Do rregulluar dhe njëkohësisht do zbatuar drejtësia

Postuar në 20 Janar, 2014 09:20
Bashkim Kopliku

[Koment për shkrimin “Dëgjohet britma: Berisha në pranga! Por ...”, të Mustafa Nano, tek Dita, 19.01.2014]

Natyrisht që drejtësia dënon në një vend demokratik, e jo ekzekutivi.  Po kur drejtësia e një vendi bën të kundërtën e dhënies së drejtësisë, siç dihet se ndodh në Shqipëri?  Përgjigja është që duhet rregulluar drejtësia, por ama ndërkohë duhet edhe dhënë drejtësi, duhen dënuar fajtorët.

Me rregullimin e drejtësisë duhet të merren të gjithë, Kuvendi, Ekzekutivi, masmedia, e pastaj dhe vetë drejtësia, me ato pak forca jo të korruptuara që ka.

Po a po ndodh kjo tek ne, pra a po ndodh një përpjekje mbarëpopullore për rregullimin e drejtësisë?  Jo, nuk po ndodh sa duhet. Bile kur shihet se arrihet të bëhet shaka me atë që ke akuzuar “që të ka vrarë kot, 4 njerëz tuaj në bulevard”, qofshin këto shaka dhe në formën batutave publike në Kuvend, atëherë përfundimisht ke bërë të kundërtën: e ke shfajësuar Berishën, ke paralizuar rregullimin e zbatimin e drejtësisë.

Parantezë: Mos harroni, edhe ti Muç, se nuk është rreziku i kapjes së shtetit nga Edi Rama, por është rreziku i rikapjes së shtetit nga Sali Berisha. Po, po!

Në krye të rregullimit të drejtësisë duhet mos të jetë vetë drejtësia shqiptare e degjeneruar, as dhe Presidenti i vendit, ky që kemi, që është emëruar nga Sali Berisha, thjesht për të mos bërë gjë tjetër veç asaj që i urdhëron Sali Berisha. E ka filluar qartë, po e ruan drejtësinë “të pavarur”, që në rastin e tij, të shkëlqesisë Nishani, do të thotë ta mbash drejtësinë të pavarur nga ligji.

Në krye të rregullimit të drejtësisë duhet të jenë pushtetet e tjera, ekzekutivi, kuvendi, partitë politike, masmedia etj., të ndihmuar nga asistenca e huaj, e paguar dhe e kërkuar nga ne.  Tek ne në Shqipërinë e tregut të lirë, nuk ka më rrezik të futjes së drejtësisë nën pushtetin ekzekutiv, por ka rrezik që drejtësia të mbetet në dorë të mafjozëve të korruptuar ekonomikisht e moralisht, të gjykatësve, të prokurorëve e të avokatëve.

Për të rënë pak në nivelin e konkretes, sa për ilustrim, do të thosha se veprimi i parë që duhet bërë urgjent, është që në Kushtetutën tonë, të futet principi i anashkaluar, ai i “checks and balances”, pra i kufizimit të pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, nëpërmjet të kontrollit reciprok të pushteteve. Mbase do goditur kjo kështjellë mafioze e drejtësisë shqiptare, që e ngritëm vetë, edhe duke futur në Kushtetutë zgjedhjen direkt nga populli të shumë hallkave të drejtësisë; apo duke futur në gjyqe zhuritë nga jojuristë, gjë që do të godiste rëndë këtë “pavarësi” nga ligji, të drejtësisë shqiptare, apo këtë veprimtari antiligjore të drejtësisë shqiptare!

Duhet të gjinden mënyra, që me ne shqiptarët që e kemi në gjak mosrespektimin e ligjit, të bëhet një drejtësi shumë më pak e korruptuar se mesatarja e shqiptarit—po, po, jemi të korruptuar, pa kemi një drejtësi të korruptuar! Nuk është punë e lehtë të bësh stan me lepuj, pra të bësh drejtësi me njerëz të padrejtë e të korruptuar, siç jemi ne. Prandaj dhe duhet ndihma e të huajve, e vendeve që kanë arritur të kenë një drejtësi me qindra herë më pak të korruptuar se jona, si e SHBA, e Gjermanisë, Anglisë etj.

Rregullimi i drejtësisë do vite të bëhet, e ndërkohë, me këtë drejtësi që kemi, por nën kontrollin e pushteteve të tjera, duhet të veprohet menjëherë që të dënohen fajtorët: është idiotësi të presësh rregullimin e drejtësisë, pa të zbatohet ligji. Jo, edhe ligji do kërkuar të zbatohet, edhe drejtësia do rregulluar—duhet të jenë procese që ecin paralelisht, pa pritur njëri-tjetrin.

Comments

Submitted by Skender (not verified) on

<p>Bashkim Kopliku vs Mustafa Nano. Ka te drejte i pari, sidomos ne parentezen e tij.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.