte prishur një valvul qendrore e presionit e cila duhej ndërruar. I thamë të vinte sa më shpejt ta ndërronte. Ai erdhi vërtet, por nuk e ndërroi. E shkëlqeu pak valvulin e vjetër me letër zemerilje dhe kërkoi 450 dollarë për “ndërrimin” e saj. Shefi im më pyeti nëse e kishte ndërruar vërtet valvulën. Unë me shumë vështirësi e gënjeva dhe i thashë se e kishte ndërruar. Shefi i bëri çekun dhe ai iku. Në ikje e sipër më thirri, më dha kartvizitën dhe m’u lut që ta thërrisnim sa herë të kishim nevojë, pastaj nxori nga xhepi një tufë paresh dhe prej tyre më dha 20 dollarë. Unë nuk ia mora, por ai m’i futi në xhep, duke më thënë: “Unë u jap spanjollëve e jo ty, merri!” (spanjollë quhen nga shqiptarët popullsitë hispanike që kanë emigruar në Amerikë nga vendet e Amerikës Latine dhe që bëjnë kryesisht punët më të rëndomta). Natyrisht, unë nuk e thirra më atë hidraulik dhe 20 dollarët që më dha ia dhashë si donacion anonim sinagogës ku punoja. Njeriu, kur shkon në një vend të huaj, çlirohet nga shumë mekanizma frenues që mund të ketë në vendin e tij dhe, në këtë mënyrë, shfaq aftësitë e tij më të shquara të mashtrimit dhe gënjeshtrës.

Një mikut tim i vjen një njoftim se ishte bërë fitues i një shume të madhe parash nga një lotari që ishte hedhur dhe që ky nuk dinte të kishte marrë pjesë. I gëzuar erdhi e më dha lajmin se andej e tutje do t’i thoshte lamtumirë varfërisë dhe jetës së mundimshme. Ai do t’i tërhiqe paret shumë shpejt, por më parë duhej t’i paguante agjencisë së lotarisë një shumë prej 1000 dollarësh, e cila duhej për të kryer transaksionet e nevojshme, për të transferuar paratë nga banka e tyre në bankën ku ai kishte llogarinë. I thashë se kishte shumë raste mashtrimesh të kësaj natyre dhe prandaj të mos i dërgonte paratë që i kërkonin, por ai më tha se ishte i sigurt që kishte fituar, se nuk ishte mashtruar ndonjëherë në jetën e tij dhe se në këtë rast ia vlente të rrezikonte 1000 dollarë për qindra herë më shumë që do të fitonte. I dërgoi 1000 dollarët dhe i humbi.

I them këto jo për të kritikuar Amerikën, apo për të thënë se Amerika është një vend i keq, sepse Amerika ka shumë më shumë të mira se të këqija, por për të treguar se nuk është ai vendi ideal, që e përfytyrojnë shumë e që e përfytyroja edhe unë, si dhe për të paralajmëruar ata që shkojnë rishtas në Amerikë se aty gëlojnë mashtrues primitivë nga më të ndryshmit dhe se në problemet e mashtrimit njerëzit nuk janë shumë të ndryshme nga njëri-tjetri kudo që të jenë, vetëm se përdorin mjete e metoda prej të cilave rishtarët bien lehtë pre e tyre.

Comments

Submitted by Rob (not verified) on

<p>Artikull i perkryer. Vlen per te gjithe qe nuk qene ne emigracion per t&#39;a kuptuar me mire bote.&nbsp;</p>

Submitted by Dritan (not verified) on

<p>Dhe shqiptaret e shkrete nga naiviteti akoma besojne se amerika eshte toka e kulluar.</p>

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Po me kete logjike mund te shkruhen artikujt me titull: &quot;Edhe ne Amerike ka hajdute&quot;., &quot;Edhe ne Amerike nuk te fal njeri gje&quot;, &quot;Edhe ne Amerike te shtyp makina&quot;, &quot;Edhe ne Amerike te ze gripi&quot; e keshtu me rradhe.......dhe mund te krijohet cikli &quot;Edhe ne Amerike.....&quot;</p>

Submitted by Dritan (not verified) on

<p>Te gjitha duhen shkruajtur per Ameriken, ta marrin vesh njerezit cfare vendi eshte..............</p>

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Per cilet njerez e ke fjalen, per ata qe rrojne ne Amerike, apo per ata qe nuk kane per ta pare Ameriken ndonjehere?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.