Elhaida, mes divës dhe Hirushes
Javës që kaloi rrjetet sociale u përmbytën nga reagimet që shkaktoi lajmi se Elhaida Dani kish fituar konkursin The Voice of Italy, një spektakël amator që organizohej për herë të parë në vendin fqinj. Gjithsesi reagimet, qofshin edhe puro emocionale, janë më se legjitime për raste të tilla.
I legjitimon fakti se Elhaida, për më shumë se dy muaj kaloi nga një puntatë tek tjetra falë performancës në rritje që mbështetej mbi një vokal të mrekullueshëm, të shtrirë mjaft gjerë, por edhe mbi një karizëm që ka për shtyllë kurrizore modestinë. Ky udhëtim i suksesshëm i solli vlerësime të bujshme nga juria dhe një ortek admirimi prej publikut.
Duke shprehur admirimin për talentin e këngëtares së re, për gjithçka që ajo ka arritur në hapat e parë të një karriere që premton të jetë tejet e suksesshme, i urojmë udhëtim të gjatë e të frytshëm në shtigjet e artit. Gjithçka që do të shtjellojmë më poshtë nuk ka të bëjë me Elhaidën, por me dukurinë ligjërimore që krijoi pjesëmarrja e saj në The Voice of Italy. Thënë më saktë, do të flasim për alkiminë e shndërrimit nga person i zakonshëm në VIP, për rolin që luajnë në këtë metamorfozë dy elementë të fuqishëm: marketimi mediatik dhe ligjërimet popullore të përcjella nga mediat sociale.
2.
Shkëlqimi i shkodranes 19-vjeçare ka edhe diçka të diskutueshme. Elhaida nuk ishte fytyrë e panjohur për skenat dhe ekranet shqiptare. Në kufijtë e 3-4 vjetëve ishte shfaqur e suksesshme në disa aktivitete muzikore. Kështu, në 2009 fitonte vendin e parë në Star Akademi, në 2010 arrinte në natën finale të Festivalit të 50-të të RTV-së, në 2012 fitonte Top-Fest-in etj. Ndërkohë ishte përmendur gjithashtu për pjesëmarrje dhe për trofe në festivale sadokudo ndërkombëtare në Rumani, Mal të Zi etj. Pavarësisht këtyre arritjeve, jo të pakta për një rishtare, reagimi i publikut mbetej i vakët, për të mos thënë mospërfillës dhe larg, shumë larg apogjeut që arriti me The Voice of Italy.
Çfarë ndryshoi ndër kohë? Të thuash se ndryshoi talenti, se brenda 10-12 javësh të The Voice Elhaida perfeksionoi në maksimum teknikat e interpretimit, rrezikon të fqinjërosh me logjikën e përrallës. Kur mohojmë ndryshime të tilla, e kemi fjalën për shndërrime përmbysëse, jo për evoluim të ngadalshëm e gradual që është krejt i kuptueshëm edhe për debutimet e Elhaidës në The Voice of Italy. Të jesh nxënëse e Cocciante-s, të trajnohesh e marketohesh prej stafeve të Rai 2, qoftë edhe për pak javë, patjetër që të jepet mundësia e zhvillimit dhe e perfeksionimit; gjithsesi, vështirë se mund të pretendosh ndryshim substancial apo siç e thotë fjala, ndryshim si nata me ditën.
Me gjasë, vlerat që u shtuan tek Elhaida gjatë spektaklit të Rai 2 i takojnë marketingut më shumë se performancës. Duket se në këtë mes ndikon vetë formati The Voice, që ka si synim të jetë trampolinë e talenteve të reja, të nxisë vëmendjen e publikut për të rinjtë, në një kohë që produktet muzikore janë përmbytëse, kurse strategjitë e marketingut krijojnë idhuj që rrezikojnë t’i lënë anemikë edhe të rinjtë më të talentuar, si bimë shëndetliga nën hije pemësh shekullore. Në funksion të kësaj strategjie janë vlerësimet dorëlira që bëjnë trajnerët e formatit për të zgjedhurit e tyre, krahasimi me emra të mëdhenj të muzikës botërore, “tensionet” e inskenuara nën lutjet “hajde me mua” etj. etj.
Natyrisht ky lloj marketimi shkon për gjithë pjesëmarrësit e formateve The Voice, veçanërisht për më të talentuarit. Për Elhaidën pati edhe diçka plus, diçka që të kujton struktura përrallash. Një e huaj, me origjinë nga një komb modest në kulturë, mjaft modest krahasuar me zulmën mijëvjeçare romako-italiane, konkurron dhe, falë aftësive të saj fiton.
Statura e këngëtares derdhet kështu në një strukturë të stërmotshme, në strukturën që ka shërbyer si kallëp për të derdhur një galeri personazhesh si Hirushja, Vëllai i Vogël, Qerosi etj. etj., personazhe që ndër shekuj kanë ngashënjyer të vegjlit e të pafuqishmit, d.m.th, shumicën e humanoidëve të kësaj bote.
Nuk ishte e rastit mbase që vlerësimet e jurisë shpesh strukturoheshin mbi diohotomitë: modeste – e furishme, thjeshtësi – magji, kurse thënia e Cocciante-s “Elhaida po më mëson modestinë” mund të lexohet edhe si strategji marketimi.
3.
