Greqi, sot në Athinë do të zhvillohet grevë 24 orëshe

Sot në rajonin e Atikës ka filluar një grevë 24 orëshe e inicuar nga qendra Punëtore e Athinës, ndërkohë që Sindikatat iu bëjnë thirrje gjithë punonjësve të pellgut të Atikës të marrin pjesë dhe t'i bashkohen tubimit në sheshin Klathmonos, në qendër të kryeqytetit.
Tubim më vete organizon edhe Fronti Luftarak Punëtor (PAME), në sheshin Omonia.
Greva zhvillohet në përgjigje të masave financiare që po zbatohen dhe atyre që pritet të zbatohen me qëllim shpëtimin e vendit nga falimentimi.
Pengesa të mëdha ka sot në transportin urban në Athinë, për shkak të grevës pasi:
-Punonjësit e autobusave urbane dhe trolejbusave do të ndërpresin punën 24 orë.
-Gjithashtu edhe punonjësit e hekurudhave, metrove, tramvajit, do të ndërpresin punën nga fillimi i turnit deri në përfundim të turnit.
Grevë 24-orëshe do të zhvillojnë gjithashtu, avokatët, mjekët, punonjësit e bankës, punonjësit e telefonise, dhe mësuesit.
Sindikatat e punonjësve të medias kanë shpallur grevë 48-orëshe për të martën dhe të mërkurën.
Kjo grevë zhvillohet në një atmosferë tepër delikate dhe mbytëse për Greqinë, javë kur Trojka do fillojë kontrollin mbi zbatimin e masave të marra, dhe do të insistojë në reduktimin e shpenzimeve operative, mbylljen e operatorëve joefikasë, etj.
Ndërkohë që bisedimet per prerjen e borxhit me kreditorët privatë kanë mbetur pezull dhe pritet të vazhdojnë nesër. FMN është shprehur e shqetësuar për përfundimin e këtyre bisedimeve, nga të cilat varet edhe financimi i mëtejshëm i vendit.
Nga ana tjetër paralajmërimet e zymta për Greqinë nuk rreshtin.
Shtypi ndërkombëtar flet cdo ditë për falimentim të saj, daljen nga euro dhe kthimin tek dhrahmia e zhvlerësuar.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment