Prizreni dhe Mitrovica?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5855_image.jpeg?itok=XESHAjOP)
Është krejt normale që të zhvillohen takime pune mes dy qeverive të dy shteteve. Këtë e kanë bërë edhe shumë shtete të tjera, përfshirë edhe të rajonit. Duke pasur këtë parasysh, asgjë e pazakontë nuk ndodhi të shtunën e kaluar në Prizren, ku për herë të parë u zhvillua takimi i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Deri tek një takim i tillë është dashur të kishte ardhur edhe më herët, pa eufori, pa shpenzime të kota, por me përgatitje të duhura dhe përmbajtje që do të sillte rezultate. Por Tirana dhe Prishtina, e sidomos Tirana, kanë pasur frikë për një hap të tillë në të kaluarën. Publicisti Veton Surroi në një debat para disa vjetësh në Bruksel pati thënë se „edhe nëse ndonjë shqiptar dëshiron ta zgjerojë banjën e tij mund të akuzohet se po tenton të krijojë Shqipërinë e Madhe“. Krijimi i Shqipërisë së Madhe shpesh është përdorur në qarqet diplomatike, jo vetëm serbe, por edhe të shteteve të tjera, si një e keqe, e cila mund t’i ndodhë rajonit e me këtë edhe Evropës. Për tentime për "veprimtari armiqësore, me qëllim të krijimit të Shqipërisë së Madhe“ kanë vuajtur burg shumë kosovarë në të kaluarën. Por prej krijimit të shtetit të Kosovës, i tillë çfarë është, dhe kushtëzimeve që iu bënë këtij shteti para se të lindë, filloi të zbutet frika nga "Shqipëria e Madhe". Shqipëria e ka njohur ndër shtetet e para Kosovën, ndërsa Kosova nuk ka ndonjë synim të bashkimit me Shqipërinë, së paku për momentin. Ato subjekte politike të cilat në programin e tyre e kanë pasur bashkimin nuk kanë lënë asnjë shenjë në zgjedhje në Shqipëri, ndërsa suksesi i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë është më shumë rezultat i punës së këtij subjekti, i kundërshtimit të pushtetit në temat e tjera sesa për shkak të angazhimit për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Sikur të ishte e mundur dhe reale pakkush do t’i thoshte “JO” një bashkimi të tillë, por duke pasur parasysh se çlirimi i Kosovës dhe krijimi i shtetit të Kosovës ishte dëshirë e shqiptarëve, por edhe projekt ndërkombëtar. E ata të cilët e ndihmuan këtë projekt, e që në Kosovë janë të pagëzuar si „miqtë ndërkombëtarë“ e kushtëzuan këtë ndihmë me garancitë se nuk do të ketë bashkim të territorit të Kosovës me territor të ndonjë shteti tjetër. Të përbashkëta këto shtete, së paku për momentin, kanë aspiratat për t’u integruar në BE dhe në këtë organizëm një ditë do të mund ta gjejnë veten edhe të bashkuar. Prandaj edhe takimi i së shtunës në Bruksel nuk shënoi ndonjë lajm të rëndësishëm as për mediet e huaja e as për Bashkimin Evropian, NATO-n apo pjesën tjetër të asaj që njihet si bashkësi ndërkombëtare. Është çështje tjetër sesa do të sjellë rezultate praktike një takim i tillë. E mirë do të ishte sikur Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunonin më shumë edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shpëlarjes së parave, zbulimit të vrasjeve me dyshime për motive politike, trafikimit të drogës. Të gjitha këto dukuri janë duke e penguar lëvizjen e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane dhe drejt krijimit të një shteti të sundimit të ligjit. Këto dukuri të krimit janë ndërkufitare dhe bashkëpunimi i rrjeteve kriminale është në rritje. Do të ishte mirë që strukturat shtetërore dhe organet e drejtësisë të zënë hapin me grupet e tilla dhe të bashkëpunojnë për t’i luftuar ato.
E shtuna e kaluar na e kujtoi një realitet të hidhur që ka Kosova. Bërja e betimit dhe marrja e posteve nga ana e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës. Ky akt, ndonëse në nivel lokal, është dëshmi sesi edhe jashtë, por edhe brenda territorit të Kosovës ka jo vetëm qytetarë, por edhe struktura mirë të organizuara, dhe jashtëzakonisht mirë të financuara, të cilat vazhdojnë të sfidojnë ekzistimin e shtetit të Kosovës. Në kohën kur për herë të parë në Prizren u zhvillua takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në skajin tjetër të shtetit më të ri evropian, në veri të Kosovës, fituesit për kryetarë komunash me shumicë serbe thoshin se do të bëjnë „gjithçka që nga ta kërkon qeveria e Serbisë“. Të dyja këto ishin ngjarje historike, sepse ndodhnin për herë të parë në histori, por po ashtu dëshmuan se ende në territorin e Kosovës kemi dy realitete. Ata të cilët deri tash refuzonin autoritetin e Qeverisë së Kosovës në veri quheshin struktura paralele. Tash ata do të integrohen në strukturat e Kosovës, por vetëm me urdhër dhe mbështetje të Serbisë dhe duke refuzuar të njohin shtetin e Kosovës. Këto struktura tash janë legalizuar dhe legjitimuar. Ata edhe marrjen pjesë në zgjedhjet lokale e kanë bërë me bindjen se në këtë mënyrë po e ndihmojnë integrimin e Serbisë në BE, dhe vërtet Serbia ka bërë një hap gjigant, sepse javën që vjen në Bruksel nis negociatat e anëtarësimit, e jo për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Serbia prapë do të ketë një rol shumë më të madh në Kosovë sesa Shqipëria. Serbia, përmes kontrollit që do të ketë mbi përfaqësuesit politikë të serbëve në institucionet e Kosovës, sidomos nëse rritet numri i përfaqësuesve të tyre, do të ketë mundësi të ndikimit të drejtpërdrejtë në miratimin e ligjeve vitale në Kosovë. E serbët në Kosovë, sa me ligje më shumë edhe me mjete financiare, do të mbështeten nga të gjithë, nga Beogradi, Brukseli e edhe Prishtina. Përderisa kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi mezi premtuan 100 mijë euro për ndërtimin e një spitali në Preshevë mjetet financiare që janë premtuar për komunat me shumicë serbe në Kosovë janë dhjetëra miliona. Dhe, përderisa Beogradi ka rol të drejtpërdrejtë në veriun e Kosovës, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë ndonjë rol në Luginën e Preshevës. Përderisa Kosova e as shqiptarët nuk e mohojnë ekzistimin e shtetit të Serbisë edhe Serbia edhe serbët në veri të Kosovës, mohojnë ekzistimin e shtetit të Kosovës. Përderisa Prizreni është simbol i bashkimit të shqiptarëve, për shkak të historisë dhe Lidhjes së Prizrenit e jo për shkak të takimit të së shtunës, Mitrovica tashmë është bërë simbol i ndarjes së Kosovës.
Nga "Koha Ditore"
Comments
Augustin ! Me qene se je me i

Augustin !

Me qene se je me i kenduar se une , a ka mundesi te me tregosh ndonje rast si ky qe dy qeveri bejne mbledhje t perbashketa in completto, jo delegacione te ktesuara nga kryeministrat ?.

Nuk duket shume normale qe

Nuk duket shume normale qe shume shkrime nga Shtypi i Kosoves te vihet ketu apriori, C & Paste. Per disa arsye.

- Kosova sot eshte shtet me vete, ne nuk i ndjekim dot [e mos te pretendojme se jemi te intesuar ne Nivel Komunash, (?!)] ne cdo lajm. Sic dhe Gjermania nuk ndjek Austrine ne cdo imtesi, Greqia - Qipron etj.

- Cdo fjale e beme, e Ramushit, Rexhepit, Shefqetit e Hashimit, dhe ne qofshin lajm per Kosoven [une dyshoj ne kete] nuk ka si te jete lajm per Shqiperine.

- Me duket se elementi i reciprocitetit mungon [e me te drejte] e besoj se Shtypi Kosovar nuk do pasqyronte ''realitetin e hidhur'' ne Rrogozhine apo Fushe-Arrez, dy pjese [te nderuara] te vendit tone, por qe qytetarit Kosovar nuk i thone asgje.

Duhet bashkepunim ne ekonomi, kulture, luften ndaj krimit te organizuar e per nje politike kombetare qe te rritet fuqia a faktorit shqiptar ne rajon, por nje ''mikro-manaxhim lajmesh'' sjell efekte jo te mira. 1) Humb interesi 2) Nuk kapen temat me vlere ne nje mori lajmesh pa vlere 3) Kosova vazhdon te shihet me nje sy patronizimi 4) Krijohet ideja se eshte nje publik qe do lajme te vogla, ne kete e ne ate ane. 5) Dalin ne drite irritimet e ''blogosferes shqip'' e fillon nje lufte e kote... 6) A ecen Shpendi me Autobuz apo Edi me biciklete, nuk eshte lajm reciprok per ne kendej, apo ata andej. 7) lajmi dhe editorialet duhet te kene jo vetem vlera po dhe aktualitet e perkatesi!

Kjo eshte ne aspektin relativ, se po ti futemi thelle..diksuh do thote ''mitrovica e rrogozhina'' kane rendesi te ndryshme, por prape ky eshte nje problem i perditshem Kosovar dhe u takon atyre ta manaxhojne.

Miqesisht per autorin [shkrim i mire] per Respublica.al dhe per kedo.

Add new comment