Një talent që shfaqet beftë ushqen sensacione dhe gjeneron diskutime pro e kundër. Një klimë e tillë ligjërimore favorizon qasjet mitizuese dhe ngjizjen e miteve moderne, në kuptimin që Barthes i jep këtij termi.
Si të gjitha mitet moderne, edhe ato për artistët e shquar projektohen nga elitat, d.m.th nga artistë tanimë të afirmuar, intelektualë me emër, redaksi mediash e shtëpish botuese etj. Këtu, si të thuash, ngjizet fara e mitit, ravijëzohet embrioni i tij. Që të gjallojë e të harliset, miti ka nevojë për tokë pjellore. Këtë rol e luajnë zakonisht ligjërimet popullore, të cilat e jetësojnë mitin, i mundësojnë të lëshojë rrënjë e të hedhë shtat.
Ligjërimet në të cilat sendërtohen mite të tilla i ngjajnë një mullari me bar. Në qendër kanë shtyllën, strukturën statike rreth të cilit secili individ a grup mbledh e stivon barin e tij, zahirenë që i duhet. Kështu edhe në ligjërimet për Elhaidën, emri dhe suksesi i këngëtares shërbyen si shtyllë, rreth së cilës individë dhe grupe të ndryshme stivuan barin e tyre, d.m.th perceptimet, pikëpamjet, gjykimet dhe jo rrallë edhe interesat apo hallet vetjake. Duam apo s’duam, personi i mitizuar vjen e bëhet instrument.
Parë nga aspekti instrumentalizues, mozaiku i diskutimeve që u bënë për Elhaidën në mediat sociale strukturohet në disa tipe ligjërimesh si identitar, multikulturor, social-politik etj.
Kurdoherë që një artist, sportist, intelektual apo edhe kuzhinier qoftë, bën emër në një vend të huaj, shërben si ikonë identifikimi për bashkatdhetarët, sidomos për emigrantët të cilëve u vjen si balsam për frustrime dhe diskriminime pafund. Në këtë funksion u përdor edhe Elhaida. Mjafton të kujtojmë reagime të tipit: “ka bërë të ndihen krenarë të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësuar nga ajo”, ” zëri i saj që drithëroi tërë Italinë, mbushi me krenari gjithë shqiptarët”, “të gjitha urimet bijës sonë!” etj. etj.
Duket qartë se nevoja për identifikim është e thekshme sepse riaktivizon modelin më të lashtë e më jetëgjatë të kohezionit social: familjen. Artistja është bija jonë, ndihemi të përfaqësuar prej saj, megjithëse nuk e kemi zgjedhur dhe s’i kemi deleguar kurrgjë. Ky identifikimi, në daçi edhe ky lloj instrumentalizimi, nuk ka asgjë të keqe në vetvete, shërben jo thjesht si mburrje, por edhe si mekanizëm vetëmbrojtës kundër diskriminimit, madje edhe si mjet për të rritur prestigjin tënd në sy të vetes dhe rrjedhimisht për të synuar nga e mira.
Ligjërimi identifikues vetvetiu gjallëron ligjërime multikulturore, ngaqë evokon figurën e tjetrit, marrëdhëniet me të; nuk mund ta identifikosh veten pa e përqasur me tjetrin, ashtu si nuk ka vdekje pa jetë, të ëmbël pa të hidhur etj. Në rastin e ligjërimeve për Elhaidën, prania e tjetrit erdh e u bë më e dukshme ngaqë shfaqej mbi dikotominë shqiptar-italian, madje të mishëruar në një mikronarrativë metaforiko-mitike: vjen shqiptarja dhe merr zërin e Italisë.
Në raste të tilla, aq më tepër në rrjetet sociale nuk mund t’u shmangesh qëndrimeve raciste, siç edhe ndodhi jo pak herë. Gjithsesi orientimi human që i dhanë diskutimit trajnerët e nderuar italianë Rafaela Carra, Piero Pelu, Noemi dhe Cocciante, bëri që ligjërimi multikulturor të shtjellohej përgjithësisht në rrafsh konstruktiv. Këtë e dëshmojnë reagimet e tipit “bravo dhe italianëve që e votuan; po të jesh në lartësinë e ambientit që të rrethon, s’të diskriminon njeri” apo edhe keqardhja e një vajze që shkruante “po qe se do konkurronte në Greqi, nuk kish për të fituar as sot, as mot”.
Ligjërimi identitar, veçanërisht kur fokusohet tek identiteti kombëtar dhe e absolutizon këtë, sjell me vete një frymë të dëmshme mistifikuese. Në raste të tilla flitet në terma idilikë për kombin, përkatësinë, lidhjet e gjakut, të historisë e të kulturës dhe, si rregull anashkalohen problemet shoqërore, dallimet politike, klasore etj. Është kjo arsyeja që ligjërimet identitare thuajse gjithnjë gjenerojnë ligjërime social-politike, që zakonisht artikulohen nga intelektualë esëll e “heretikë”.
Për vetë karakterin festiv e kalimtar, reagimet për Elhaidën, megjithëse u mbisunduan nga tone identitare, nuk para gjeneruan ligjërime social-politike. Përjashtim do të bënte shkrimi i Mirela Kumbaros “Lëreni Elhaidën rehat”, si dhe një numër reagimesh kundër prononcimeve të politikanëve, reagime që kishin për divizë: ç’ka bërë e ç’bën politika dhe shteti për talentet e reja që nxitojnë të zënë kryet e vendit edhe në ngazëllimet për Elhaidën?
Mapo
Add new comment